Lajmet

“Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, Kurti fton qytetarët të aplikojnë për masat e efiçiencës së energjisë

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për subvencionimin e izolimit të shtëpive të tyre dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes, sepse “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.

Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, ai ka theksuar se kjo masë ka qenë ndër më të mirëpriturat vitin e kaluar, ndërsa këtë vit synim është subvencionimi i 1 300 familjeve.

Tutje, ai ka bërë të ditur se për shkak të interesimit të lartë, pakoja do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar, ndërsa ka shtuar se pakoja është pjesë e përkrahjes emergjente të BE-së, ku Kosova përfitoi 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon.

“Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, apo shumën më të lartë për kokë banori në rajon. Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Kur kemi dizajnuar këtë pako, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afat-shkurte. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset tona. Një ndër masat më të mirëpritura vitin e kaluara, është pikërisht kjo që po e lansojmë sot, pra masat për efiçiencën e energjisë në shtëpitë e juaja. Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari shërbehet i pari. Interesimi ka qenë e lartë dhe si rezultat, thirrja për 13 ditë, ndonëse ka qenë e paraparë që të jetë e hapur për 45 ditë, kësaj radhe mbetet e hapur për dy javë. Duke pasur parasysh interesimin e madh të familjeve ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë. Nga thirrja e parë ka përfituar 2 100 familje me mbi 12 mijë anëtarë, vlera totale e subvencionit ka arritur vlerën 7.9 milionë euro. Kësaj here synojmë të subvencionojmë 1 300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre”, ka thënë Kurti.

Aplikimi për të përfituar nga këto masa përfshinë:

  • Hapjen e llogarisë në e-Kosova;
  • Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
  • Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
  • Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.

Procesi i aplikimit do të hapet nesër.

Lajmet

“The Odyssey” vlerësohet si kryevepër, kritika e cilëson filmin më të mirë të vitit

Published

on

Filmi më i ri i regjisorit fitues të çmimit “Oscar”, Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga kritika ndërkombëtare, vetëm pak para premierës së tij zyrtare.

I bazuar në poemën epike të Homerit, filmi është projekti i parë i Nolanit pas suksesit të “Oppenheimer”, i cili fitoi çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në vitin 2023.

Kritikët nuk kanë kursyer lëvdatat. The Telegraph e ka cilësuar “filmin e vitit”, The Times e përshkroi si “një kryevepër në çdo aspekt”, ndërsa Metro shkroi se filmi “do ta ndryshojë kinemanë përgjithmonë”. Edhe The Standard e cilësoi atë si “një vepër kolosale kinematografike”.

Në rolet kryesore interpretojnë Matt Damon, Zendaya, Tom Holland, Robert Pattinson, Anne Hathaway, Charlize Theron dhe Lupita Nyong’o.

Filmi ndjek rrugëtimin e Odiseut (Matt Damon), mbretit të Itakës, në përpjekjen për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës dhe për t’u ribashkuar me bashkëshorten dhe djalin e tij. Gjatë udhëtimit ai përballet me krijesa mitologjike dhe sfida të shumta, ndërsa rivali Antinous synon të marrë fronin dhe zemrën e mbretëreshës.

Sipas kritikëve, “The Odyssey” sjell skena spektakolare dhe një vizion ambicioz që e vendos filmin mes produksioneve më të vlerësuara të viteve të fundit. Filmi pritet të dalë në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar të premten./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PrizrenFest rikthehet me edicionin e pestë, sjell artistë nga tetë shtete

Published

on

Qyteti i Prizrenit do të mirëpresë edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – PrizrenFest, i cili do të mbahet nga 21 deri më 27 korrik 2026.

Me karakter ndërkombëtar, festivali do ta shndërrojë Prizrenin në një qendër të artit skenik, duke sjellë shfaqje teatrore, aktivitete artistike dhe programe kulturore në hapësira të ndryshme historike të qytetit.

Në programin e këtij viti do të marrin pjesë trupa teatrore dhe artistë nga Kosova, Spanja, Franca, Brazili, Turqia, Italia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

Përveç shfaqjeve teatrore, PrizrenFest do të ofrojë edhe punëtori për fëmijë, koncerte dhe aktivitete të tjera kulturore, duke krijuar një program të larmishëm për publikun.

Përmes këtij festivali, organizatorët synojnë të promovojnë artin skenik në hapësira të hapura, të forcojnë identitetin kulturor të Prizrenit dhe ta konsolidojnë qytetin si një destinacion të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare të festivaleve artistike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa mbështet protestat kundër projektit luksoz të familjes Trump në Shqipëri

Published

on

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka shprehur mbështetjen e saj për protestat në Shqipëri kundër projektit luksoz të zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit, të mbështetur nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Në episodin më të fundit të podcastit të saj Service95 Book Club, Dua Lipa e cilësoi si shqetësues vendimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar ligjin që mbronte zonat e ndjeshme mjedisore, pa konsultim publik.

“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund ta ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, u shpreh artistja.

Protestat, të cilat kanë zgjatur më shumë se gjashtë javë dhe janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, kundërshtojnë projektin prej rreth 1,400 hektarësh në ishullin e Sazanit dhe investimin prej 4.7 miliardë dollarësh që parashikon ndërtimin e 10 mijë vilave në gadishullin e Zvërnecit.

Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime se punimet kanë nisur para përfundimit të procedurave ligjore dhe pa një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis.

Nga ana tjetër, Qeveria e Shqipërisë e konsideron projektin si një investim strategjik që synon të nxisë turizmin dhe të mbështesë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet me sukses në festivalin ndërkombëtar në Austri

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival, që po mbahet në Graz të Austrisë.

Shfaqja, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petite, u mirëprit nga publiku, i cili e shpërbleu performancën me duartrokitje dhe vlerësime.

Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar shënon një tjetër prezantim të rëndësishëm të Baletit Kombëtar të Kosovës në skenën artistike evropiane./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara