Lajmet

LDK-ja mblidhet për t’iu përgjigjur Kurtit

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të mblidhet sot me nënkryetarët e partisë për t’u përgjigjur ftesës së Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ftesa është bërë me qëllim të konsultimeve për formimin e institucioneve, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. LDK-ja është e vetmja parti e ftuar zyrtarisht nga LVV për të biseduar mbi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Në letrën e dërguar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa mundësi takimesh, duke propozuar datat 9 prill (ora 15:00) dhe 10 prill (ora 9:00 ose 14:00). LDK-ja ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për këtë ftesë, megjithatë, disa zyrtarë të partisë kanë shprehur kritika ndaj Kurtit dhe ftesës së tij. Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka akuzuar Kurtin se ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare gjatë mandatit të tij të katër vjetëve.

Kritikat nga LDK-ja ndaj Kurtit janë të vazhdueshme, pasi një pjesë e anëtarëve të partisë e shohin Kurtin si një lider që ka qeverisur me arrogancë dhe ka shmangur një bashkëpunim të sinqertë me opozitën. Ndërkohë, Kurti ka vazhduar të kërkojë mbështetje për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke u përpjekur të sigurojë 61 deputetë, aq sa nevojiten për të formuar shumicën e nevojshme në Kuvend.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV ka siguruar 48 ulëse, ndërsa LDK-ja ka marrë 20 ulëse. Pavarësisht se LVV-ja është forca e parë politike, do t’i duhet mbështetje nga partnerët e tjerë për të arritur shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve./UBTNews/

 

Continue Reading

Lajmet

Betohen 12 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gradohen nëntogerë

Published

on

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit dhe betimit të 12 kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare pranë Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ceremonia nisi me raportimin zyrtar para udhëheqësve shtetërorë dhe komandës së FSK-së, ndërsa kulmoi me betimin solemn të gjeneratës 2026. Pas betimit, kadetët u graduan me gradën nëntoger, duke u bërë udhëheqësit më të rinj të FSK-së.

Ky diplomim u vlerësua si një moment i rëndësishëm për zhvillimin profesional të FSK-së dhe forcimin e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet moderne ushtarake./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mjet i pashpërthyer gjendet në Bjeshkët e Junikut, intervenon FSK dhe KFOR

Published

on

Një mjet i dyshuar i pashpërthyer është gjetur të enjten në Bjeshkët e Junikut, kanë bërë të ditur autoritetet.

Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 2 korrik 2026, rreth orës 14:00, pasi në një zonë pyjore është hasur një mjet i dyshuar shpërthyes.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin për të shmangur rrezikun për qytetarët.

Më pas, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat e KFOR-it, të cilët kanë bërë largimin e mjetit pa incidente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës ndalon 23,500 euro të padeklaruara në Merdarë

Published

on

Dogana e Kosovës ka zbuluar 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe më pas ishte dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare.

Gjatë kontrollit janë gjetur 10 mijë euro në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro të tjera ishin të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit, duke e çuar shumën totale në 23,500 euro të padeklaruara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se personi kishte dokumente që dëshmojnë prejardhjen e ligjshme të mjeteve monetare, përfshirë kontratë noteriale për shitblerje prone dhe dëshmi të tërheqjes bankare.

Rasti i është referuar Hetimeve Doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa në bazë të ligjit është mbajtur 25 për qind e shumës së padeklaruar, kurse pjesa tjetër i është kthyer poseduesit.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga vendi me 10 mijë euro e më shumë është i obliguar t’i deklarojë ato, në të kundërtën përbën kundërvajtje dhe mund të sjellë masa ligjore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Turqia ndalon ankorimin e anijes turistike LGBTQ+ me mbi 1,000 pasagjerë amerikanë

Published

on

Autoritetet turke kanë ndaluar ankorimin në portet e vendit të një anijeje turistike që u shërben udhëtarëve amerikanë LGBTQ+, duke përmendur “standardet morale” dhe “vlerat familjare”, sipas drejtuesit ekzekutiv të kompanisë organizatore Atlantis Events.

Anija turistike “Athinë–Venecia”, e cila ishte planifikuar të nisej nga Greqia më 5 korrik dhe të ndalonte në qytetin portual Kuşadasi, si dhe më pas në Stamboll, nuk është lejuar të ankorohet në Turqi. Anija, e quajtur “Scarlet Lady” dhe në pronësi të Virgin Voyages, pritej të transportonte mbi 1,000 pasagjerë nga SHBA.

Sipas kompanisë organizatore, autoritetet lokale në Turqi e kanë anuluar ndalimin e planifikuar, duke e arsyetuar vendimin me pretendime se aktiviteti i organizuar nga grupi është “i papajtueshëm me strukturën shoqërore dhe vlerat morale”.

Pas këtij vendimi, itinerari i lundrimit është ndryshuar dhe pritet të përfshijë ndalesa në Kajro të Egjiptit dhe në ishullin grek të Kretës, në vend të Turqisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara