Lajmet

​Lajçak thotë se ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës”.

Published

on

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve. Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës”.

Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak, duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.

Ai bëri thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Lajçakut, tash është një moment i ri në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, është krijuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”.

Ndonëse “gjeopolitika e ka hapur derën për integrim në BE”, sipas emisarit të BE-së, “ajo nuk do t’ju kalojë vetvetiu përmes kësaj dere, sepse për një gjë të tillë duhet të përmbushen kushtet”.

“Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, u shpreh Lajçak duke përsëritur se vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura mes tyre, në mënyrë që një ditë të mos mund të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.

Në debatin kushtuar procesit të zgjerimit, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian.

Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

Në debat marrin pjesë edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman, dhe shumë pjesëmarrës tjerë.

Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim morën pjesë edhe ministrat nga disa vende të rajonit. Ata mbështetën idenë për integrimin gradual para integrimit formal në BE, por jo të shihet si alternativë e anëtarësimit.

“Për të realizuar këtë, rajoni duhet t’i tejkalojë problemet e hapura. Nuk mund të pranojmë vende, të cilat kanë raporte të helmuara”, tha Coopman duke përmendur çështjet e hapura rreth kufijve.

Këto kushte, sipas diplomatëve në BE, kanë të bëjnë para së gjithash me Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne do ta kushtëzojmë planin e rritjes me normalizimin e raporteve. Kjo duhet të Duhet të ketë përparim në këtë [aspekt]. Nuk kemi më kohë për të pritur”, deklaroi Coopman. Ai tha se vlera e mjeteve nga ky plan është e madhe dhe nëse shtetet nuk i shfrytëzojnë, qytetarët do të humbasin.

Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.

“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi”, tha Hill.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të këtij viti është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”./REL/

Lajmet

Rektori Hajrizi diskuton për rolin e AI-së në edukim dhe inovacion në AI4Youth

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në aktivitetin “AI4Youth: From Learning to Building”, në kuadër të panelit “Empowering the Next Generation of AI Innovators”, të organizuar me ftesë të The Foundation House, ku u diskutua roli i inteligjencës artificiale në edukim dhe përgatitjen e të rinjve për profesionet e së ardhmes.

Duke sjellë perspektivën e arsimit të lartë dhe inovacionit, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e kalimit nga mësimi i inteligjencës artificiale te përdorimi i saj për krijimin e zgjidhjeve konkrete, duke nënvizuar rolin që universitetet duhet të kenë në këtë transformim.

Në këtë kontekst, UBT është institucioni i parë në rajon që ka implementuar një ekosistem të integruar të inteligjencës artificiale në edukim dhe fusha të tjera, duke e shtrirë përdorimin e AI-së në mënyrë gjithëpërfshirëse në mësimdhënie, kërkim, inovacion dhe proceset universitare.

AI4Youth është një program që synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të njohurive dhe aftësive në inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe zhvillimin e aplikacioneve, duke i orientuar ata nga të mësuarit drejt krijimit të zgjidhjeve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

248 kandidatë certifikohen pas përfundimit me sukses të Provimit të Jurisprudencës

Published

on

Ministria e Drejtësisë ka certifikuar 248 kandidatë të cilët kanë përfunduar me sukses Provimin e Jurisprudencës.

Certifikatat u ndanë sot në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i ministrisë dhe familjarë të kandidatëve.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, i uroi kandidatët për përfundimin me sukses të kësaj etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.

“Pas këtij numri fshihen vite të tëra shkollim, muaj e muaj përgatitje, shumë punë, sakrificë, por edhe pritje. Familje që kanë pritur dhe sakrifikuar së bashku me ju. Plane për karrierën dhe për të ardhmen”, u shpreh Gërvalla.

Ajo theksoi se certifikimi sjell edhe përgjegjësi të reja për profesionistët e rinj të drejtësisë.

“Të jesh profesionist ligjor nuk do të thotë vetëm ta njohësh ligjin. Do të thotë ta kesh guximin ta mbrosh ligjin. Të mos bësh kompromis me padrejtësinë. Të mos e përdorësh profesionin për privilegj, por vetëm për drejtësi”, tha ministrja.

Gërvalla tha se Republika e Kosovës ka nevojë për profesionistë që besojnë në ligj dhe që nuk dorëzohen përballë presionit, interesit apo padrejtësisë.

“Sot ju festoni një sukses shumë të merituar. Mbajeni këtë sukses me krenari, por mbani gjithmonë edhe përgjegjësinë që vjen me të, sepse drejtësia kërkohet pikërisht me ju”, deklaroi ajo.

Ministrja bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë punën për modernizimin e Provimit të Jurisprudencës përmes digjitalizimit dhe procedurave më efikase, transparente dhe të qasshme.

Sipas Gërvallës, në këtë afat Provimin e Jurisprudencës e kanë kaluar shumëfish më shumë kandidatë sesa në afatet e mëparshme, gjë që, sipas saj, dëshmon potencialin e brezit të ri të juristëve në Kosovë.

Me këtë rast, ajo falënderoi kryesuesin e Komisionit, Arian Gashi, anëtarët e tjerë të Komisionit dhe stafin e Ministrisë së Drejtësisë për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit.

Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i Ministrisë së Drejtësisë dhe familjarët e kandidatëve të certifikuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjini: Dështimi i konstituimit po bëhet për të shkuar në zgjedhje më 27 dhjetor

Published

on

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se dështimi i së mërkurës për konstituimin e Kuvendit ka ndodhur, sipas tij, me qëllim që procesi të zvarritet përtej 13 shtatorit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 27 dhjetor.

Në një konferencë për media pas seancës konstituive, e cila pritet të vazhdojë të premten, Gjini e ka cilësuar zhvillimin e sotëm si “maskaradë për të blerë kohë”.

Ai ka thënë se Albin Kurti, me apo pa koordinim me Listën Serbe, po e zhvillon agjendën e tij politike në mënyrën që i konvenon.

“Kushedi për të satën herë, me apo pa koordinim Lista Srpska ndihmon që Albin Kurti të zhvillojë agjendën e vet ashtu siç i konvenon. Kjo që ka ndodhur sot është maskaradë për të blerë kohë, të zvarritet krijimi i institucioneve të Kosovës”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, synimi është që të arrihet data 13 shtator, pas së cilës, sipas llogaritjeve të tij, mund të krijohen kushtet për zgjedhje më 27 dhjetor.

Gjini ka pretenduar se kjo datë mund të jetë e favorshme për Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të pjesëmarrjes më të madhe të diasporës në votime.

Ai ka kritikuar gjendjen në vend, duke thënë se qytetarët në Kosovë kanë humbur besimin te pushteti dhe se zgjedhja e 27 dhjetorit lidhet me synimin për të kompensuar votat e humbura brenda vendit përmes votës së mërgimtarëve.

Ndërkaq, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca nuk do të marrë pjesë as në vazhdimin e seancës së premtes.

“Në seancën e të premtes nuk do të marrim pjesë. Nuk mund të marrim pjesë sepse është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese. Është farsë. Nuk ka për qëllim themelimin e institucioneve”, ka deklaruar ai.

Gjini ka përsëritur se, sipas tij, qëllimi i zvarritjes së procesit është arritja e datës 13 shtator dhe krijimi i mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja më 27 dhjetor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti kërkon takim me Abdixhikun dhe Hamzën për nënkryetarët e Kuvendit

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se ka kontaktuar kryetarët e LDK-së dhe PDK-së për t’u takuar dhe arritur dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha se për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët.

“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë”, tha Kurti.

Ai komentoi edhe deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit tha se këtë e bënte “në emër të popullit serb”.

Sipas Kurtit, një formulim i tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.

“Siç e tha edhe kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës, me betimin që ai vetë e ka bërë dhe për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Dikush nga grupi parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mladiqit, i komandantit që masakroi boshnjakët. Nuk mund të votohet në Kuvend ai lloj propozimi që u deklarua, vetëm ai me shkrim”, tha Kurti./Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara