Lajmet
Lansohet udhëzuesi për matjen e dënimit, konsiderohet hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale
Published
1 year agoon
By
UBTnewsGjykata Supreme ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit, i cili u konsiderua si hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale. Ky dokument u tha se do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Në lansimin e këtij udhëzuesi mori pjesë edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili deklaroi se raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se “sistemi i drejtësisë shpesh shqipton dënime të buta”.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se ky udhëzues shënon moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.
“Me lansimin e këtij udhëzuesi të Gjykatës Supreme shënojmë një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Ky dokument është rezultat i një pune të gjatë, reflekton edhe angazhimin tonë për të siguruar një drejtësi të konsoliduar dhe një praktikë unifikuese në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Udhëzuesi i përgjithshëm i politikës ndëshkimore i miratuar në vitin 2018 ka shërbyer si një pikë reference për gjyqtarët për trajtimin e rasteve penale. Megjithatë, zhvillimet e reja ligjore në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe problemet me zbatimin e ligjit në praktikë kanë nevojë për rishikimin dhe përmirësimin e tij me qëllim që të adresohen ndryshimet e bëra dhe harmonizimin në praktika brenda sistemit gjyqësor”, deklaroi ai.
Kreu i Supremes theksoi se udhëzuesi i ri ofron sqarime specifike për secilin kapitull të Kodit Penal. Në hartimin e tij, Fejzullahu tha se kontributi i Ambasadës Amerikane ka qenë thelbësor edhe në hartimin e udhëzuesit të përgjithshëm për matjen e dënimit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier teksa foli për rëndësinë e këtij udhëzuesi, theksoi se raportet ndërkombëtare e vendore tregojnë se në Kosovë po shqiptohen dëbime më të buta.
“Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Siç e dëgjuam, para gjashtë viteve Kosova ka miratuar udhëzuesin e parë për matjen e dënimeve dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës vazhdojnë që të jenë shembull për vendet e rajonit duke integruar një udhëzues i cili është i bazuar në qasje të bazuar në udhëzues në kornizën e punës së drejtësisë së tyre penale. Raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe jo proporcionale, duke theksuar nevojën urgjente që ky udhëzues të zbatohet plotësisht. Drejtësia është e drejtë vetëm kur është e drejtë”, u shpreh Hovenier.
E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj tha se udhëzuesi është një sistem rregullash i domosdoshëm për interpretimin unik të ligjit në Kosovë.
“Edhe raportet ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë, me theks të veçantë raporti i Komisionit Evropian për progresin në Republikën e Kosovës vë theksin tek nevoja e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe tek roli kyç që ka Gjykata Supreme në përpjekjen dhe unifikimin e praktikës gjyqësore dhe zbatimit unik të ligjit. Është krejtësisht e domosdoshme dhe sigurisht KGjK e mbështet nevojën që drejtësia të jetë e parashikueshme, ku të gjithë zbatojnë rregullat unike të interpretimit, vlerësimit, fakteve dhe njëkohësisht aplikimit të ligjeve për të ruajtur balancin e vlerave shoqërore. Kemi arritur në standardin apo nivelin kur në fakt ky sistem rregullash duhet të shndërrohet në sistem të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe njëkohësisht edhe të sistemit të performancës së gjykatave në vend“, theksoi Zogaj.
Në lansimin e udhëzuesit të përgjithshëm për matjen e dënimit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi theksoi se
“Miratimi i udhëzuesit për matjen e dënimit është një nga hapat më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe mund të bëjë një hap shumë të madh për harmonizimin e praktikave për matjen e dënimit. Në vitin e parë kur i miratua udhëzuesi për matjen e dënimit shumë nga ne ishim skeptik për fatin e këtij udhëzuesi. Është pikërisht ai udhëzues që ka ndryshuar thelbësisht perspektiven e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial për matjen e dënimeve. Në vitin e parë, për prokurorët matja e dënimit është konsideruar detyrë dhe obligim ekskluziv i gjyqësorit, tani edhe për ne është e qartë se udhëzuesi i kësaj natyre është një burim me vlerë të jashtëzakonshme edhe për punën e prokurorëve”, përfundoi ai.
Udhëzuesi i politikës ndëshkimore ka për qëllim të mbështesë gjykatat në krijimin e vendimeve që mbështeten në parimet themelore të shtetit të së drejtës. Po ashtu, rëndësia e këtij udhëzuesi është thelbësore për rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë penale.
Lajmet
Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje
Published
1 minute agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit.
Çështja ndaj Rozeta Hajdarit do të shkojë në gjykim pavarësisht prej përpjekjeve të saj që të hidhej poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në një aktvendim të nxjerrë të premten e javës së shkuar, më 13 mars, një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës e refuzoi kërkesën e ish-ministres për hedhje të aktakuzës.
Ky trup gjykues i vlerësoi si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Paparaci e ka siguruar ekskluzivisht vendimin që lë në fuqi aktakuzën për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj ish-ministres së Tregtisë në Qeverinë Kurti II, transmeton Ekonomia Online.
Sipas atkvendimit, aktakuza ka prova të mjaftueshme, nuk ka shkelje procedurale dhe është e bazuar ligjërisht.
Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një afere që i ka shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit.
Në të njëjtin rast, bashkë me Hajdarin akuzohen edhe tre të tjerë: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Paparaci ka provuar të kontaktojë me Nazim Mehmetin, avokatin e njërit prej të të pandehurve, por ai ka qenë i paarritshëm përmes telefonit të martën.
Lajmet
REL: SHBA mirëpret marrëveshjen për Ligjin për të huajt, përmend nevojën e konsultimit me komunitetin serb
Published
48 minutes agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe ka theksuar që çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.
“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, që ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.
Vendimi është bërë publik pas një takimi të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht.
Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.
Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.
Kryeministri Kurti ka thënë se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.
Këto lehtësira janë mirëpritur nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia. /REL/
Lajmet
Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Published
2 hours agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të martë me 79 vota shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit.
Gjatë votimit pati një abstenim të cilin e votoi Redi Muçi. Nuk pati asnjë votë kundër ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë pas vendimit për bojkot.
Votimi:
79 vota pro
1 abstenim- Redi Muçi
0 kundër
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancë u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik.
Ai theksoi se Shqipëria mbetet një shtet i lëkundur në këtë luftë dhe anën e shtetit të së drejtës. Balla rikujtoi edhe sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke e cilësuar akt armiqësor. Ndër të tjera, Balla theksoi se synojnë të dënojnë çdo formë të mbështetjes së agresionit.
Ai gjithashtu u kërkoi kolegëve të votojnë që ta shpallin Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste. Pas votimit seanca plenare përfundoi. /Euronews/
Lajmet
Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit
Published
2 hours agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.
“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.
Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje
Çfarë paralajmërojnë dy javët e para të luftës kundër Iranit për të ardhmen?
REL: SHBA mirëpret marrëveshjen për Ligjin për të huajt, përmend nevojën e konsultimit me komunitetin serb
Shtetet e Gjirit kërkojnë nga Trump neutralizimin e Iranit
Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit
Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit
Bagdad: Sulm intensiv me dronë ndaj Ambasadës së SHBA-së
DITARI: 17 mars 1999 – “Tre vëllezër të vrarë afër Istogut”
Pakistani mohon sulmin në Kabull, Talibanët raportojnë mbi 400 të vrarë
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
