Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit që ka pasur sot me shefat e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ka thënë se pozicionet e palëve në disa çështje mbesin shumë larg.
Lajçak përmes Twitterit ka shkruar se pas dy ditë takimesh ka shumë punë përpara për t’u bërë.
“Sapo përfunduam dy ditë me punë të madhe dhe diskutime intensive me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet në një numër çështjesh urgjente mbesin larg njëra-tjetrës. Shumë punë përpara”, ka shkruar Lajçak.
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.
“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës). Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Bislimi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për datën 23 prill 2026.
Sipas vendimit të fundit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë: Nafta (dizel): 1.64 euro për litër Benzina: 1.39 euro për litër; Gasi: 0.87 euro për litër.
MINT ka njoftuar qytetarët se për çdo parregullsi apo ankesë lidhur me çmimet në treg, mund të adresohen në emailin zyrtar të departamentit të konsumatorit ose përmes numrit të telefonit pa pagesë.
Këto çmime po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, kryesisht si pasojë e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve të vazhdueshme nga konflikti mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve edhe në tregun tonë.
Në Rahovec po vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion, një projekt që synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore për zhvillimin e jetës kulturore dhe kreative në qytet. Kjo qendër pritet t’u shërbejë artistëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit artdashës, duke ofruar kushte më të avancuara për krijimtari, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.
Me një investim që tejkalon 3 milionë euro, projekti synon të forcojë infrastrukturën kulturore në Rahovec dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e artit dhe inovacionit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë.
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.
Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.
Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.
Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.
Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.