Lajmet

Kuvendi mblidhet sot

Sipas njoftimit, mbledhja do të nisë në ora 11:00.

Published

on

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) në seancë plenare. Sipas njoftimit, mbledhja do të nisë në ora 11:00.

Në rend dite janë 23 pika.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3. Pyetjet parlamentare,

4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

11. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

12. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

13. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,

14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,

15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,

16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,

17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,

18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,

19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,

20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,

21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,

22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,

23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Lajmet

Sulm masiv rus ndaj Ukrainës, 10 të vrarë

Published

on

By

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale të gjerë sulmesh ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë, në atë që cilësohet si një nga ofensivat më të mëdha të Moskës gjatë muajve të fundit, raporton BBC.

Sipas autoriteteve ukrainase, gjashtë persona u vranë në Dnipro dhe katër të tjerë në kryeqytetin Kiev. Mes të plagosurve ka edhe fëmijë. Sulmet goditën ndërtesa banimi në disa zona, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, në Kiev u dëgjuan shpërthime të shumta dhe zhurma e dronëve që fluturonin mbi qytet. Sulmet shkaktuan zjarre pranë një stacioni karburanti, në një kantier ndërtimi, në disa blloqe banimi dhe në dy shtëpi private. Në pjesë të ndryshme të kryeqytetit u raportuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore, ndërsa kreu i Administratës Ushtarake të qytetit, Tymur Tkachenko, deklaroi se Rusia po përdor raketa balistike kundër objektivave në kryeqytet.

Një objekt industrial në Zaporizhia u godit gjithashtu gjatë sulmeve, ndërsa alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në pjesën më të madhe të territorit ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar një ditë më parë për mundësinë e një sulmi të madh rus. Në një fjalim me video, ai tha se shërbimet e inteligjencës kishin sinjalizuar përgatitje të Rusisë për një ofensivë të gjerë ajrore.

“Paralajmërimet e inteligjencës për sulme ruse mbeten në fuqi. Një sulm masiv është i mundshëm, ata e kanë përgatitur atë”, deklaroi Zelensky.

Sulmet vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes dy vendeve. Javën e kaluar, Moska paralajmëroi se do të kryente “sulme sistematike” ndaj Ukrainës si përgjigje ndaj një sulmi ukrainas me dron në rajonin e pushtuar të Luhanskut, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën 21 persona.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka pranuar se kreu një operacion pranë Starobilskut më 21-22 maj, por ka theksuar se objektivi ishte një njësi ushtarake ruse dhe jo një objekt civil.

Ndërkohë, edhe Rusia raportoi një sulm me dron në rajonin e Krasnodarit. Autoritetet lokale njoftuan për një zjarr në rafinerinë e naftës Ilsky, por thanë se nuk pati viktima.

Kievi i ka cilësuar kërcënimet ruse si “shantazh të paturpshëm” dhe u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë të shtojnë presionin ndaj Moskës, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon të përshkallëzohet./BBC/

Continue Reading

Lajmet

Talenti kosovar i Bayern Munich, Erblin Osmani, viziton FFK-në dhe ndjek stërvitjen e Kombëtares

Published

on

By

Futbollisti i ri dhe premtues kosovar, Erblin Osmani, i cili është pjesë e klubit gjerman Bayern Munich, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Osmani, i cili po qëndron në Kosovë për pushimet verore, u prit në ambientet e FFK-së, ku pati rastin të njihet më nga afër me aktivitetet e federatës dhe të ndjekë seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sipas FFK-së, vizita e tij përfaqëson lidhjen e fortë që talentët kosovarë, të cilët po zhvillojnë karrierën e tyre në klubet më të njohura evropiane, vazhdojnë ta ruajnë me vendlindjen.

Erblin Osmani konsiderohet një nga talentët e rinj që po ndërton karrierën e tij në futbollin evropian, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës e vlerësoi si pjesë të gjeneratës së re që po promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare të futbollit.

FFK i ka uruar Osmanit suksese të mëtejshme dhe arritje të reja në karrierën e tij sportive.

 

Continue Reading

Lajmet

Irani ndërpret komunikimet me SHBA-në, paralajmëron bllokimin e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

 Irani ka vendosur të ndërpresë shkëmbimin e mesazheve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndërmjetësve, mes përshkallëzimit të tensioneve në rajon dhe sulmeve të fundit në Liban sipas nje raportimi të Reuters.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka bërë të ditur se ekipi negociator i Teheranit ka ndaluar komunikimet indirekte me Uashingtonin, duke e lidhur këtë vendim me zhvillimet e fundit në Liban, teksa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë.

Tasnim raporton gjithashtu se Irani dhe i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”, ku përfshihen aleatët e tij në Liban, Irak dhe Jemen, kanë hartuar një plan që parasheh bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera strategjike, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandeb.

Sipas raportimit, këto masa synojnë “ndëshkimin e Izraelit dhe mbështetësve të tij”, ndërsa autoritetet iraniane kanë theksuar se nuk do të ketë negociata derisa të ndalen operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe Gaza.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa çdo bllokim i saj mund të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Lajmet

Bashkëpunim akademik ndërmjet UBT-së dhe Dicle University në kuadër të Erasmus+ Staff Mobility

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ Staff Mobility, UBT mirëpriti gjatë javës së kaluar Assoc. Prof. Dr. Hasan Aykut Aysan dhe Assist. Prof. Dr. Yusuf Gözaçık nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Dicle University, Turqi.

Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërinstitucional dhe përfshiu një sërë aktivitetesh profesionale dhe akademike, duke përfshirë vizita në kampusin dhe infrastrukturën universitare, organizimin e një punëtorie me studentët dhe stafin akademik, si dhe mbajtjen e një ligjërate tematike mbi shigjetarinë (archery).

Gjatë qëndrimit të tyre në UBT, profesorët prezantuan përvojat dhe ekspertizën e tyre në fushën e edukimit fizik dhe sportit, duke ofruar perspektiva bashkëkohore metodologjike dhe praktike. Aktivitetet e zhvilluara krijuan mundësi për shkëmbim të njohurive, avancim profesional dhe zgjerim të bashkëpunimit akademik ndërmjet pjesëmarrësve.

Ky mobilitet akademik kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet UBT-së dhe Dicle University, duke promovuar bashkëpunimin shkencor, akademik dhe kulturor ndërmjet institucioneve dhe vendeve përkatëse.

UBT vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, zgjerimit të partneriteteve strategjike dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit akademik.

Continue Reading

Të kërkuara