Lajmet
Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi, vendi shkon në zgjedhje brenda 40 ditësh
Published
5 years agoon
By
Betim GashiGjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ta shpallur të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.
Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 21 dhjetor 2020
Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 95/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
- Lënda: KO 95/20
Parashtrues: Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së
Kosovës
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilin pala parashtruese pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3, të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 42 [Saktësimi i kërkesës] dhe 43 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 74 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
PËRFUNDIME
- Me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.
- Në këtë kërkesë kushtetuese, 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, për zgjedhjen e Qeverisë, të nxjerrë më 3 qershor 2020. Parashtruesit pretendojnë se Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3 të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës. Kjo sepse, sipas parashtruesve, në procedurën e votimit të Vendimit të kontestuar ka marrë pjesë edhe Etem Arifi, vota e të cilit ishte e pavlefshme për shkak të dënimit të tij me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë.
- Gjykata vlerëson se çështja themelore që ngërthen kjo kërkesë është se a kishte pasur mandat të vlefshëm Etem Arifi në kohën e nxjerrjes në Kuvend të Vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Qeverisë (në votimin e të cilit ai kishte marrë pjesë).
- Në lidhje me këtë çështje, Gjykata mori parasysh: përgjigjet e dorëzuara nga shtetet anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, qëndrimet e Komisionit të Venecias; si dhe praktikën e mëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme.
- Për sa i përket dispozitave kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, që i japin përgjigje çështjeve të ngritura nga kjo kërkesë, Gjykata gjeti se:
- Neni 71.1 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit;
- Neni 70.3 (6) i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim. Ky përcaktim kushtetues përforcohet edhe me nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nenin 112.1.a të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 25.1.d të Rregullores së Kuvendit;
- Gjykata konsideron se për sa i përket të drejtës për kandidim në zgjedhje parlamentare, nenet 45, 55 dhe 71.1 të Kushtetutës duhet lexuar në mënyrë të ndërlidhur. Kështu, neni 45 i Kushtetutës flet përgjithësisht për të drejtat zgjedhore, duke përcaktuar në mënyrë të përgjithësuar se ato mund të kufizohen me vendime gjyqësore, kurse neni 55 përcakton kushtet kumulative në bazë të të cilave mund të kufizohen të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Ndërsa neni 71 i Kushtetutës – i cili flet ekskluzivisht për “kualifikimet” për të kandiduar për deputet të Kuvendit – përcakton se secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet. Këto “kriteret ligjore”, të cilave iu referohet neni 71 i Kushtetutës, i përcakton Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në nenin 29.1 (q) thekson qartë dhe shprehimisht se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhje për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit. Ky përcaktim kushtetues dhe ligjor është në linjë edhe me praktikën që ndiqet nga shumë vende demokratike, siç vërehet edhe nga dokumentet përkatëse të Komisionit të Venecias, si dhe nga përgjigjet e vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias.
- Gjykata thekson se normat e mësipërme kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë të bëjnë me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe me mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, si pasojë e dënimit me burgim për kryerjen e veprave penale, nuk duhen parë si qëllim në vetvete. Në thelb, këto norma nuk kanë synim parësor ndëshkimin e individëve të caktuar duke ua pamundësuar atyre ushtrimin e funksionit të deputetit, por kanë si qëllim themelor mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë e demokracisë parlamentare.
- Gjykata konsideron se besueshmëria qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës cenohet nëse – pavarësisht ndalesave që vë neni 71 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – lejohet që mandatin e deputetit ta fitoj dhe ta ushtroj një person që është dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë të vlefshëm në Republikën e Kosovës.
- Në lidhje me këtë, Gjykata sjellë në vëmendje Raportin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se “ligjshmëria është element i Sundimit të Ligjit dhe nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet. Ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze vendos në rrezik zbatimin e këtij parimit [sundimit të ligjit], që është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit”. (Shih Raportin e Komisionit të Venecias për Përjashtimin e Kryerësve të Veprave të Paligjshme nga Parlamenti, CDL-EL(2015)026, i 23 nëntorit 2018, paragrafi 168).
- Në këtë frymë, Gjykata vlerëson se është kërkesë e qartë kushtetuese e mishëruar në nenin 71.1 në ndërlidhje me nenin 70.3 (6) të Kushtetutës, se është e papajtueshme me Kushtetutën që një person ta fitoj dhe mbaj mandatin e deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, siç është përcaktuar me këto dispozita. Kjo kërkesë përforcohet me nenet 29 dhe 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë Deputetit.
- Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.
- Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitoj dhe mbaj mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës.
- Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që don të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”.
- Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare. Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës.
- Gjykata konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqë ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare. Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga KQZ-ja.
- Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.
- Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjedhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksion e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit.
- Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, Gjykata thekson se në mënyrë që Qeveria të zgjedhet, konform paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, “për” Qeverinë duhet të votojnë të paktën gjashtëdhjetë e një (61) deputetë të Kuvendit. Në rastin konkret, sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit, Gjykata vëren se më 3 qershor 2020, gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar “për” Qeverinë, gjegjësisht për vendimin e kontestuar. Për miratimin e Vendimit të kontestuar kishte votuar edhe Etem Arifi. Pasi Gjykata gjeti se mandati i Etem Arifit kishte qenë i pavlefshëm para votimit të Vendimit të kontestuar, ai Vendim kishte marrë vetëm gjashtëdhjetë (60) vota të vlefshme. Për pasojë, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
- Gjykata vë në pah se neni 95 i Kushtetutës, siç është interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore, parasheh dy tentativa për zgjedhur Qeverinë nga Kuvendi. Në të dyja rastet, Qeveria për t’u konsideruar e zgjedhur duhet të këtë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) vota. Nëse as pas tentimit të dytë nuk zgjedhet Qeveria, neni 95.4 i Kushtetutës parasheh shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.
- Gjykata rikujton që Qeveria e votuar përmes Vendimit nr. 07/V-014 të Kuvendit të 3 qershorit 2020 është bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të nxjerrë bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, përkatësisht në tentativën e dytë për zgjedhjen e Qeverisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton interpretimin e dhënë në Aktgjykimin KO72/20 ku kishte theksuar se “zgjedhjet do të jenë të pa evitueshme në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverisë edhe në tentativën e dytë, […] me ç’rast, bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.
- Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
- Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksoj se është e vetëdijshme se Etem Arifi ka marrë pjesë edhe në procedura të tjera votuese në Kuvend, edhe pasi ai nuk kishte mandat të vlefshëm. Megjithatë, duke u mbështetur në parimin non ultra petita (“jo përtej kërkesës”), Gjykata kufizohet në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar më kërkesën e paraqitur para saj, gjegjësisht Vendimit nr. 07/V-014, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkitazi me Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Republikës së Kosovës.
- Gjykata e sheh të nevojshme që të sqarojë po ashtu se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës, neneve 42 dhe 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (1) dhe 72 të Rregullores së punës, njëzëri
VENDOS
I. TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;
III. TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
IV. TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;
V. TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;
Lajmet
Kuvendi nis punimet me diskutime mbi rezolutën e PDK-së për mbrojtjen e viktimave të luftës
Published
4 minutes agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot, për të mbajtur seancën e parë plenare që pas shpalljes së aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja që ka marrë vëmendjen kryesore në hapje të punimeve është kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të ndryshuar rendin e ditës, duke kërkuar që draft-rezoluta për mbrojtjen e viktimave dhe të vërtetën historike të luftës në Kosovë të futet dhe të trajtohet si pika e parë e kësaj seance.
Përfaqësuesit e PDK-së, përfshirë deputeten Vlora Çitaku, insistuan që ky dokument të ketë prioritet absolut, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ftoi krerët e grupeve parlamentare në konsultim për të vendosur mbi këtë procedurë.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Kuvendi pritet të vazhdojë me 16 pikat e rregullta të rendit të ditës, të cilat përfshijnë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në, Fondin Saudit dhe BERZh-in për projekte në arsim, mjedis dhe energji, si dhe formimin e komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe në Bordin e RTK-së.
Lajmet
REL: Ambasada amerikane paralajmëron se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, Tirana e mohon
Published
21 minutes agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.
Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.
Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.
Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.
Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.
“Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.
Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.
Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.
Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.
Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.
Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.
“Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.
Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.
Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.
Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.
Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.
Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre. /REL/
Lajmet
Zbulohet laborator kanabisi në Prizren, dy të arrestuar
Published
33 minutes agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës i zhvilluar këtë të enjte në rajonin e Prizrenit, ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe zbulimin e një laboratori të sofistikuar për kultivimin e bimëve narkotike.
Operacioni, i cili u realizua pas një hetimi paraprak në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën, nisi me bastisjen e një shtëpie ku dyshohej se po rriteshin bimë të llojit kanabis sativa.
Gjatë ndërhyrjes, hetuesit policorë arrestuan një person në vendngjarje, ndërsa kontrolli u zgjerua edhe në tri lokacione të tjera ku u prangos edhe i dyshuari i dytë.
Brenda hapësirave të kontrolluara, policia sekuestroi një gamë të gjerë pajisjesh teknike që shërbenin për kultivimin e drogës, duke përfshirë llamba ndriçimi, sisteme ventilimi, aparate për rregullimin e temperaturës dhe preparate kimike.
Megjithëse të dyshuarit kishin tentuar t’i asgjësonin provat duke djegur rreth 300 bimë kanabisi para mbërritjes së forcave të rendit, policia arriti të gjejë sasi të mbetura të marihuanës, kokainës, si dhe një bimë të pa dëmtuar. P
ërveç lëndëve narkotike, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe një armë zjarri e llojit pistoletë me dhjetëra fishekë, një veturë dhe një furgon me targa vendore.
Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedime të mëtejshme ligjore.
Shkruan: Dr. Denis Çelçima
Dy Prilli – Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin – është dita që i jep zë mijëra individëve dhe familjeve që jetojnë çdo ditë me autizmin dhe në këtë ditë i gjithë njerëzimi duhet të ndalet për të reflektuar, për të kuptuar dhe për të vepruar.
Në një shoqëri që shpesh kërkon përshtatje sipas standardeve të përcaktuara, autizmi na kujton se bota është e ndryshme dhe plot ngjyra, dhe diversiteti është forcë.
Personat në spektrin e autizmit kanë një perspektivë dhe ndjesi unike të tyre për jetën. Ata e ndiejnë, mendojnë dhe përjetojnë botën në mënyra që shpesh sfidojnë perceptimet tona. Këto perceptime kaq unike, i bëjnë ata të veçantë.
Kjo ditë jep një mesazh shumë të rëndësishëm, ndërgjegjësim, pranim dhe përfshirje. Nuk është e mjaftueshme thjesht të dimë për autizmin.
Shoqëria sot duhet të mësojë të dëgjojë, të kuptojë dhe të krijojë hapësira ku çdo individ ka vendin e tij. Sepse përfshirja nuk është privilegj, por një e drejtë.
Dy Prilli nuk është thjesht një datë në kalendar. Është ndërgjegjësim shoqëror, është thirrje dhe kujtesë se çdo hap drejt mirëkuptimit dhe pranimit është një hap drejt një shoqërie më të drejtë. Vlerat njerëzore na orientojnë të jemi më shumë të pranishëm, të paragjykojmë më pak dhe të veprojmë më shumë. Një shoqëri që pranon autizmin, është një shoqëri që pranon njerëzoren në tërësinë e saj.
Ne jemi për të qenë të gjithë së bashku!

Foto: Dr. Denis Çelçima
Kuvendi nis punimet me diskutime mbi rezolutën e PDK-së për mbrojtjen e viktimave të luftës
REL: Ambasada amerikane paralajmëron se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, Tirana e mohon
Zbulohet laborator kanabisi në Prizren, dy të arrestuar
Infantino garanton: Irani do të luajë në Botërorin 2026 në SHBA
Dy Prilli – Një thirrje për shoqërinë
Rama: Anëtarësimi në BE do t’u hapë studentëve mundësi të barabarta me europianët
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 2 prill, në vitet nëntëdhjetë
Sulmi ndaj së drejtës për të protestuar në Britaninë e Madhe nuk ka të bëjë vetëm me Palestinën
Trump: Kemi arritur suksese në Iran, por lufta vazhdon
Të kërkuara
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
