Lajmet

Lëngu i karotave i rëndësishëm për shëndetin

Cilat janë përfitimet shëndetësore?

Published

on

Karotat janë të mbushura me karotenoide dhe studimet kanë vërtetuar se konsumimi i tyre zvogëlon intensitetin e djegies nga diellit.

Mirëpo përveç se ndihmon verës të jemi më të shëndetshëm dhe të mbrojtur nga dielli, karota sjell organizmit edhe përfitime tjera shëndetësore.

Lexoni cilat janë ato:

Përmirëson oreksin – Nëse konsumoni një gotë me lëng karote përpara çdo vakti, do të rrisni shanset e sekretimit të lëngjeve tretëse dhe do të rrisni oreksin.

Përmirëson shikimin – Lëngu i karotës përmirëson shikimin falë përmbajtjes së beta karotenit dhe luteinës të cilat mbrojnë sytë. Mëlçia e transformon beta karotenin në vitaminë A dhe më pas e transporton atë direkt e në retinë. Vitamina A më pas transformohet në rodopsinë, një përbërës i nevojshëm për një shikim të shëndetshëm sidomos në errësirë.

Ul kolesterolin – Lëngu i karotës përmban kalium, i cili ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit. Kaliumi së bashku me manganin dhe magnezin ndihmon në ekuilibrin e nivelit të sheqernave në gjak, rrjedhimisht duke parandaluar diabetin.

Bën mirë për shtatzëninë – Konsumi i lëngut të karotës gjatë shtatzënisë ndihmon nënën dhe foshnjën të përthithin të gjithë ushqyesit e nevojshëm. Lëngu i karotës gjatë shtatzënisë dhe më tej përmirëson cilësinë e qumështit të gjirit sepse është i mbushur me vitaminë A. Nëse e pini këtë lëng gjatë tre muajve të fundit të shtatzënisë, atëherë gjasat që foshnja të preket nga infeksione të rrezikshme, ulen ndjeshëm.

Forcon imunitetin – Nëse pini një gotë me lëng karote çdo ditë, sistemi juaj imunitar do ju falënderojë. Lëngu i karotës është i mirë për të mbrojtur organizmin nga bakteret e dëmshme, virozat dhe inflamacioni.

Shëndeti i zemrës – Karotat janë të mbushur me antioksidantë dhe fibër dietike, ndaj e mban zemrën të shëndetshme, duke mbrojtur arteriet dhe përmirësuar qarkullimin e gjakut.

Përmirëson shëndetin e mushkërive – Lëngu i karotës është i shkëlqyer për shëndetin e mushkërive, sepse parandalon sëmundjet respiratore të shkaktuara nga infeksionet dhe lufton ndikimin negativ të duhanpirjes.

Lufton plakjen e parakohshme – Beta karotenoidët ulin degjenerimin e qelizave dhe ngadalësojnë procesin e plakjes. Ato rrisin sasinë e kolagjenit në lëkurë, duke i dhënë asaj elasticitetin e duhur dhe duke zbutur të gjitha shenjat e moshës siç janë rrudhat. Kaliumi ndihmon në zbutjen dhe ushqimin e lëkurës, duke larguar njollat apo shenjat e saj. Ky lëng ndihmon me hidratimin e lëkurës dhe e mban atë të ushqyer dhe të butë.

Ju ndihmon të flini më mirë – Lëngu i karotës inkurajon formimin e melatoninës në organizëm, rrjedhimisht ju ndihmon të rregulloni gjumin dhe të flini më mirë.

Pastron mëlçinë – Avantazhet shëndetësore të lëngut të karotës kanë sasi të mëdha të vitaminës A, e cila eliminon yndyrën e tepërt nga mëlçia. Për të përfituar nga këto avantazhe ju duhet të konsumoni lëng karote rregullisht.

Kundër anemisë – Përmbajtja e hekurit në lëngun e karotës forcon prodhimin e hemoglobinës dhe rimëkëmb organizmin nga ndikimi i anemisë.

Rrit metabolizmin – Lëngu i karotës përmban shumë nga kompleksi i vitaminave B të cilat janë të dobishme në shpërbërjen e glukozës, yndyrës dhe proteinave. Rrjedhimisht, lëngu i karotës i bën mirë muskujve, rrit metabolizmin dhe ndihmon në rënien në peshë.

Si të përgatisni lëngun e karotës?

E vetmja gjë që ju nevojitet është një shtrydhëse frutash dhe karota të freskëta, të cilat duhet t’i lani mirë dhe t’i qëroni lehtë pa i zhveshur ato nga ushqyesit që gjenden nën shtresën e jashtme.

Sasia e rekomanduar e lëngut të karrotës Rregulli i parë është që të pini lëngun e karrotës bashkë me një lugë me vaj ulliri.

Yndyra inkurajon përthithjen e karotenit nga mëlçia. Lëngu i karotës në sasi të vogla nuk ka asnjë ndikim, ndërsa në sasi të mëdha mund të shkaktojë një barrë të rëndë në mëlçi dhe pankreas. Lëngun e freskët të karotës duhet ta pini jo më larg se një orë nga përgatitja, sepse vitaminat siç është beta karoteni nisin të shpërbëhen dhe humbasin vlerën e tyre.

Pini lëngun e karotës 30 minuta përpara çdo vakti, madje edhe në mëngjes me stomakun bosh. Lëngu i karotës është i përshtatshëm edhe për fëmijët. Pasi kanë mbushur gjashtë muaj, mjafton ta holloni atë me ujë në sasinë 1-1.

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Jokanoviq merr drejtimin e Baselit, flet për Shaqirin: “Është klubi i tij më shumë se i imi”

Published

on

By

Drejtuesit e klubit zviceran Basel kanë emëruar serbin Slavisha Jokanoviq në postin e trajnerit të ri të skuadrës.

Jokanoviq ka nisur punën zyrtarisht këtë të martë, ndërsa gjatë konferencës për shtyp nuk i ka shpëtuar pyetjeve lidhur me yllin dhe kapitenin e skuadrës, Xherdan Shaqiri.

Sipas trajnerit të ri, bashkëpunimi dhe respekti dypalësh do të jenë kyç për ecurinë e klubit.

“Ai është një person i jashtëzakonshëm. E respektoj dhe shpresoj në një raport shumë të mirë. Shaqiri duhet ta shtyjë veten që të mbetet një lojtar i rëndësishëm këtu. Momentalisht, ky është klubi i tij më shumë se i imi”, është shprehur Jokanoviq.

Continue Reading

Lajmet

Miratohet buxheti prej mbi 161 milionë eurosh i Prishtinës për vitin 2027, VV voton kundër

Published

on

By

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e mbi 161 milionë eurove.

Pas votimit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë miratim si një hap vendimtar që i mundëson kryeqytetit të vazhdojë planifikimin dhe realizimin e projekteve e shërbimeve për qytetarët.

“Urime, Prishtinë! Buxheti për vitin 2027 u votua. Mbi 161 milionë euro për qytetarët e Kryeqytetit: për shkollat, shërbimet publike dhe investimet që e çojnë Prishtinën përpara”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka falënderuar asamblistët që mbështetën projektbuxhetin, ndërsa bëri të ditur se asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër.

Rama theksoi se pas këtij vendimi, fokusi i plotë i nivelit komunal do të jetë në zbatimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e shërbimeve si në lagjet urbane, ashtu edhe në fshatrat e kryeqytetit.

Continue Reading

Të kërkuara