Botë

Kush është Naftali Bennett, lideri i ri i Izraelit?

Bennett, 49-vjeçar, është baba i katër fëmijëve, ndjek linjën e ashpër sikurse Netanyahu sa i përket Lindjes së Mesme.

Published

on

Naftali Bennett, i cili është betuar të dielën si kryeministër i ri i Izraelit, mishëron shumë prej kundërthënieve që definojnë kombin 73 vjet të vjetër.

Ai është hebre fetar, që ka bërë milionat në sektorin kryesisht laik të teknologjisë, kampion i zgjerimit të vendbanimeve izraelite, por që jeton në një lagje në Tel Aviv dhe ish-aleat i Benjamin Netanyahut, që ka bashkëpunuar me partitë e qendrës dhe ato të krahut të majtë për t’i dhënë fund udhëheqësisë 12-vjeçare të këtij të fundit.

Partia e tij ultranacionaliste, Yamina ka fituar vetëm shtatë ulëse në parlamentin me 120 të tilla në zgjedhjet e muajit mars – të katërtat në vetëm dy vjet. Mirëpo, duke refuzuar që të ofrohet me Netanyahun apo kundërshtarët e tij, Bennett e ka pozicionuar veten si lojtar kryesor. Edhe pasi një anëtar i partisë së tij nacionaliste fetare e ka braktisuar atë për të protestuar marrëveshjen e re të koalicionit, ai ka përfunduar me ‘kurorë në kokë’.

Ultranacionalist me koalicion të moderuar

Bennett e ka pozicionuar veten për kohë të gjatë krah Netanyahut. Mirëpo, ai tani do të kufizohet nga koalicioni i tij me shumicë të thjeshtë në parlament që përbëhet nga partitë e të djathtës, të majtës dhe qendrës.

Ai kundërshton pavarësinë e palestinezëve dhe mbështet fuqishëm vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor në Jerusalemin lindor, të cilin palestinezët dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar, e konsiderojnë si pengesë të madhe për paqe.

Bennett ka kritikuar ashpër Netanyahun pasi ky i fundit, sa ka qenë kryeministër, është pajtuar për të ngadalësuar shpejtësinë e ndërtimit të vendbanimeve nën presion e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka tentuar, por ka dështuar të jetësojë një proces të paqes gjatë mandatit të parë si president i SHBA-së.

Ai ka shërbyer shkurt si kryetar i Këshillit për vendbanime në Bregun Perëndimor, Yesha, para se të hynte në parlament më 2013. Bennett ka shërbyer më vonë si ministër në kabinetin e Ministrisë për Çështje të Diasporës, Edukimit dhe Mbrojtjes, në disa qeveri të udhëhequra nga Netanyahu.

“Ai është lider i krahut të djathtë, pjesëtar i linjës së ashpër të sigurisë, mirëpo në të njëjtën kohë edhe pragmatik”, ka thënë Yohanan Plesner, udhëheqës i Institutit të Izraelit për Demokraci, që ka njohur Bennettin për dekada dhe ka shërbyer me të në ushtri.

Ai pret që Bennett të angazhohet me fraksione tjera për të gjetur “një faktor të përbashkët”, teksa tenton të fitojë përkrahje dhe legjitimitet si lider i kombit.

Rivaliteti me Netanyahun

Bennett, 49-vjeçar është baba i katër fëmijëve, ndjek linjën e ashpër sikurse Netanyahu sa i përket Lindjes së Mesme, mirëpo të dy kanë pasur marrëdhënie të tensionuara përgjatë viteve.

Bennett ka shërbyer si shef i stafit të Netanyahut për dy vjet, mirëpo të dy kanë ndarë rrugët pas një misteri që mediat izraelite e kanë lidhur me gruan e Netanyahut, Sara, e cila ka ndikim tejet të madh në rrethin e ngushtë të burrit të saj.

Bennett ka nisur fushatën si politikan i krahut të djathtë para zgjedhjeve të muajit mars dhe është zotuar para televizionit kombëtar, duke thënë se nuk do ta lejonte kurrë Yair Lapid, rivalin kryesor të Netanyahut, që të bëhej kryeministër.

Mirëpo kur është bërë e qartë se Netanyahu nuk mund të formonte koalicionin qeverisës, kjo ka qenë pikërisht ajo që ka bërë Bennett, duke u pajtuar që të shërbejë si kryeministër për dy vjet, para se t’ia dorëzojë mandatin Lapid, i cili konsiderohet arkitekt i koalicionit të ri.

Mbështetësit e Netanyahut e kanë shpallur Bennettin si tradhtar, duke thënë se ai ka mashtruar votuesit. Bennett ka mbrojtur vendimin e tij, duke e konsideruar pragmatik, me qëllim të bashkimit të shtetit dhe anashkalimit të raundit të pesë të zgjedhjeve.

Ndyshim gjeneratash

Bennett, hebre ortodoks modern, do të jetë kryeministri i parë i Izraelit që vendos vazhdimisht kapelën, e cila karakterizon hebrenjtë. Ai jeton në lagjen Raanana të Tel Avivit.

Ai ka nisur jetën në Haifa, me prindër të lindur në Shtetet e Bashkuara, dhe më pas ka kaluar kohën me familjen mes Amerikës Veriore dhe Izraelit, ka kryer shërbimin ushtarak, ka kryer studimet për çështje ligjore dhe ka punuar në sektorin privat.

Përgjatë kësaj kohe, ai e krijuar një imazh për veten si zyrtar modern, fetar dhe nacionalist.

Pas shërbimit në njësitin elitë Sayeret Matkal, Bennett ka kryer studimet për çështje ligjore në Universitetin e Hebrenjve. Më 1999, ai ka bashkudhëhequr një kompani softuerike Cyota, e cila i është shitur kompanisë amerikane në fushën e sigurisë RSA për 145 milionë dollarë më 2005.

Bennett ka thënë se përvoja e keqe e luftës së vitit 2006 në mes të Izraelit dhe grupit militant Hezbollah e ka shtyrë atë në politikë. Lufta e gjatë për disa muaj nuk ka pasur ndonjë përfundim dhe udhëheqësia e asaj kohe është kritikuar ashpër.

Bennett përfaqëson gjeneratën e tretë të liderëve izraelitë, pas themeluesve të shtetit dhe gjeneratës së Netanyahut, e cila ka ardhur në pah gjatë viteve të tensionuara, të shënuara me luftëra të përsëritura me shtetet arabe.

“Ai është izraelit i versionit 3.0”, ka thënë Anshel Pfeffer, kolumnist për gazetën e krahu të majtë Haaretz.

“Një nacionalist hebre, por jo në të vërtetë dogmatik. Pak fetar, por jo i devotshëm. Njeri i ushtrisë që preferon jetën civile urbane dhe ndërmarrës që nuk synon të bëjë miliona. Mbështetës i Tokës së Madhe të Izraelit, por jo banor i zonës së vendbanimeve të zgjeruara. Dhe mund të mos jetë as politikan për kohë të gjatë po ashtu”.

Burimi: Radio Evropa e Lire

lajme

Demokratët marrin Kongresin, çfarë do të thotë kjo për Evropën dhe tregjet globale?

Published

on

By

Donald Trump ka pësuar një nga humbjet më të rënda të karrierës së tij politike, pasi republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit ndaj demokratëve në një votim që u shndërrua në një vendim për presidencën e tij.

Deri në orën 07:40 CET sipas orës lokale, demokratët kishin fituar 25 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i çuar ata në 220, dy më shumë se 218 vendet e nevojshme për shumicën.

Në Senat, ata morën shtatë vende nga republikanët, duke përfshirë Teksasin, Ohajon, Kansasin dhe Mainin.

Çmimet e larta ndikuan rëndë mbi votuesit. Rreth dy të tretat thanë në një anketë të ditës së zgjedhjeve se tarifat e Trump kishin dëmtuar ekonominë.

Presidenti tha se do t’i pranonte rezultatet, por shtoi: “Nuk e shoh si një goditje ndaj meje.”

Ai gjithashtu e bëri të qartë se do të përdorte veton e tij për të bllokuar axhendën e demokratëve, duke postuar një fotografi të një kapeleje të kuqe me fjalën “VETO” të qepur mbi të. Por sa mund të ndryshojë realisht një Kongres Demokratik për Evropën dhe për tregjet?

A do t’i japë fund kërcënimit të tarifave ndaj Evropës një Kongres Demokratik? Ndoshta jo, sepse tarifat e Trump nuk varen më nga Kongresi.

Pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi tarifat e tij të emergjencës në shkurt, administrata i zhvendosi ato sipas Seksionit 301 të ligjit tregtar të SHBA-së. Kjo rrugë i lejon presidentit të veprojë pa votën e ligjvënësve.

Demokratët mund të mbajnë seanca dëgjimore dhe të ngadalësojnë kandidatët e tij, por ata nuk mund t’ia heqin lehtësisht këtë pushtet.

James Smith, ekonomist i tregjeve të zhvilluara në bankën holandeze ING, beson se një Uashington i ndarë mund ta shtyjë presidentin të mbështetet më shumë tek ai.

“Ashtu si politika e jashtme, tregtia është një tjetër fuqi që presidenti mund ta ushtrojë në mënyrë të njëanshme pa Kongresin”, tha Smith në një shënim para votimit.

Ai nuk përjashtoi tarifat e reja ndaj Evropës, të cilat, sipas tij, do të kishin shumë rëndësi për inflacionin në SHBA dhe për Rezervën Federale.

Çfarë do të ndodhë me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën?

Demokratët do të kryesojnë komisionet e Senatit dhe do të vendosin se cilët nga të nominuarit e Trump do të konfirmohen kur Kongresi i ri të marrë detyrën në janar. Shumë prej tyre duan gjithashtu të miratojnë fonde të reja për Ukrainën.

Pjesa më e vështirë është shpenzimi i këtyre parave. Gjatë dy viteve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka anuluar fondet e miratuara tashmë nga Kongresi duke i mbajtur ato deri në fund të vitit fiskal, kur ato skadojnë.

“Në praktikë, kjo do të thotë që një Kongres Demokratik mund të shkruajë ligjin për paratë për Ukrainën ose ndihmën për zhvillim dhe presidenti mund të mos i shpenzojë ato”, tha në një koment muajin e kaluar Joan Lee nga Nevada, bashkëpunëtore politike në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Këshilla e saj për qeveritë evropiane është të mbështeten vetëm te paratë që vijnë realisht.

“Evropianët duhet t’i trajtojnë fondet e destinuara si qëllim, jo ​​si angazhim”, tha Lee.

Si reaguan tregjet?

Investitorët ishin kryesisht të qetë. Euro u rrit me 0.4% në 1.1232 dollarë deri në orën 07:00 CET, ndërsa dollari u dobësua kundrejt valutave të tjera kryesore. Ari fitoi 2% në 4,011 dollarë për ons, përsëri mbi 4,000 dollarë, dhe argjendi u rrit me 3.4% në 51.49 dollarë.

Kontratat e ardhshme të aksioneve ishin pak më të ulëta në të dyja anët e Atlantikut. Kontratat e ardhshme të S&P 500 ranë me 0.3%, dhe kontratat e ardhshme të Nasdaq 100 ranë me 0.4%, ndërsa kontratat e ardhshme për Euro Stoxx 50 dhe DAX të Gjermanisë ranë rreth 0.5% përpara hapjes.

Obligacionet qeveritare amerikane u rritën. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të thesarit ra me 2.9 pikë bazë në 4.94%, rendimenti i obligacionit 2-vjeçar ra në 4.61% dhe rendimenti i obligacionit 30-vjeçar në 5.32%. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të Bund-it të Gjermanisë u mbyll të martën në 3.33%, përpara se të dilnin rezultatet.

Bitcoin ndryshoi pak në rreth 77,700 dollarë, dhe nafta e papërpunuar Brent u tregtua afër 104 dollarëve për fuçi.

A është një Uashington i ndarë mirë për investitorët?

Tregjeve zakonisht u ka pëlqyer. Kur Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk pajtohen, miratohen më pak ligje të mëdha dhe kjo do të thotë më pak surpriza.

Historia gjithashtu favorizon mbajtësit e obligacioneve. Në tre muajt pas zgjedhjeve të kaluara të mesit të mandatit, rendimentet e obligacioneve 10-vjeçare të thesarit kanë rënë mesatarisht me rreth 20 deri në 25 pikë bazë, sipas Luca Bindelli, kreu i strategjisë së investimeve në bankën private zvicerane Lombard Odier.

“Ne mendojmë se një fitore e demokratëve do të ishte nga neutrale deri pak pozitive për perspektivën fiskale. Kongresi mund të frenojë axhendën ekspansioniste të Trump dhe, bashkë me të, edhe deficitin”, tha në komentet e dërguara me email Diego Barnuevo, analist tregu në kompaninë e pagesave Ebury.

Çfarë do të ndodhë më pas me euron?

Analistët e valutave dyshojnë se zgjedhjet do të ndryshojnë shumë për një kohë të gjatë. Për dollarin, Rezerva Federale ende ka më shumë rëndësi sesa Kongresi.

“Monedha e gjelbër vazhdon të reagojë kryesisht ndaj historisë së Rezervës Federale, e cila nuk duhet të përballet me një ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë nga rezultati afatmesëm”, thanë Francesco Pesole, strateg i FX në ING, dhe kolegët e tij në një shënim të martën.

Edhe euro ka problemet e veta. Çmimet e energjisë janë ende të larta kryesisht për shkak të luftës me Iranin, ING pret që inflacioni i eurozonës të qëndrojë rreth 4% dhe investitorët po kërkojnë më shumë për të mbajtur obligacione qeveritare franceze.

Kongresi i ri merr detyrën në janar. Deri atëherë, Trump ruan shumicën republikane në të dyja dhomat, dhe edhe pas kësaj, stilolapsi i tij i vetos do të jetë ende në tavolinë.

/EuroNews/

Continue Reading

Live

Fitore historike në Michigan: Abdul El-Sayed bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së

Published

on

By

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka fituar garën e ngushtë për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke hyrë në histori si senatori i parë mysliman i Shteteve të Bashkuara, sipas projeksioneve të rrjeteve kryesore mediatike amerikane.

Fitorja e El-Sayed në Michigan i shtohet një serë humbjesh radhazi për Partinë Republikane në garat kyçe për Senat, përfshirë ato në Iowa, Kansas, Ohio, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas.

El-Sayed, i cili përfaqëson krahun progresist të demokratëve, u përball me sfida të shumta gjatë fushatës. Mes tyre ishte edhe mbështetja që demokratja e moderuar Haley Stevens – të cilën ai e kishte mposhtur më parë në zgjedhjet brendapartiake – i dha publikisht rivalit të tij republikan, Mike Rogers, të mbështetur nga presidenti Donald Trump.

Suksesi i tij zgjedhor përbën një goditje direkte politike për administratën Trump. Gjatë fushatës, Presidenti e pati sulmuar vazhdimisht kandidatin demokrat me retorikë të ashpër dhe me përdorim të gjuhës islamofobike. Në fjalimin e tij pas shpalljes së fitores, El-Sayed iu referua këtyre sulmeve duke e cilësuar procesin si “një nga fushatat më të shëmtuara” që kishte përjetuar ndonjëherë.

Nga ana tjetër, rivali republikan Mike Rogers u kërkoi mbështetësve të tij të largoheshin nga shtabi elektoral në orët e para të mëngjesit, edhe pse këmbënguli se po përcillte me vëmendje procesin e numërimit. Kjo arritje në Michigan vulos një tjetër humbje strategjike për republikanët dhe konfirmon ndryshimet e mëdha në përbërjen e Senatit amerikan gjatë këtyre zgjedhjeve të mesmandatit. /CBS News/

Continue Reading

Live

Ekonomia, lufta me Iranin dhe korrupsioni: Pse i kushtuan shtrenjtë Partisë Republikane zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Published

on

By

Rezultati zhgënjyes i Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka ardhur si një faturë e rëndë që qytetarët amerikanë ia kanë paraqitur administratës së Presidentit Donald Trump për mënyrën e qeverisjes gjatë këtyre viteve. Sipas të dhënave të para të një sondazhi të gjerë të realizuar nga kompania SSRS, gjendja e rënduar ekonomike dhe shqetësimet e thella rreth demokracisë ishin faktorët kryesorë që vulosën këtë kthesë të madhe politike.

Pothuajse dy të tretat e të anketuarve kanë theksuar se politikat e ndjekura nga Presidenti Trump i kanë përkeqësuar kushtet ekonomike në vend. Më shumë se katër në dhjetë qytetarë u shprehën se familja e tyre ndodhet në një gjendje ekonomike më të keqe krahasuar me dy vjet më parë, ndërsa gjashtë në dhjetë prej tyre u deklaruan jashtëzakonisht të shqetësuar për çmimet e kripura të benzinës dhe ushqimeve. Për më tepër, pjesa dërrmuese e votuesve ia atribuojnë rritjen e këtyre çmimeve vetë vendimeve të administratës, duke hedhur poshtë argumentet e faktorëve të jashtëm.

Në vendimin e votuesve peshë të madhe kanë pasur edhe zhvillimet e jashtme gjeopolitike, veçanërisht veprimet ushtarake kundër Iranit. Gjashtë në dhjetë të anketuar e cilësuan ndërhyrjen e SHBA-së si një vendim të gabuar, ndërsa tre të katërtat e tyre e konsideruan këtë konflikt si një faktor vendimtar ose tejet të rëndësishëm në përcaktimin e votës për Kongresin. Këtyre pakënaqësive iu shtuan edhe shqetësimet e përhapura për korrupsionin qeveritar, të cilin 90% e pjesëmarrësve në sondazh e panë si shtyllë kryesore të ndikimit në kutitë e votimit, si dhe pakënaqësia ndaj mënyrës së funksionimit të agjencive të zbatimit të ligjit të emigracionit.

Përballë këtij rezultati, Presidenti Donald Trump është shprehur i habitur, duke deklaruar se gjatë fushatës ndjente një energji tejet pozitive në tubimet me qytetarët amerikanë. Megjithatë, ai e ka pranuar humbjen dhe ka pohuar se Demokratët bënë një punë të mirë, duke lënë të kuptohet se pret një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen. Në një prononcim për The New York Times, Trump ka theksuar se po të kishte qenë emri i tij personalisht në fletën e votimit, ishte i bindur se rezultati do të ishte fitues.

Pavarësisht tronditjes politike që pësoi partia e tij, e cila u reflektua edhe me fitore historike të demokratëve në shtete tradicionale si Teksasi, sondazhi ka nxjerrë në pah një element pozitiv për demokracinë amerikane: shumica dërrmuese e qytetarëve ruajnë besimin se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të drejtë dhe se votat e tyre janë numëruar me saktësi të plotë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Triumf historik i opozitës në SHBA: Demokratët marrin kontrollin e plotë të Kongresit

Published

on

By

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë një përmbysje të madhe politike, ku Partia Demokratike ka arritur të marrë kontrollin e plotë të Kongresit, duke siguruar shumicën si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo fitore e thellë e opozitës përmbys balancën e pushtetit në Uashington dhe pritet t’ia vështirësojë ndjeshëm zbatimin e agjendës politike Presidentit Donald Trump gjatë dy viteve të mbetura të mandatit të tij.

Rezultati i zgjedhjeve pasqyron një pakënaqësi të gjerë të elektoratit amerikan lidhur me çmimet e larta të jetesës, rritjen e kostos së naftës, zhvillimet rreth luftës në Iran si dhe shqetësimet për korrupsionin në nivel qeveritar. Përmes një deklarate për rrjetin Fox News, vetë Presidenti Trump e ka pranuar humbjen e partisë së tij, duke pohuar se lufta me Iranin dhe inflacioni patën një ndikim të madh në zgjedhje, ndërsa pranoi se demokratët bënë një punë mjaft të mirë gjatë fushatës.

Rruga e demokratëve drejt shumicës në Senat u realizua përmes fitoreve të papritura edhe në disa nga shtetet tradicionalisht më konservatore. Kandidatët demokratë arritën të përmbysin rezultatet në Iowa, Kansas, Teksas, Carolinën e Jugut, Ohio dhe Carolinën e Veriut, si dhe mbrojtën me sukses ulëset kyçe në Gjeorgji dhe New Hampshire. Po ashtu, në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mposhtën disa zyrtarë të lartë republikanë në zona me peshë të madhe elektorale si Pennsylvania dhe New Jersey.

Me marrjen e kontrollit të Kongresit nga ana e opozitës, administrata e Presidentit Trump do të përballet me pengesa të mëdha për kalimin e reformave legjislative dhe emërimeve në Gjykatën Supreme. Nga ana e tij, Trump është zotuar se do të përdorë të drejtën e vetos presidenciale për të bllokuar nismat ligjore të demokratëve, një paralajmërim ky që sinjalizon hyrjen e Uashingtonit në një periudhë të fortë bllokade politike./ Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara