Lajmet

LDK: Drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të vlejë për të gjithë

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një komunikate lidhur me qëndrimin e saj ndaj Rezolutës së diskutuar në Kuvend, duke theksuar se institucionet e vendit kanë përgjegjësi historike dhe politike për të trajtuar drejtësinë në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Në komunikatë thuhet se partia konsideron se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të përgjegjshëm për çështjet e drejtësisë, duke shmangur qasjet selektive.

Sipas LDK-së, “Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive”.

LDK rithekson mbështetjen për parimin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm për çdo qytetar, në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare. Në komunikatë theksohet se ky parim përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit ligjor dhe orientimit euro-atlantik të vendit, duke nënvizuar se “LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës”.

Megjithatë, partia vlerëson se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të fragmentuar. Sipas saj, mungesa e përfshirjes së obligimit për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë ato politike, e ka bërë Rezolutën të paplotë.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Deputetët e LDK-së kishin kërkuar që Rezoluta të përfshinte qartë obligimin institucional për trajtimin e të gjitha rasteve të pazbardhura, duke e cilësuar këtë si detyrim moral dhe shtetëror. “Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thekson komunikata.

Sipas partisë, refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e ka lënë dokumentin me mangësi thelbësore, prandaj Grupi Parlamentar i saj nuk ka pranuar të mbështesë një qasje që e konsideron të njëanshme. Në këtë frymë, LDK thekson se qëndrimi i saj është parimor dhe aktiv: “LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë”.

Në përmbyllje, LDK shpreh zotimin se do të vazhdojë të angazhohet për drejtësi të barabartë dhe procese të drejta për të gjithë, duke kërkuar që institucionet të përballen me të vërtetën në tërësi dhe jo në mënyrë selektive.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, përfundon komunikata.

Kujtojmë, se LDK dje (12.02.2026) nuk ka votuar Rezolutën për Dhomat e Specializuar dhe Zyrën e Prokurorit Special.

Mirëpo, kjo rezolutë kaloi me mbështetjen e 90 deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Kryeministri Kurti pret ministrin e Jashtëm belg: Diskutohet bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi evropian

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit belg në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit, Kurti veçoi kontributin historik të Belgjikës në strehimin e refugjatëve gjatë luftës dhe angazhimin e tyre brenda forcave të KFOR-it.

Fokus i veçantë i takimit ishte thellimi i marrëdhënieve dypalëshe, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe krijimi i lehtësirave për investime, duke marrë parasysh edhe praninë e një mërgate të mirë-integruar në Belgjikë.

Kryeministri përmendi marrëveshjen e fundit për eliminimin e tatimit të dyfishtë, të nënshkruar në Washington DC, si një hap pozitiv që hap rrugën për marrëveshje të reja sektoriale në të ardhmen.

Sa i përket aspiratave ndërkombëtare, Kurti nënvizoi se Brukseli mbetet një qendër jetike për Kosovën, duke ritheksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik.

Ai kërkoi avancimin e procesit përmes marrjes së statusit të shtetit kandidat, ndërsa konfirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca: Dialogu në krizë – Pa burgosjen e terroristëve të Banjskës dhe njohjen e integritetit s’ka mirëbesim

Published

on

By

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë ndodhet në një pikë kritike dhe se pa drejtësi për sulmet terroriste e pa respektim të shtetësisë, nuk mund të ketë përparim. Gjatë një konference për media, ai theksoi se Serbia ka treguar sjellje destruktive që synon rrënimin e çdo arritjeje të deritanishme.

Sipas Konjufcës, parakushti kryesor për kthimin e mirëbesimit është ndëshkimi i personave që organizuan sulmin në Banjskë.

“Qysh kthehet një farë lloj atmosfere minimale e mirëbesimit? Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, duhet të përfundojnë në burg. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot”, tha ai.

Ai gjithashtu u ndal te përfshirja e drejtpërdrejtë e shtetit serb në destabilizimin e Kosovës, duke përmendur dëshmitë e fundit nga proceset gjyqësore për sulmet në kanalin e Ibër-Lepencit:

“Ata e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të ushtrisë që mbahen atje… Unë nuk e di çka ka nevojë më shumë për me tregu rolin destruktiv të Serbisë”, shprehet Konjufca.

Për fund, Konjufca e cilësoi letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, si një goditje të rëndë për integritetin territorial të vendit, duke e krahasuar atë me një akt armiqësor.

“Letra e zonjës Bërnabiq ishte katastrofike për mirëbesimin. Ju shkroi 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me njoh integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati si një shpallje lufte.”

Continue Reading

Vendi

MINT gjobit KEDS-in edhe me 30 mijë euro për njehsorë me afat të skaduar

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka gjobitur KEDS-in me 30,000 euro, pasi u identifikuan gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar verifikimi.

Gjatë kontrolleve në terren, Agjencia e Metrologjisë ka konstatuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në këta njehsorë.

Si rrjedhojë, MINT ka kërkuar zyrtarisht nga KESCO kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar.

Për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria, ndërsa komisionet po vazhdojnë inspektimet në të gjithë Kosovën për të identifikuar parregullsi të tjera.

Continue Reading

Lajmet

Tre të vdekur në Malishevë, në mesin e tyre dy fëmijë

Published

on

By

Një burrë dhe dy fëmijë kanë vdekur në lagjen “Mirdita”, në Malishevë, pas një zjarri në një banesë.

Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka thënë ai.

Sipas Elezajt, lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje./ Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara