Lajmet nga UBT

Ligjëratë mbi shumëgjuhësinë në BE për studentët e UBT-së

Published

on

Në kuadër të projektit Jean Monnet “Advancing Kosovo’s European Integration Through Learning About the EU” (AKIL-EU), studentët e UBT-së patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të rëndësishme nga Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari, e cila u mbajt më 6 dhjetor 2024.

Tema e ligjëratës ishte “Shumëgjuhësia në Bashkimin Evropian”, dhe bëri pjesë në ciklin e 15 ligjëratave të organizuara për studentët e UBT-së, të cilat janë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm.

Gjatë ligjëratës dhe diskutimeve interaktive me studentët, Prof. Zaçellari theksoi rëndësinë e shumëgjuhësisë si një pasuri e jashtëzakonshme kulturore dhe identitare për vendet anëtare të BE-së. Ajo u shpreh për rolin e rëndësishëm të shumëgjuhësisë në ruajtjen e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies në nivel evropian, duke sjellë shembuj nga praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte dedikuar gjithashtu situatës gjuhësore në Kosovë, ku u theksua se diversiteti gjuhësor është një pjesë e pandashme e ADN-së së Evropës. Ky diversitet është një vlerë që duhet ruajtur dhe promovuar, për të siguruar një shoqëri më të bashkuar dhe të përparuar.

Ky aktivitet është një nga shumë iniciativat që UBT po ndërmerr për të forcuar kuptimin dhe angazhimin e studentëve në lidhje me parimet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Ai përforcon gjithashtu angazhimin e UBT-së për të mbështetur zhvillimin akademik të studentëve, duke i ofruar mundësi për të njohur më thellë proceset evropiane dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme./UBTNews/

Lajmet nga UBT

Në një ceremoni solemne ndahen bursat studentore nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”

Published

on

Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky fondacion, i themeluar për të mbështetur ekselencën akademike dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët shqiptarë, shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të edukimit dhe zhvillimit shoqëror.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin figura të njohura nga fusha e arsimit, politikës dhe biznesit, përfshirë Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, Naim Dedushaj, përfaqësues të familjes Xhema, Dr. Skënder Osmani dhe personalitete të tjera të njohura nga fusha e arsimit dhe biznesit.

Përfituesit e bursave ishin studentët e të gjitha trojeve shqiptare, nga Medvegja, Bujanoci, Presheva, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Diana Ibishi, Aurela Kamberi, Erlinda Zeneli, Valëza Rukovci, Eljesa Aliu, Sihana Hafuzi, Ediol Dragoti, Bledi Ramadani, Flora Çadraki, Jona Maliqi, Berni Guze, Arif Emini, Dzenis Kanacevic dhe Arbresha Temaj ishin emrat e studentëve që u vlerësuan ekselentë për të marrë këtë bursë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ndarjes së bursave nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Jim Xhemës për të rinjtë dhe arsimimin. Ai vuri në dukje se kjo nismë është shumë më tepër sesa dhënie e bursave, duke e konsideruar si një mundësi për të ndryshuar të ardhmen e Kosovës dhe për të siguruar mbështetje për studentët që janë të dedikuar për të ndërtuar një shoqëri më të zhvilluar.

“Fondacioni ‘UBT Jim Xhema’ është një model që dëshmon se investimi në arsim nuk është thjesht një ndihmë për individët, por një bazë e fuqishme për të ndryshuar shoqërinë në tërësi”, tha Rektori Hajrizi, duke shtuar se ky akt është një shtysë për të rinjtë dhe një hap përpara në ndihmën që ata mund të ofrojnë për zhvillimin e vendit.

Rektori gjithashtu e përmendi kontributin e jashtëzakonshëm të Jim Xhemës në avancimin e arsimit dhe kulturës, duke theksuar se ky është një investim që ka një ndikim të thellë dhe të gjatë. Ai theksoi: “Ky akt fisnikërie është vetëm një pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të z. Xhema, i cili ka investuar pa u lodhur në fushat e arsimit, kulturës dhe avancimit profesional të të rinjve. Një shembull i gjallë i këtij përkushtimi është emërtimi i një objekti në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së me emrin e tij”. Kjo tregon jo vetëm mirënjohjen e institucioneve për këtë figurë të shquar, por edhe një testament të qëndrueshmërisë së angazhimit të tij për të rinjtë.

Në fund të fjalës së tij, Rektori Hajrizi iu drejtua studentëve duke i inkurajuar ata që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen, duke u bërë gjithashtu një forcë për ndryshim në shoqërinë e Kosovës. “Ju jeni dëshmia e gjallë se përkushtimi, ambicia dhe puna e palodhur shpërblehen. Sot nuk është vetëm një mundësi për të përparuar, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, përmes dijes dhe inovacionit”, tha ai, duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë studentët në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fjalës së tij në këtë ngjarje solemne, theksoi rëndësinë e përkushtimit të Jim Xhemës për arsimin dhe rininë shqiptare. Ai e cilësoi këtë iniciativë si një akt që tejkalon dhënien e bursave, duke përshkruar atë si një ndihmesë të madhe për të ardhmen e Kosovës.

“Sot nuk jemi thjesht këtu për ta shënuar një akt bamirësie. Sot, jemi dëshmitarë të një gjesti që ndërthur historinë me të ardhmen”, tha ai, duke theksuar se ky është një hap përpara në ndihmën për zhvillimin e Kosovës. Kryetari Rama e përshkroi Jim Xhemën si një hero të padiskutueshëm, një figurë kyçe që ka ndihmuar në avancimin e çështjes shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës më të vështirë të vitet ’90, duke i dhënë zë dhe mbështetje Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai gjithashtu e theksoi se ky investim është një nxitje për të rinjtë që të punojnë për një të ardhme më të mirë dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar. “Zoti Xhema po investon në ju, sepse ai beson në ju. Ai beson se dija juaj, puna juaj, dhe pasioni juaj mund ta formësojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe përtej saj”, theksoi Kryetari Rama. Ai e përfundoi fjalimin duke iu drejtuar studentëve për të kujtuar rëndësinë e këtij momenti, duke i inkurajuar që të shfrytëzojnë mundësinë që iu ofrohet për të kontribuar në zhvillimin e vendit.

Flora Çadraku, një nga studentët që fitoi bursën, u shpreh me mirënjohje dhe pasion: “Për mua, kjo bursë është një motivim i madh, një arsye për të punuar edhe më shumë. Është dëshmi që kur dikush beson tek ti, ti mund të arrish më shumë seç ke menduar”.

Ajo theksoi rëndësinë e mundësive që iu ofruan dhe angazhimin e saj për të përfaqësuar me sukses vlerat e Fondacionit “UBT Jim Xhema” dhe UBT-së, duke premtuar se puna dhe përkushtimi i saj do të jenë një pasqyrë e denjë e besimit që u dha.

Në fund të ceremonisë, studentët përfitues u shprehën të emocionuar dhe falënderues për mbështetjen që kanë marrë. Fondacioni “UBT Jim Xhema” synon të vazhdojë rrugën e tij për të fuqizuar gjeneratat e reja dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes komuniteteve dhe brezave.

Kjo iniciativë e UBT-së përforcon edhe një herë rolin e institucionit si një platformë që promovon ekselencën dhe fuqizon brezat e ardhshëm për të kapërcyer çdo kufi drejt suksesit./UBTNews/ D.E.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Strategjitë dhe komunikimi në kohë krizash: Dr. Nehat Koçinaj nga AME zhvillon ligjëratë tematike me studentët e Studimeve të Sigurisë në UBT

Published

on

Në UBT u organizua një ligjëratë tematike me Dr. Nehat Koçinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), i cili shërben si Udhëheqës i “Divizionit për Çështje Ligjore dhe Marrëdhënie me Publikun dhe Ndërkombëtare”.

Ligjërata u mbajt për studentët e vitit të dytë të programit të Studimeve të Sigurisë dhe u koordinua nga Prof. Dr. Bahri Gashi, profesor i lëndës “Menaxhimi i Krizave dhe Emergjencave Civile”.

Dr. Koçinaj trajtoi rëndësinë e strategjive aplikative dhe kapaciteteve të menaxhimit emergjent në kohë krizash, duke prezantuar një analizë gjithëpërfshirëse dhe kronologjike mbi temën kryesore: “Strategjitë dhe komunikimi në kohë krizash”. Diskutimi u fokusua në situata konkrete dhe kapacitetet aktuale të institucioneve të sigurisë në Kosovë, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e krizave dhe emergjencave civile.
Studentët patën mundësinë të shtronin pyetje dhe të merrnin informacione të detajuara mbi sfidat dhe qasjet që përfshin kjo fushë, duke e bërë këtë ligjëratë një mundësi të vlefshme për thellimin e njohurive të tyre profesionale.

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me AME, studentët e vitit të tretë të Studimeve të Sigurisë në UBT, dy vite më parë, kishin realizuar një vizitë studimore në këtë institucion. Gjatë kësaj vizite, ata patën rastin të njihen nga afër me aktivitetet dhe operacionet e AME-së. Ky bashkëpunim pritet të zgjerohet më tej, duke përfshirë edhe mundësi për punë praktike të studentëve të UBT-së në këtë institucion./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Profesorët dhe studentët e Arkitekturës së UBT-së në vizitë akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lübeck të Gjermanisë

Published

on

Nga data 8 deri më 13 dhjetor, profesorët Dr. Lulzim Beqiri, Dr. Bekim Ceko dhe Dr. Kujtim Elezi, së bashku me tetë studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor të UBT-së, po marrin pjesë në një vizitë akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lübeck, Gjermani.

Vizita zhvillohet në kuadër të programit Erasmus+ “Blended Mobility”, i cili mbështet shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet institucioneve arsimore.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, stafi akademik dhe studentët do të jenë pjesë e zhvillimit dhe vlerësimit të studios së përbashkët të titulluar “Integrimi i lumit në hapësirat publike në Prishtinë”. Ky projekt synon të gjenerojë ide dhe propozime të reja për trajtimin e lumenjve të Prishtinës, duke i kthyer ata në elementë të rëndësishëm të hapësirave publike.

Studentët dhe profesorët do të punojnë në bashkëpunim me kolegët e Fakultetit të Arkitekturës në TH Lübeck për të zhvilluar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë urbane dhe mjedisore të kryeqytetit të Kosovës.

Profesorët e UBT-së do të marrin pjesë edhe si anëtarë të paneleve vlerësuese në kuadër të studio-dizajnit që zhvillohet në Fakultetin e Arkitekturës në TH Lübeck. Ky angazhim përfshin jo vetëm vlerësimin e projekteve, por edhe ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e planifikimit hapësinor dhe arkitekturës.

Ky bashkëpunim ndërmjet UBT-së dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Lübeck është një shembull i shkëlqyer i përfitimeve të programit Erasmus+, i cili i jep mundësi studentëve dhe stafit akademik të eksplorojnë qasje të reja, të ndajnë njohuri dhe të krijojnë lidhje të forta ndërmjet institucioneve evropiane.

Vizita në Lübeck jo vetëm që forcon partneritetin mes dy universiteteve, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin profesional të pjesëmarrësve dhe pasurimin e përvojës së tyre akademike./UBTNews/D.E.

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së mori pjesë në Konferencën e Bankës Botërore për klimën dhe zhvillimin në Kosovë

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën e Bankës Botërore për klimën dhe zhvillimin në Kosovë, ku u prezantua raporti i klimës dhe zhvillimit (CCDR) për vendin. Ky raport, i përgatitur nga grupi i Bankës Botërore, adreson sfidat dhe mundësitë që Kosova ka për kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Gjatë konferencës, Massimiliano Paolucci, përfaqësues i Bankës Botërore, theksoi rëndësinë e transformimit të ekonomisë së Kosovës. Ai foli për nevojën e kalimit nga një model ekonomik që mbështetet te thëngjilli në një ekonomi që i jep përparësi teknologjive të gjelbra, inkurajon inovacionin dhe synon qëndrueshmërinë.

Rektori Hajrizi, gjatë fjalës së tij, theksoi vlerën e raportit dhe rëndësinë që ai ka për zhvillimin e Kosovës, duke u fokusuar në përpjekjet për një të ardhme më të qëndrueshme. Ai theksoi se UBT është e përkushtuar në kontributin përmes kërkimeve shkencore, edukimit dhe projekteve inovative që mbështesin zhvillimin e një ekonomie të gjelbër.

“Raporti që kemi para nesh është një pasqyrë e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, dhe një tregues i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme. UBT është e përkushtuar në kontributin e saj përmes kërkimeve shkencore, edukimit dhe projekteve inovative, të cilat mbështesin zhvillimin e një ekonomie të gjelbër. Përmes implementimit të teknologjive të avancuara dhe strategjive të qëndrueshme, si në modelin e Net 0 Energy të UBT-së, synojmë të krijojmë një shembull konkret për arritjen e objektivave të energjisë së pastër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Prof. Hajrizi theksoi se UBT ka implementuar teknologji të avancuara dhe strategji të qëndrueshme që mbështesin angazhimin e universitetit për një të ardhme më të gjelbër dhe për një Kosovë më të qëndrueshme./UBTNews/

Continue Reading

Të kërkuara