Lajmet

Lansohet sistemi digjital i inspektimeve të punës në Kosovë

Published

on

Inspektorati Qendror i Punës ka lansuar sistemin digjital të inspektimeve të punës në Kosovë, duke përfshirë dorëzimin e pajisjeve dhe trajnimin praktik për inspektorët mbi përdorimin e këtij sistemi.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikimin e këtij projekti në përmirësimin e kushteve të punës.

“Është kënaqësi të jem këtu duke lavdëruar për ndikimin e tyre të qëndrueshëm. Dhe siç i përmenda standardet, sepse Kosova po i afrohet anëtarësimit në BE, po ashtu e keni avancuar punën e inspektimit të punës. Pra, këtu është një shembull më i qartë se si bashkëpunimi ndërkombëtar ndikon. Po ashtu dua të lavdëroj për lansimin dixhital të inspektimeve, këto e dëshmojnë një profesionalizëm dhe një punë efektive. Masa të tilla mund të rrisin mbikëqyrjen dhe t’i mbrojnë punëtorët. Kjo iniciativë është e Kosovës për të nxitur efikasitetin dhe punën. Siç e dini, këtë vit kemi pasur një numër të fataliteteve të personave në vendin e punës, prandaj kemi nevojë që të vazhdojmë të përmirësojmë punën tuaj. Shembulli suedez tregon se kombinimi i formave dhe shfrytëzimi i mjeteve digjitale rritin standardet e vendit të punës dhe jemi mirënjohës që kemi një bashkëpunim kaq të mirë,” tha ambasadori Westerlund.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm, Lum Vranica, tha se sistemi i ri është një hap drejt modernizimit dhe transparencës.

“Ky është një hap i madh drejt modernizimit dhe efikasitetit se si ligji funksionon në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Në kuadër të kësaj reforme të gjithanshme, qëllimi është i qartë, më shumë transparencë dhe efikasitet për qytetarët dhe më pak burokraci. Ky është vetëm fillimi i një transformimi të thellë. Dua të falënderoj inspektorët për punën dhe angazhimin e tyre, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Bashkë po ndërtojmë një sistem inspektimesh që i shërben qytetarëve tanë,” tha Vranica.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit të Punës, Rizal Plakolli, vlerësoi se ky sistem ësht më shumë se një risi teknologjike.

“Me lansimin po shënojmë një moment të rëndësishëm. Ky sistem përfaqëson më shumë se një risi të teknologjisë, ky është një hap drejt modernizimit të inspektimit të punës. Falë këtij sistemi do të krijohet një proces më efikas dhe i lidhur ngushtë me institucionet tjera. Një element i rëndësishëm është se ky sistem është i lidhur me Administratën Tatimore të Kosovës. Kjo tregon se për herë të parë Inspektorati i Punës do të ketë një pamje më të integruar. Krahas këtij sistemi, dua të theksoj disa hapa të rëndësishëm: së pari, jemi në proces të rekrutimit të 50 inspektorëve të rinj, kjo është një rritje e kapaciteteve tona dhe mundësi për reagime më të shpejta ndaj shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. E dyta, është miratuar rregullorja që parasheh ndarjen në inspektorë të sigurisë dhe të marrëdhënieve të punës, të cilët do të punojnë në fusha të veçanta. E treta, sistemi digjital që po e implementojmë do të lehtësojë dhe shpejtojë ndjeshëm punën tonë. Në këtë kuadër, më lejoni të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj Ambasadës Suedeze për mbështetjen ndaj Inspektoratit të Punës,” tha Plakolli.

Ndërkaq, zyrtari i programit të ILO-së për Kosovë, Blerim Murtezi theksoi se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me ILO-n dhe Ambasadën Suedeze. Sistemi që po e lansojmë sot do t’i ndihmojë Inspektoratit të jetë më efikas dhe më transparent. Pikërisht për këtë, në kuadër të këtij projekti, Inspektorati po bashkëpunon me Aleancën Kosovare të Biznesit për të pasur një rezultat më të mirë. Në emër të ILO-s dua të shpreh mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen nga Suedia. Sot është një ditë simbolike, sepse inspektorët po furnizohen me teknologji që t’i bëjnë detyrat e tyre të përditshme më efikase,” tha ai.

Drejtoresha e Aleancë Kosovare të Biznesit, Lumnije Ajdini tha foli për bashkëpunimin dhe për rezultatin e këtij bashkëpunimi.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve, që nga themelimi i saj, ka qenë gjithmonë zëri përfaqësues i punëdhënësve në Kosovë. Ne përfaqësojmë një rrjet të gjerë të kompanive vendore dhe ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë biznese që kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës, zhvillimin ekonomik dhe formalizimin e tregut të punës. Prandaj, çdo reformë që e bën këtë sistem më transparent dhe më efikas është reformë që e përshëndesim dhe e mbështesim fuqishëm. Digjitalizimi i inspektimeve është një hap drejt ndërtimit të besimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat. Me këtë sistem të ri krijohet mundësia për një proces më të drejtë, më të shpejtë dhe më të paanshëm, ku çdo palë qoftë inspektori, punëdhënësi apo punëtori ka qasje të barabartë në informacione dhe në transparencë. Ky projekt, i mbështetur nga Qeveria e Suedisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, është dëshmi e vlerës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe institucional. Si AKB, ne besojmë se vetëm përmes partneritetit të sinqertë midis qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve mund të ndërtojmë një treg pune të qëndrueshëm, të drejtë dhe të formalizuar“, tha ajo./S.K/EO/

Continue Reading

Vendi

Nesër në UBT mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi

Published

on

By

UBT organizon nesër mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe njerëzore.

Mbledhja komemorative do të mbahet në UBT, në ambientet e Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së, duke filluar nga ora 11:00.

Në këtë ceremoni përkujtimore do të marrin pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe familja Krasniqi, miq dhe bashkëpunëtorë të profesor Naim Krasniqit.

Kjo mbledhje do të jetë një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në procesin mësimor dhe në zhvillimin akademik të shumë gjeneratave të studentëve. Profesori Naim Krasniqi u dallua për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi, duke qenë gjithmonë pranë studentëve dhe kolegëve me urtësi, dije dhe integritet.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, së bashku me Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, publikojnë studim ndërkombëtar për cilësinë e ujërave të burimeve natyrore

Published

on

By

Profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku dhe Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë publikuar një artikull të rëndësishëm në revistën prestigjioze “Journal of Engineering Geology and Hydrogeology”, botim i Akademisë Bullgare të Shkencave, duke vendosur institucionin në qendër të hulumtimeve shkencore me ndikim rajonal dhe global.

Artikulli me titull “Evaluation of the quality of spring waters for their use for irrigation – case study: Central Part of the Republic of Kosovo”, trajton cilësinë e ujërave të burimeve natyrore dhe potencialin e tyre për përdorim në bujqësi, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Prof. Hazir S. Çadraku dhe Prof. Agron Shala kanë përdorur metoda moderne analitike dhe krahasime me të dhëna historike, duke arritur rezultate të rëndësishme për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Kosovë. Ky botim shënon një arritje të rëndësishme akademike dhe dëshmon kontributin e stafit të UBT-së në shkencën ndërkombëtare.

Revista “Engineering Geology and Hydrogeology” (ISSN 0204-7934 – Print, ISSN 2738-6996 – Online) është një botim me akses të hapur, i rishikuar nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe referohet në bazat e të dhënave të njohura si Scopus, EBSCOhost-GeoRef, VINITI dhe CASSI (CAS Source Index).

Për të lexuar artikullin e plotë, vizitoni linkun zyrtar të revistës: Revista

Continue Reading

Vendi

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Të kërkuara