Lajmet

“Ligji i Pasqyrës”: Rregulli “magjik” për të zgjidhur problemet

Yoshinori Noguci, në librin e tij të quajtur “Ligji i Pasqyrës”, tregon një histori të bukur dhe emocionale.

Published

on

“Ligji i Pasqyrës” na tregon se origjina e ndjenjave tona negative ndaj një personi të veçantë qëndron në zemrën tonë dhe jo në tjetrin. Me fjalë të tjera, ai na mëson se ndjenjat janë të lindura brenda nesh, dhe kjo është arsyeja pse jemi përgjegjës për menaxhimin e besimeve tona, ideve tona dhe mendimet e këqija që kemi formuluar mbi të tjerët.

Sepse zemërimi, zakonisht, është i drejtuar kah vetvetja, dhe jo te tjetri. Me fjalë të tjera, gjithçka fillon dhe përfundon brenda vetes sonë; është ky projeksion që ka luajtur me mendjen tonë, sikur realiteti ynë të ishte një pasqyrë, që na jep mbrapsht imazhin që po gjenerojmë.

Yoshinori Noguci, në librin e tij të quajtur “Ligji i Pasqyrës”, tregon një histori të bukur dhe emocionale, që na prek dhe na jep mundësinë për të integruar këtë ide, në jetën tonë të përditshme.

Ky autor na vendos përpara një pasqyre për të na bërë të ballafaqohemi me brendësinë tonë, ose me origjinën e gjithçkaje që na ndodh në jetë. Në këtë drejtim, Jung do të thoshte “ajo që ti mohon  të nënshtron, ajo që pranon të transformon”.

Ajo që na irriton te të tjerët, është ajo që mohojmë për veten

Ne duhet të shqyrtojmë gjërat që na shqetësojnë tek të tjerët. Pse urrejmë komentet e vëllait tonë gjatë drekave familjare? Pse nuk mund të arsyetojmë më, kur jemi në shoqëri të kunatës? Pse nuk durojmë dot, kur nuk na mbështesin atëherë kur ne duam?

Për të analizuar të gjitha këto, ju duhet të bëni një listë me të gjitha elementet që na shqetësojnë tek njerëzit rreth nesh. Ne ndoshta do të kuptojmë se ka vlera që padrejtësisht po i përbuzim, dhe se ka gjëra që nuk i bëjmë ashtu siç duhet.

Ne duhet t’i bëjmë vetes pyetje të tilla si “pse në një situatë të caktuar unë nuk reagoj në të njëjtën mënyrë me të gjithë?”. “Pse një “përshëndetje” e vogël dhe e thatë”, më shqetëson kur e bën dikush, ndërkohë që nuk më provokon asnjë lloj reagimi, e thënë nga dikush tjetër?” Përgjigjja është e thjeshtë: ne nuk përjetojmë të njëjtat ndjenja ndaj të gjithë njerëzve.

Për këtë arsye, hapi tjetër është të bëjmë një listë të gjërave për të cilat duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na irritojnë: sigurisht që ata do të kenë bërë të paktën një gjë të mirë për ne, ose për dikë që e duam.

Nuk ka afate kohore për realizimin e kësaj liste; me fjalë të tjera, duhet të marrim kohën e nevojshme për të kuptuar se sa prej karakteristikave të tjera që na bëjnë nervozë janë gjithashtu pjesë e jona. Kur ta kemi bërë, mund të bëjmë një listë tjetër ku të shpjegojmë çështjet për të cilat dëshirojmë të kërkojmë ndjesë.

Është e mundshme që ky ushtrim nuk është i lehtë dhe se sapo të përfundojë, do të duket sikur kemi ndërtuar një listë të detyrueshme të detajeve të vogla pa rëndësi. Megjithatë, ky gjest i guximshëm do të na lejojë të kuptojmë se nganjëherë edhe sytë tanë janë armiqësorë, toni ynë i ashpër dhe kritika jonë e rëndë dhe e pakërkuar./bota.al

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara