Botë
Ligjvënësit amerikanë, në përpjekje për kompromis për buxhetin
Published
1 year agoon
By
UBTnewsPresidenti Donald Trump iu përgjigj të mërkurën pyetjeve lidhur me shqetësimet nëse legjislacioni që do të sigurojë financimin e qeverisë federale pas afatit të 14 marsit, do të përfshijë shkurtime të programeve të sigurimeve shoqërore si Medicaid dhe ndihmave sociale.
“Nuk do t’i prekim ato (programe),” u tha zoti Trump gazetarëve. “Do të kontrollojmë për shpërdorime, natyrisht. Jam i sigurt që jeni dakord për masat për ata që nuk duhet të përfitojnë, për ata që janë këtu në mënyrë të paligjshme dhe të tjerë që kanë shkelur ligjin”.
Këto shkurtime të mundshme janë një nga çështjet që ligjvënësit po përpiqen të zgjidhin përpara se një projekt-ligj për buxhetin e përkohshëm të skadojë pas më pak se dy javëve.
Të martën, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson siguroi votat e mjaftueshme për të miratuar një projektligj për buxhetin, duke hedhur hapin e parë drejt shkurtimit të taksave dhe paralelisht, shkurtimin e shpenzimeve qeveritare. Buxheti i miratuar me 217 vota pro dhe 215 kundër u kritikua nga ligjvënësit demokratë, të cilët e quajtën “të papërgjegjshëm”.
“Ne premtuam të respektojmë agjendën e plotë të Presidentit [Donald] Trump, jo vetëm një pjesë të saj, ” u tha zoti Johnson gazetarëve më herët të martën.
Përpara votimit, disa ligjvënës republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve shprehën shqetësim për nivelin e lartë të shpenzimeve dhe shtimin e deficitit që do të shkaktohej nga vazhdimi i shkurtimit të taksave. Shqetësimi i tyre lidhet me faktin se fondet e munguara në buxhet për shkak të shkurtimit të taksave, është pothuajse e pamundur të kompensohen pa shkurtuar programet kryesore sociale që ndihmojnë votuesit amerikanë. Senati, në variantin e tij të buxhetit, propozon që shkurtimi i taksave të bëhet në një moment të dytë, me një tjetër projektligj, më vonë gjatë këtij viti.
“Jo vetëm që po punojmë për të gjetur kursime për taksapaguesit amerikanë, një përdorim më të mirë dhe më efikas të parave të tyre, por ne gjithashtu kemi një detyrim moral për të ulur borxhin”, tha ligjvënësi Johnson.
Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë “një projektligj të madh dhe të bukur” që do të përfshinte pjesët kyçe të axhendës së tij politike.
Pavarësisht se Presidenti Trump kishte shprehur preferencën e tij për versionin e Dhomës së Përfaqësuesve të projektligjit për buxhetin, Senati të premten e kaluar miratoi një projektligj për financimin e qeverisë, i cili parashikon 150 miliardë dollarë për mbrojtjen dhe 175 miliardë dollarë për sigurinë e kufirit. Ky projektligj gjithashtu shmang shkurtimet e debatueshme të programit ‘Medicaid’, programi i sigurimeve shëndetësore për të varfrit, që parashikon projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve.
Ligjvënësi republikan Tony Gonzales udhëhoqi një grup prej shtatë republikanësh të Dhomës së Përfaqësuesve që janë shprehur kundër shkurtimit të programit të kujdesit shëndetësor “Medicaid”, si dhe ndihmave ushqimore dhe programeve të tjera sociale.
“Shkurtimi i programit “Medicaid” do të kishte pasoja serioze, veçanërisht në komunitetet rurale dhe kryesisht hispanike, ku spitalet dhe shtëpitë e azilit për të moshuarit tashmë po ndeshen me vështirësi në përpjekjet për të shmangur mbylljen”, thanë ligjvënësit në një letër drejtuar Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson javën e kaluar.
Presidenti Trump postoi në rrjetin social Truth Social javën e kaluar se “Dhoma e Përfaqësuesuve dhe Senati po bëjnë një punë SPEKTAKOLARE, duke punuar së bashku si një EKIP i unifikuar dhe i pamposhtur, megjithatë, ndryshe nga versioni i senatorit Lindsey Graham, projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve zbaton në mënyrë të PLOTË axhendën time Amerika e Para, GJITHÇKA, jo vetëm pjesë të tij!”
Projektligjet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit tani do të duhet të unifikohen parapara se të dërgohen për nënshkrim tek presidenti.
Nëse ligjvënësit nuk arrijnë një kompromis deri më 14 mars, do të ketë një mbyllje të pjesshme të qeverisë, duke lënë përkohësisht miliona punonjës federalë pa paga dhe duke pezulluar disa shërbime jo thelbësore të qeverisë.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, nuk përjashtoi mundësinë e një projektigji tjetër të financimit afatshkurtër të qeverisë për t’u dhënë ligjvënësve më shumë kohë për të punuar në projektligjin për buxhetin.
“Ne po i mbajmë të gjitha opsionet të hapura, por nuk ka mbetur shumë kohë “, tha senatori Thune për gazetarët të martën.
Senati votoi për versionin e tij të buxhetit, sepse nuk ishte i sigurt se Dhoma e Përfaqësuesve do të mund të miratonte një version të saj të projektligjit për buxhetin.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer e quajti votimin si hapin e parë drejt dëmtimit të votuesve.
“Nuk ka asnjë dyshim se ky projektligji do të prekë të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara për të rritur pasurinë e njerëzve më të pasur. Kjo është e gabuar. Ne do të përdorim çdo mundësi për të ngritur shqetësimet që po dëgjojmë nga votuesit tanë, do të bashkohemi dhe do të organizohemi me ata për të luftuar këtë ulje taksash për miliarderët”, tha senatori Schumer të martën.
Aktualitet
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
Published
2 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, deklaroi këtë të mërkurë se destabilizimi global i shkaktuar nga lufta në Iran e detyron Britaninë të rreshtohet më ngushtë me aleatët evropianë në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë. Ky qëndrim vjen pas kritikave të përsëritura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, raporton mediumi britanik Reuters.
Në një konferencë për media, të thirrur për të zbutur shqetësimet e publikut mbi rritjen e kostove të jetesës, Starmer tha se ndikimi i kësaj lufte do të “na përcaktojë për një gjeneratë” dhe mund të krahasohet me krizën e çmimeve të energjisë të viteve ’70.
Partneritet më i ngushtë me BE-në
Starmer shpalosi planet për një samit të ri me Bashkimin Evropian në javët e ardhshme, me shpresën për të riparuar disa nga “dëmet e thella” të shkaktuara nga Brexit.
“Është gjithnjë e më e qartë se derisa bota vazhdon në këtë rrugë të paqëndrueshme, interesi ynë afatgjatë kombëtar kërkon partneritet më të ngushtë me aleatët tanë në Evropë,” tha Starmer para gazetarëve në “Downing Street”.
Përplasja me Trump
Presidenti Trump kritikoi sërish të martën vendet evropiane që refuzuan t’i bashkohen luftës kundër Iranit, duke veçuar Britaninë dhe Francën. Kjo ka çuar në përkeqësimin e raporteve transatlantike, në një kohë kur konflikti ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë.
Trump i paralajmëroi këto vende të “mësojnë si të luftojnë për veten”, sepse SHBA-ja “nuk do të jetë më aty për t’i ndihmuar”.
Edhe pse pas zgjedhjes së Trump në vitin 2024, Starmer u përpoq të pozicionohej si një urë lidhëse mes Evropës dhe SHBA-së, raportet mes tyre janë krisur publikisht për shkak të refuzimit të Londrës për t’u bërë pjesë e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Interesi Kombëtar mbi Presionin
Ndonëse fillimisht Starmer refuzoi kërkesën e SHBA-së për të përdorur bazat britanike për sulme ndaj Iranit, ai më vonë lejoi ato që i quajti “misione mbrojtëse” për mbrojtjen e qytetarëve në rajon.
I pyetur për kritikat e Trump, Starmer u përgjigj: “SHBA-ja dhe Britania janë aleatë të ngushtë prej një kohe shumë të gjatë. Unë do të veproj në interesin kombëtar britanik, pavarësisht presionit mbi mua.”
Lidhur me krizën energjetike, Starmer nuk njoftoi masa të reja për familjet, por konfirmoi se Britania do të jetë nikoqire e takimeve këtë javë me 35 shtete, me qëllim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. /Reuters/
Aktualitet
Trumpi po e konsideron seriozisht largimin nga NATO-ja
Published
4 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për “The Telegraph” se seriozisht po e konsideron largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga NATO-ja, pasi ajo nuk iu bashkua në luftën në Iran.
Në një intervistë për mediumin prestigjioz, presidenti e ka cilësuar aleancën si “tigër prej letre”. Ai ka thënë se largimi i SHBA-së nga traktati i mbrojtjes tani është “përtej rikonsiderimit”.
Është shenja më e fortë deri tash se Shtëpia e Bardhë nuk e konsideron më Evropën si partnere të besueshme, pas refuzimit të aleatëve që të dërgojnë anije lufte për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Trump u pyet nëse do të rikonsideronte largimin e SHBA-së nga aleanca pas luftës. “Po, do të thosha përtej rishqyrtimit”, ka thënë ai. “Nuk u ndikova kurrë nga NATO. Gjithmonë e kam ditur se janë tigër prej letre dhe Putini e di këtë gjithashtu”.
Partnerët e NATO-s kanë hezituar të ndihmojnë në hapjen e ngushticës, nga e cila kalon 20 për qind e eksporteve të derivateve. Teherani e ka mbyllur për javë të tëra duke çuar në vlera të larta çmimin e naftës e që po kërcënon me recesion botëror.
“Përpos që nuk ishin aty, ishte e vështirë të besohej. Dhe unë nuk bëra përpjekje të madhe. Veç u thash ‘hej’, ju e dini, unë nuk insistova shumë. Vetëm mendoj se është dashur të jetë automatike. Ne kemi qenë aty automatikisht, përfshirë Ukrainën. Ukraina nuk ishte problem i joni. Ishte test dhe ne ishim aty për ta, dhe gjithmonë do të ishim aty për ta. Ata nuk ishin për ne”, ka shtuar Trumpi.
Duke e vënë theksin te Mbretëria e Bashkuar, presidenti ka thënë se Marina Mbretërore nuk ishte e gatshme për detyrën.
Shtëpia e Bardhë ka shtuar zërat frustrues se partnerët e kamotshëm nuk po i qëndrojnë në krah. Para se Trumpi të fliste, në një intervistë për “Fox News”, sekretari i shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Amerika duhet të “rishikojë” anëtarësimin në NATO, kur të përfundojë lufta në Iran.
“Nuk ka asnjë dyshim, fatkeqësisht, se kur të përfundojë ky konflikt, ne do të duhet të rishikojmë raportet. Nëse NATO-ja është vetëm për mbrojtjen e Evropës nëse ata sulmohen, por ata të na mohojnë të drejtën tonë bazike kur na duhen, kjo s’është marrëveshje e mirë. Është zor të rrish aty”, ka thënë ai.
Trumpi e ka vlerësuar Rubion për këto fjalë.
Lajmet
Çmimet e naftës bien teksa Trump thotë se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”
Published
6 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Çmimet e naftës kanë rënë këtë të mërkurë me më shumë se 3%, duke zbritur pak mbi 100 dollarë për fuçi, raporton BBC.
Kjo vjen pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbrëmë në Zyrën Ovale, se vendi do të largohet nga Irani “shumë shpejt” dhe se aksioni ushtarak mund të përfundojë brenda dy ose tre javësh.
Megjithatë, çmimet e naftës bruto Brent mbeten 39% më të larta krahasuar me 28 shkurtin, kur filloi lufta dhe Irani mbylli efektivisht Ngushticën e Hormuzit, një rrugë vendimtare për furnizimet globale të naftës dhe gazit. /BBC/
Aktualitet
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Published
1 day agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se objektivat e luftës së SHBA-së do të arrihen brenda “javësh”. Ndërsa lufta ndaj Iranit hyri në ditën e saj të 32-të, sulmet ajrore amerikane dhe izraelite vazhdojnë në mbarë Iranin, me shpërthime të fuqishme të raportuara në Teheran dhe Isfahan.
Sekretari Rubio shtoi se komunikimi midis Teheranit dhe Uashingtonit po vazhdon, kryesisht përmes ndërmjetësve, duke saktësuar se objektivat do të arrihen në “javë, jo muaj”. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të shkatërrojë qendrën kryesore të eksportit të naftës dhe infrastrukturën energjetike të Iranit nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje.
Në Iran
- Taksat në Hormuz: Media shtetërore raportoi se një komision parlamentar miratoi taksat për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe e naftës dhe gazit, e mbyllur efektivisht nga lufta.
- Kërcënimet e Trump: Trump kërcënoi me shkatërrimin e Ishullit Kharg (qendra e eksportit të naftës), puseve të naftës dhe centraleve elektrike.
- Bombardimet: Izraeli dhe SHBA vazhduan bombardimet, me shpërthime të fuqishme në Teheran dhe Isfahan.
- Mesazhi i Marinës: Vala e fundit e sulmeve rajonale të Iranit u nis nga marina e vendit. Sipas korrespondentëve, ky shërben si një “mesazh shumë i fortë” për SHBA-në, duke sfiduar pretendimet e Uashingtonit për asgjësimin e forcave detare iraniane.
- Vrasja e Admiralit: Garda Revolucionare (IRGC) konfirmoi vdekjen e komandantit të saj detar, Admiralit Alireza Tangsiri, i vrarë në një sulm izraelit së fundmi.
Zhvillimet Rajonale
- Bisedimet Pakistan-Kinë: Zëvendëskryeministri i Pakistanit, Ishaq Dar, viziton Pekinin të martën për bisedime me ministrin kinez Wang Yi.
- G7 për Energjinë: Ministrat e ekonomisë dhe financave të G7-ës u shprehën të gatshëm të marrin “të gjitha masat e nevojshme” për të stabilizuar tregun e energjisë.
- Thirrja e El-Sisit: Presidenti egjiptian i kërkoi Trump-it të ndihmojë në ndaljen e luftës: “Ju lutem, na ndihmoni të ndalim luftën, ju jeni i aftë për këtë.”
- NATO: Forcat e NATO-s kapën një raketë të lëshuar nga Irani drejt Turqisë — e katërta që nga fillimi i luftës.
Në Gji
- Sulmi mbi cisternën kuvajtjane: Irani nisi një sulm “direkt dhe kriminal” mbi “Al-Salmi”, një cisternë kuvajtjane e ngarkuar plot në portin e Dubait.
- Raketat në Arabinë Saudite: Arabia Saudite njoftoi se kapi të paktën tetë raketa balistike që synonin Rijadin dhe provincën lindore të pasur me energji.
- Alarmi në Bahrein: Konflikti ka vënë shtetet fqinje në alarm të lartë; Bahreini aktivizoi sirenat duke udhëzuar banorët të drejtohen në vendet më të afërta të sigurta.
- Araghchi: Ministri i Jashtëm iranian tha se është “koha e fundit” që trupat amerikane të largohen nga bazat e tyre në shtetet e Gjirit.
Në SHBA
- Rubio i tha Al Jazeera-s se rruga ujore do të mbetet e hapur pavarësisht veprimeve të Iranit.
- Ai pohoi se objektivat po arrihen pas shkatërrimit të forcave ajrore dhe pjesës më të madhe të marinës iraniane.
- Mbi 200 ushtarë amerikanë kanë paraqitur ankesa ndaj oficerëve eprorë për përdorimin e retorikës fetare për të arsyetuar luftën.
Në Izrael
- Netanyahu: Kryeministri izraelit tha se lufta ka arritur më shumë se gjysmën e qëllimeve të saj, pa dhënë një afat se kur do të përfundojë.
- Sulmi në Universitet: Ushtria izraelite goditi Universitetin “Imam Hossein” në Teheran, duke pretenduar se përdorej për kërkime të armëve të avancuara.
- Zjarri në Haifa: Një zjarr i madh shpërtheu në rafinerinë e naftës në Haifa pas rënies së mbetjeve të një projekti të kapur në ajër.
Kriza e naftës dhe ushqimit
- Rritja e çmimeve: Nafta bruto amerikane (WTI) kaloi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022. Çmimi mesatar i benzinës kaloi 4 dollarë për gallon.
- Masat në Norvegji dhe Bangladesh: Norvegjia do të ulë përkohësisht taksat mbi karburantet, ndërsa Bangladeshi ka urdhëruar masa të rrepta kursimi të energjisë për shkak të krizës globale. /Al Jazeera/
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Trumpi po e konsideron seriozisht largimin nga NATO-ja
173 vjet nga lindja e Van Gogh
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 1 prill, në vitet nëntëdhjetë
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
