Lajmet

Lehtësohet mundësia për suspendimin e liberalizimit të vizave në BE

Published

on

Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshimet në rregulloren për suspendimin e liberalizimit të vizave për shtetasit e vendeve të treta, duke e bërë më të lehtë mundësinë për suspendimin e liberalizimit të vizave.

Sipas rregullave të deritashme, për vendet të cilat gëzojnë liberalizimin e vizave për Bashkimin Evropian, ka qenë e mundur të suspendohet mundësia e lëvizjes pa viza vetëm në rastet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe çështjet e imigrimit masiv ilegal. Prandaj vetëm në një rast në histori ka ndodhur që BE të suspendojë liberalizimin e vizave – në rastin e Vanuatus. Ka pasur përpjekje në një moment që të suspendohet liberalizimi i vizave edhe për Shqipërinë, por kjo nuk ka kaluar as në Komisionin Evropian e as në Këshill.

Tash, sipas rregullave të reja të cilat janë miratuar të martën në Parlamentin Evropian, është bërë më e lehtë që të suspendohet liberalizimi i vizave.

Sipas rregullave të reja, BE-ja do ta ketë më të lehtë të heqë mundësinë e udhëtimit pa viza për shtetasit e vendeve të cilat nuk do të respektojnë të drejtat e njeriut, nuk do të përshtaten me politikën e vizave dhe nga të cilat do të ketë keqpërdorim të mundësisë për udhëtim pa viza.

Lëvizja pa viza do të mund të suspendohet më lehtë edhe për përfaqësues të qeverive të vendeve të cilët do të konsiderohen si pjesëmarrës në shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljen e ligjeve ndërkombëtare apo edhe të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Burimet diplomatike në Bruksel pohojnë se për momentin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të kenë frikë nga suspendimi i liberalizimit të vizave. Por në të njëjtën kohë, u bëjnë thirrje autoriteteve dhe qytetarëve të këtyre vendeve që në të ardhmen të kenë kujdes, sepse keqpërdorimi në përmasa të mëdha i lirisë së lëvizjes mund të sjellë edhe deri te suspendimi i liberalizimit.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në veçanti kërkohet që të përshtatin politikën e vizave me atë të BE-së, në mënyrë që të mos bëhen vende transit për imigrim ilegal në vendet e BE-së. Serbia në të kaluarën, por edhe Bosnja e Hercegovina, janë përmendur si vende përmes së cilave disa emigrantë kanë ardhur pa viza si “turistë”, e pastaj kanë kaluar në territor të BE-së, ku kanë kërkuar azil. Pas vërejtjeve nga BE, këto vende i kanë rivendosur vizat për disa shtete dhe kjo ka çuar deri te ulja e imigrimit ilegal në BE përmes asaj që njihej si “Ruta e Ballkanit Perëndimor”. Serbia ua kishte hequr vizat disa shteteve si shpërblim për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës apo tërheqjen e njohjes. Kjo praktikë ishte konsideruar nga disa vende të BE-së si keqpërdorim.

Po ashtu, nga vendet që kanë liberalizim të vizave me BE-në kërkohet që të mos kenë skema të “pasaportave të arta”, përmes së cilave u japin shtetësi njerëzve që mund të paguajnë shuma të mëdha. Pastaj të njëjtit mund të lëvizin në BE me pasaporta të këtyre vendeve. Kjo është trajtuar si “rrezik potencial për sigurinë e BE-së”. Nga këto vende pritet që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në pranimin e shtetasve që kanë qëndruar ilegalisht në BE apo të atyre që kanë kryer vepra penale. Ky është edhe një detyrim i cili ka dalë nga procesi i liberalizimit të vizave. Deri më tash BE-ja është “kryesisht e kënaqur” me sjelljen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dhe së fundi, për vendet e rajonit, sidomos për Kosovën dhe Shqipërinë, tërhiqet vërejtja që të mos ketë raste të tepërta të tejkalimit të kohës së lejuar për qëndrim pa viza në ndonjë vend të BE-së, për të punuar ilegalisht, apo numër të madh të kërkesave të pabazuara për azil.

Vendi i parë i cili mund të pësojë nga rregullat e reja është Gjeorgjia, ku qeveria, sipas BE-së, shkel të drejtat e njeriut dhe është afruar me Rusinë.

Rregullat e reja për suspendimin e liberalizimit të vizave do të hyjnë në fuqi në muajin dhjetor./D.B/EO

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor i KEK-ut në Termocentralin “Kosova B”

Published

on

By

Vdes një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) sot, në një incident të rëndë në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq. Punëtori 55 vjeç, u përfshi nga një mjet transportues kamion dhe pësimi i lëndimeve të rënda rezultoi fatal.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e të ndjerit.

KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet po e trajtojnë rastin në përputhje me procedurat ligjore.

Ky informacion është bërë i ditur nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca bisedon me shefin e misionit të Luksemburgut për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi dje Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Në takim, Dietz e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Diskutimet u fokusuan tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale, koordinimi për procesin e integrimit evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Konjuca është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Luksemburgun.

Continue Reading

Të kërkuara