Ka mundësi që të keni hasur në krijimet e Marshall Columbia në Instagram, pasiqë së fundi emrat e njohur të muzikës dhe modës po admirojnë punën e tij, njofton UBT News.
Muajt e fundit, stilisti i ri me bazë në Brooklyn ka veshur yjet e shumënjohura si Dua Lipa, Miley Cyrus, Doja Cat, e që mund të konsiderohet ‘fillim i mbarë’ për një emër të ri në modë. E veçanta e tij shihet në një element: estetika e tij shumëngjyrëshe!
Këtë fundjavë, Bella Hadid kishte veshur një bluzë blu me prerje nga koleksioni i ardhshëm i cili do të del në shtator, por që një gjë dihet – kur Bella Hadid vesh një model të ri, ajo veshje medoemos do të jetë në trend!
Columbia lançoi etiketën e tij gjatë karantinës vitin e kaluar, dhe shumë nga krijimet e tij janë frymëzuar nga artet dhe zanatet që i pëlqente të bënte si fëmijë. Kjo është veçanërisht e dukshme në punimin e rruazave shumëngjyrëshe me të cilat ai zbukuron pjesët e tij, transmeton UBT News.
Doja Cat gjithashtu mbante një bluzë të ngjashme ngjyrë rozë të ndezur, gjatë një shfaqje në Miami. Ajo gjithashtu mbante mini fundin e tij të kompletuar me prerje, dhe mini çantën e tij të fryrë blu, e cila është si një ‘jastëk’ për portofolin dhe telefonin tuaj.
Dhe kur bëhet fjalë për trende, assesi nuk bën të harrohet Dua Lipa! Së fundi këngëtarja shqiptare me famë botërore kishte veshur fustanin e tij blu gjatë pushimeve në Shqipëri (që është gjithashtu nga një koleksion i ardhshëm).
Miley Cyrus gjithashtu është parë duke veshur koleksionin e Marshall Columbia.
Suksesi i tij i mëtejshëm pritet të shihet pas daljes së koleksionit të ri në shtator të këtij viti, megjithatë, Columbia është me fat që edhe pse emër i ri në industrinë e modës, puna e tij po adhurohet nga yje si Bella Hadid, Dua Lipa dhe Doja Cat./UBTNews
Para disa ditësh u shënua përvjetori i lindjes së piktorit të njohur holandez Vincent Willem van Gogh, një nga figurat më të rëndësishme të artit modern botëror.
Van Gogh lindi më 30 mars 1853 në Groot-Zundert të Holandës, në një familje me prapavijë fetare, ku i ati ishte pastor. Që në moshë të re ai nisi të merrej me art, duke punuar fillimisht si shitës veprash artistike, ndërsa më vonë iu përkushtua plotësisht pikturës.
Gjatë jetës së tij, Van Gogh kaloi periudha të vështira emocionale dhe ekonomike. Veprat e tij fillimisht karakterizoheshin nga tone të errëta, por pas kontaktit me piktorët impresionistë si Claude Monet, Camille Pissarro dhe Paul Gauguin, ai ndryshoi stilin duke përdorur ngjyra më të çelura dhe më të guximshme.
Jeta e tij personale u shoqërua me sfida të mëdha psikologjike. Një nga episodet më të njohura mbetet ai i vitit 1888, kur, sipas biografëve, ai preu një pjesë të veshit pas një konflikti të fortë. Gjendja e tij mendore u përkeqësua me kalimin e viteve.
Më 27 korrik 1890, Van Gogh qëlloi veten dhe ndërroi jetë dy ditë më pas, në moshën 37-vjeçare, në Francë.
Edhe pse gjatë jetës nuk arriti të shesë shumë piktura, sot ai konsiderohet një nga artistët më të mëdhenj në histori. Veprat e tij, si “Kafja e natës”, mbeten dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm që lëkundej mes gjenialitetit dhe vuajtjes së thellë njerëzore.
Teatri “Migjeni” nga Shkodra do të vijë në Kosovë me shfaqjen mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”, e cila do të prezantohet në Teatrin “Adriana” në Ferizaj më 3 prill, duke filluar nga ora 20:00.
Shfaqja, me regji nga Ilir Bokshi, sjell në skenë aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.
“Pesë fytyrat e heshtjes” trajton dimensionet e brendshme të njeriut – heshtjen, dhimbjen dhe kujtimet, përmes pesë tregimeve të ndërlidhura që ftojnë publikun në reflektim dhe dialog mbi të vërtetat personale dhe kolektive.
Mbrëmë në Berlin, Filharmonia e Kosovës realizoi një koncert të jashtëzakonshëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, orkestra së bashku me kore ndërkombëtare sollën një eksperiencë unike korale 360°, e cila u prit me entuziazëm nga publiku gjerman.
Në këtë mbrëmje performuan edhe solistët Kaltrina Miftari, Elona Sadiku, Flaka Goranci, André Khamasmie dhe Simon Robinson, me interpretime të nivelit të lartë artistik.
Ky koncert shënon debutimin e Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin gjerman, një hap i rëndësishëm në prezantimin e artit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).
Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.
Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.
“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.