Me sukses nuk nënkuptojmë qëndrimin mbi një grumbull parash, por atë kënaqësi se kemi arritur një qëllim, një ëndërr, të vogël apo të madhe, pak rëndësi ka…
Pas arritjes së një objektivi janë edhe ato rituale, zakone të përditshme, që njerëzit e suksesshëm kanë për të rritur produktivitetin e përditshëm. Të gjithë mund t’i “vjedhin” këto procese, zakone të thjeshta që sipërmarrësit, muzikantët e suksesshëm apo CEO bëjnë për të qëndruar të informuar, për t’u stresuar sa më pak dhe për t’u organizuar më së miri në një ditë pune.
1. Përdorni axhendë si Elon Musk
Imagjinoni se sa e ngarkuar mund të jetë dita e CEO-s së Tesla, SpaceX dhe The Boring Company, i cili dëshiron ta çojë njeriun në Mars dhe të krijojë një lidhje midis trurit të njeriut dhe makinerive. Në ndryshim nga të gjithë ne që e ndajmë ditën në orë, Elon Musk e organizon atë në hapësira të vogla prej 5 minutash. Çdo ditë është e organizuar në mënyrë të ngurtë sipas një strukture të ndarë në këto njësi të vogla, për të rritur efikasitetin e përdorimit të çdo minute që kalon.
Për shumë njerëz super-produktivë, edhe koha që shpenzojnë në familje apo ndërsa flenë është e organizuar. Natyrisht ka gjithnjë kohë për të rivlerësuar çdo gjë: “Mendoni gjithnjë se si t’i bëni më së miri gjërat dhe kërkoni më shumë nga vetja” – ka thënë Musk në vitin 2012. Kjo nuk është e përshtatshme për të gjithë, por e dobishme për të kuptuar se si të rritet efikasiteti i përdorimit të kohës”.
2. Mbani shënim progresin si Ernest Hemingway
Kuptoni se cilat janë përparësitë dhe mbani shënim progresin që bëni – kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Për Enerst Hemingway, prioritet ishte të shkruarit, kështu që do ditë shënonte se sa fjalë apo faqe kishte shkruar. Nuk krijonte iluzione por e dinte me saktësi se çfarë kishte arritur atë ditë – Sapo arrinte qëllimin e përditshëm shkëputej plotësisht prej tij deri ditën tjetër.
3. Përdoreni email-in si Ariana Huffington
Nëse mendoni se merrni shumë email-e gjatë ditës, imagjinoni pak postën e Arianna Huffington, themeluese e Huffingtonn Post e Thrive Global e shumë të tjera. Ajo përdor tre rregulla të thjeshta që të mund të organizojë postën e vet, duke u përpjekur në të njëjtën kohë, të ketë dhe një jetë të sajën. Që të flejë sa më mirë, ajo nuk e kontrollon postën elektronike të paktën 30 minuta para gjumit.
Në mëngjes, që të ketë sa më pak shpërqendrime, nuk e kontrollon email-in asnjëherë sapo zgjohet. Në kohën që kalon me fëmijët, e shmang kontrollimin e postës elektronike. Arianna Huffington i merr kaq seriozisht shpërqendrimet nga emaili sa në të kaluarën krijoi një instrument për të gjithë punonjësit e saj në pushime.
4. Bëni ushtrime si Richard Branson
Mjaftojnë 30 minuta ushtrime në ditë. Jo tre orë, as një, por 30 minuta në ditë mjaftojnë. Këtë gjë bëjnë edhe Mark Zuckerberg, Jack Dorsey dhe natyrisht Richard Branson. Në blog-un e Virgin ai ka shkruar: “Dyshoj me të vërtetë nëse do të kisha pasur sukses në karrierën time dhe lumturi në jetën personale nëse nuk do t’i kisha dhënë gjithnjë rëndësi shëndetit”. Sipërmarrësi miliarder e nis çdo ditë me disa ushtrime.
5. Lexoni si Bill Gates
Ish-Ceo i Microsoft lexon 50 libra në vit, pra po flasim rreth një libër në javë. Sigurisht, ai ka gjithë kohën e botës, por e sigurt është se ai nuk lexon për t’u argëtuar por për të mësuar. Ky është çelësi për të lexuar më shumë. Të njëjtën gjë bën edhe Mark Cuban, autor, filantrop dhe investitor: Nuk është vetëm çështja e leximit, kjo mund t’ju “sjellë avantazhe në dijet tuaja” .
Sigurisht jo të gjithë mund të lexojnë një libër në javë – 30 minuta në darkë, para se të flini, do të ishte shumë mirë.
6. Vishuni si Mark Zuckerberg (ose thuajse)
Kjo këshillë nuk është e përshtatshme për të gjitha situatat apo llojet e punëve. Themeluesi i Facebook vesh të njëjtën t-shirt dhe xhinse çdo ditë. Natyrisht, jo të njëjtat xhinse dhe bluzë, por thjesht të njëjtin tip. Kështu zvogëlon numrin e vendimeve që merr çdo ditë, për shembull se çfarë të veshë dhe i jep mendjes, hapësirën e nevojshme për vendime më të rëndësishme.
7. Shkëputuni nga teknologjia, si Ed Sheeran
Teknologjia tani zotëron kohën tonë: shkëputja prej saj, edhe për një periudhë të caktuar, mund të sjellë efekte pozitive. Kështu vepron jo vetëm Ed Sheeran po edhe shumë personazhe të famshme. Jo të gjithë e kanë këtë luks, por edhe një fundjavë mund të reduktonte stresin që shkakton ekrani.
Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.
Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.
“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.
Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.
Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/
Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.
Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.
Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.
Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.
Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.
Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.
Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.
Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.
Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.
Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.
Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.
Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.
“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/