Lajmet

Liderët e BE-së zotohen për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

Kështu u tha në samitin dyditor të liderëve të BE-së.

Published

on

Samiti dyditor i liderëve të Bashkimit Evropian u dominua nga bisedimet për luftën në Ukrainë dhe forcimin e mbrojtjeve. Samiti përfundoi mesnatën e 29-30 qershorit me një deklaratë të përbashkët të liderëve të cilët përsëritën zotimet “për të ofruar mbështetje të qëndrueshme ushtarake për Ukrainën, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Liderët e bllokut prej 27 shtetesh po ashtu thanë se “jemi të gatshëm të kontribuojmë, së bashku me partnerët, për zotimet e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, që do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten në periudhë afatgjatë, të pengojë aktet e agresionit dhe t’iu rezistojë përpjekjeve destabilizuese”.

Shumica e anëtarëve të BE-së janë po ashtu anëtarë të NATO-s dhe aleanca transatlantike pritet të kërkojë mënyra për t’i ofruar Ukrainës garanci shtesë të sigurisë, por nuk pritet t’i ofrojë Kievit anëtarësim të plotë në aleancë gjatë samitit të NATO-s më 11 dhe 12 korrik.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua samitit të BE-së dhe vuri në pah dobësitë e perceptuara të udhëheqjes në Rusi që u shfaqën gjatë rebelimit të 24 qershorit të liderit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe mijëra mercenarëve të tij.

“Rebelimi që pamë gjatë fundjavës demonstron se ka çarje dhe ndarje brenda sistemit rus”, tha Stoltenberg. “Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se këto janë çështje të brendshme të Rusisë”.

Duke folur përmes video-lidhjes gjatë samitit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rebelimi i dështuar nga grupi mercenar Wagner, tregon “dobësitë” e shtetit, duke shtuar se kjo do t’i ndihmojë Kievit në luftën e tij kundër pushtimit brutal të Moskës që ka nisur 15 muaj më parë.

“Ne po shohim dobësitë e tyre, për të cilat ne kishim shumë nevojë që t’i shihnim”, tha ai.

“Sa më e dobët të jetë Rusia, dhe sa më shumë që shefat e saj të kenë frikë nga rebelimet dhe kryengritjet, më shumë do të kenë frikë që të na irritojnë. Dobësitë e Rusisë do të bëjnë situatën më të sigurt për të tjerët”, shtoi ai.

Komentet e Zelenskyt vijnë në kohën kur Kievi ka deklaruar se ka bërë përparime në luftimet “e ashpra” në lindje, por po ashtu edhe në kohën kur sulmet ajrore ruse po vazhdojnë të marrin jetën e civilëve në Ukrainë.

Zelensky vazhdimisht ka kërkuar ndihmë shtesë ushtarake, veçanërisht të avionëve të avancuar luftarakë, por edhe anëtarësimin e shtetit të tij në NATO.

Para samitit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, u tha gazetarëve se “është e rëndësishme që ne të konsultohemi dhe të themi se jemi të gatshëm të qëndrojmë për një periudhë të gjatë me ndihmë humanitare dhe financiare që janë të nevojshme për Ukrainën, por edhe me armatime”.

Duke iu referuar rebelimit të Wagner-it, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi se një “[presidenti rus, Vladimir] Putin i dobët paraqet një rrezik të madh”, duke shtuar se “tani ne duhet ta shikojmë Rusinë si rrezik për shkak të paqëndrueshmërisë së brendshme”.

Qëkur ka nisur kundërofensivën gjatë qershorit, Ukraina ka thënë se ka rimarrë kontrollin e disa fshatrave në juglindje të shtetit. Këto pretendime të Kievit nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Lajmet

Në UBT nis IFSGC 2026, kongresi ndërkombëtar për ushqimin, shëndetin dhe gastronominë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së ka nisur sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, një nga aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare akademike që po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur në UBT profesorë, studiues, ekspertë të industrisë dhe studentë nga Kosova, Turqia dhe vende të ndryshme të botës.

Kongresi, i cili do të mbahet nga 7 deri më 9 shtator 2026, organizohet nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, duke trajtuar zhvillimet më të reja shkencore dhe teknologjike në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, si dhe ndërlidhjen e tyre me inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital.

UBT është institucioni nikoqir dhe bashkëorganizatori kryesor i IFSGC 2026, në bashkëpunim me Istanbul Nişantaşı University dhe Ondokuz Mayıs University, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën dhe UBT-në në hartën e aktiviteteve akademike me karakter ndërkombëtar.

Në ceremoninë e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkimit të disiplinave shkencore dhe të krijimit të modeleve të reja që lidhin kërkimin me zgjidhjet konkrete për shoqërinë.

Duke folur për zhvillimet e kohës dhe rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore, Rektori Hajrizi tha se bota po hyn në një epokë të re të konvergjencës shkencore, ku disiplinat po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat globale.

“Sot po jetojmë një revolucion të konvergjencës, një epokë ku disiplinat që dikur zhvilloheshin të ndara, tashmë po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat më të mëdha të shoqërisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi veçoi modelin e UBT Smart City, duke e cilësuar atë si një mjedis real ku teknologjia, arsimi, shëndetësia, energjia, infrastruktura, inovacioni dhe jeta e përditshme mund të studiohen dhe të zhvillohen në mënyrë të integruar.

“UBT Smart City funksionon si një Living Lab, një mjedis real në të cilin sisteme të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të ndërveprojnë dhe të studiohen së bashku. Kjo më sjell te një koncept që është thelbësisht i rëndësishëm për këtë Kongres: integrimi i sistemit të ushqimit dhe gastronomisë përmes modelit UBT 5S. Në perspektivën e modelit 5S, ushqimi dhe gastronomia, shëndeti dhe gastronomia nuk mund të kuptohen si sektorë të izoluar, por si një ekosistem i integruar, që ndërlidh arsimin, bujqësinë, mjedisin, kërkimin shkencor, laboratorët, teknologjinë, prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, nutricionin, shëndetin, gastronominë, turizmin, kulturën, industrinë”, tha Rektori Hajrizi.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Prof. Dr. Ece Salihoğlu, Zëvendësrektore e Istanbul Nişantaşı University, e cila vlerësoi pjesëmarrjen ndërkombëtare në kongres dhe bashkëpunimin akademik me UBT-në.

Prof. Dr. Salihoğlu u ndal edhe te rëndësia e shkencave të ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, duke theksuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e njeriut. Sipas saj, ushqimi nuk duhet të shihet vetëm si një nevojë ushqyese, por si një faktor që lidhet ngushtë me shëndetin, kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe shprehu besimin se partneritetet e krijuara do të shndërrohen në projekte konkrete kërkimore.

“Bashkëpunimi ndërmjet Istanbul University, Istanbul Commerce University dhe UBT-së nuk do të kufizohet vetëm në Kongresin e sotëm. Përkundrazi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që, në një periudhë shumë të shkurtër, ky bashkëpunim të shndërrohet në kërkime të përbashkëta dhe studime shkencore konkrete”.

Ceremonia e hapjes së IFSGC 2026 mblodhi në UBT përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, drejtues universitarë, përfaqësues diplomatikë, profesorë, studiues, profesionistë dhe studentë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Veysel Erden, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili përshëndeti organizimin e kongresit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Fikrim Damka, Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla ndërkombëtare dhe rolin e universiteteve në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e “Çmimit të Nderit Akademik” për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në krijimin e mundësive për akademikët dhe profesionistët e diplomuar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre, si dhe për forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pas ceremonisë së hapjes, programi shkencor i kongresit vazhdoi me ligjërata dhe prezantime nga profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë.

Ndër folësit kryesorë të IFSGC 2026 janë Prof. Dr. H.P. Vasantha Rupasinghe nga Dalhousie University, Prof. Dr. Charis M. Galanakis nga Taif University dhe Prof. Dr. Muhammad Hamid Zaman nga Boston University.

Gjatë tri ditëve të kongresit, pjesëmarrësit do të prezantojnë kërkimet dhe punimet e tyre shkencore, ndërsa diskutimet do të fokusohen në tema që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, teknologjitë ushqimore, nutricionin, shëndetin, gastronominë, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Vendi

Mblidhet PDK-ja

Published

on

Grupi Parlamentar dhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është duke mbajtur mbledhjen për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti politik.

Kjo mbledhje ka nisur rreth orës 15:00, raporton KP.

Ndërkohë, për të mërkurën, Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës konstitutive, ka thirrur vazhdimin e seancën konstituive, ku pritet zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet në orën 11:00, më 9 shtator.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot vendosi të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu tha shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së sotme./A.K/

Continue Reading

Botë

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Poterq të Klinës: Burri i vë flakën krevatit të motrës dhe sulmon nënën, motra humb jetën

Published

on

Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara