Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar të martën një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.
Gjatë aktivitetit është vendosur pankarta me mesazhin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, ndërsa platforma ka kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se kërkesa e tyre nuk është për hakmarrje, por për drejtësi, duke theksuar se procesi në Hagë nuk duhet të shkëputet nga konteksti historik i luftës së Kosovës.
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë”, deklaroi Fazlija.
Ajo tha se më 16 shtator, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, nuk pritet vetëm një aktgjykim, por edhe një përgjigje që, sipas saj, ka rëndësi për mënyrën se si trajtohet historia e Kosovës.
Fazlija iu bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mos harrojnë sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Ndërkohë, platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./A.K/