Lajmet

Kusari-Lila: Çmimet e derivateve mund të bien, por jo në mënyrë të ndjeshme

Published

on

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë ulje në ditët në vijim, por rënia pritet të jetë e vogël.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ajo tha se importi i naftës ka shënuar një rënie të lehtë dhe, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë ulje prej një deri në dy centë për litër.

Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI po shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për operatorët e derivateve, duke vlerësuar se kjo masë ka ndihmuar në frenimin e rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Sipas saj, pa këtë masë, çmimi i naftës mund të ishte edhe më i lartë, për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit veror dhe numrit më të madh të automjeteve që hyjnë në Kosovë.

Ajo tha se ministria po shqyrton edhe ndryshimin e mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve, ndërsa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e naftarëve, të cilët kanë kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.

Kusari-Lila theksoi se vendimi duhet të balancojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesat e bizneseve të këtij sektori./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Varreza masive në Kalludër të Zubin Potokut, Gërvalla: Shpresojmë në rezultate të sakta

Published

on

By

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar fshatin Kalludër e Vogël, në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime për mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit, raporton Ekonomia Online.

Gërvalla, ka thënë se presin që sa më shpejtë të kenë rezultate të sakta dhe konkrete.

“Këtu gjithçka është duke u bërë profesionalisht. Të gjitha njësitë e përfshira në punë janë duke bërë punën e tyre dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta edhe sa më konkrete, me qëllim që të mund të paktën familjarët e atyre që gjinden këtu t’i informojmë që mund t’i varrosin më në fund. Mirëpo nuk është koha për spekulime, nuk është koha për fjalë të mëdha dhe zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre edhe pastaj të shohim se kush ndodhet poshtë edhe a ka më shumë, apo më pak, apo se si do të vejë puna”, theksoi ajo.

“Unë mendoj që është lajm i mirë që është gërmuar, është lajm i mirë që gërmimi ka sjellë rezultat, edhe është lajm i mirë që çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj kemi institucione të cilat janë të përkushtuara për gjetjen e varrezave masive, por edhe për rritjen e presionit ndaj Serbisë: një, për të hapur arkivat dhe e dyta, për të dorëzuar të gjithë të pagjeturit, dhe mbi të gjitha për të siguruar që gjëra të tilla nuk ndodhin më asnjëherë në vendin tonë!”, tha ajo.

Burimi: Ekonomia Online

Continue Reading

Lajmet

Burri i presidentes e quajti vrasës, Përparim Rama paralajmëron padi ndaj Alban Krasniqit

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi ndaj bashkëshortit të ushtrueses së detyrës të presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e njëherazi edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, pasi ky i fundit e quajti “vrasës”.

Krasniqi i tha kështu në një koment që bëri në postimin e Ramës për shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit në rrugën A, e të cilin i pari i Prishtinës e kishte shoqëruar me shprehjen “Mirëmëngjesi nga Rruga A”

“Jo mirëmëngjesi, por alo prokurororia or vrasës”, shkroi Krasniqi, që e zgjati më tepër se që duhet emrin prokurori, teksa e lidhi këtë koment me rastin e vdekjes së një punëtori në një objekt në ndërtim në kryeqytet, të martën pasdite.

Rama reagoi më pas, duke e cilësuar gjuhë të urrejtjes atë që shkroi bashkëshorti i presidentes Haxhiu teksa shtoi se përpjekjet për t’ia atribuuar Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për rastin tragjik janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi”, shkroi Rama, duke shtuar se është shqetësuese që, sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit “ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale”.

Ai theksoi se, sipas ligjit, verifikimi i sigurisë teknike të vinçave, kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.

Sipas Ramës, Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës ka kompetenca që lidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe ndërmarrjen e masave administrative të parashikuara me ligj.

Në postimin e tij të gjatë prefekti i Prishtinës bëri me dije se Krasniqi do të përballet me drejtësinë, për atë që shkroi.

“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, shkroi Rama.

Në të njëjtin reagim, ai tha se gjuha e këtillë e urrejtjes dhe linçimit “është identitet i Vetëvendosjes”, për të cilën pati shumë kritika dhe akuza.

‘Shqetësuese është që edhe pas 6 vjetësh në institucionet e Republikës së Kosovës, institucione që dikur i sulmonin dhe i shkatërronin me gurë, molotovë e gaz lotsjellës, ndërsa sot, fatkeqësisht, i udhëheqin, ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale” thuhet në postimin e Ramës. “Përtej kësaj, krejt çka kanë ditur të bëjnë është krijimi i ‘Lule Gjelave’ për të intimiduar, linçuar e shantazhuar këtë popull”.

Rama tha se humbja e jetës së punëtorit është një tragjedi, por shtoi se përgjegjësitë duhet të përcaktohen sipas ligjit dhe jo përmes, siç u shpreh ai, “linçimit politik”.

“Fatkeqësia, përveç humbjes së një jete, është fakti që qeverisja u ka rënë në dorë këtyre njerëzve të paditun e të frustruar! Për 6 vjet qeverisje, investim kapital kanë një ‘vadë në Lupç’ dhe një ‘urë 12 metra në Saradran’”, vazhdoi ai.

Në fund të reagimit, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj pushtetit, duke e akuzuar për ‘subvencionim të hallave e dajave, nënvlerësim të çdo epoke dhe çdo familjeje të lavdishme të këtij vendi, mosrespektim të çdo organi të Republikës së Kosovës e deri te, sic tha, shkatërrimi i raporteve me partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë.

‘Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, shkroi kryetari i kryeqytetit. “Por, ky popull ka me ju kthy në rrugë, aty ku e keni vendin, aty ku ju përshtatet ky fjalor e këto veprime, aty ku secili prej jush e ka nis aktivitetin, duke e cënu sigurinë e policëve të Kosovës dhe duke i djeg e shkatërru institucionet e Republikës me gurë, gaz lotsjellës e me molotovë!”. /KosovaPress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Instituti thotë se edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste ministria nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me ato që kanë vendosur gjykatat.

IKD-ja thekson se ka raste kur, edhe pse e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos marrin përfitimet që u janë njohur me vendim të formës së prerë.

Po ashtu, sipas institutit, kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ministria në disa raste nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim, pa respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.

IKD-ja ka vlerësuar se kjo praktikë cenon sigurinë juridike, autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e “res judicata”, duke i detyruar qytetarët të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.

“Neni 394 i Kodit Penal e konsideron vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim. Në rrethana të caktuara mund të ngrihen dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim.

IKD-ja kërkon nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

Njëkohësisht, IKD-ja i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet për shkak të dyshimeve për moszbatim të vendimeve gjyqësore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dokumentohen mbi 12 mijë viktima të luftës në Kosovë

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për periudhën 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës në Kosovë, përfshirë 1.047 fëmijë të vrarë, 94 që humbën jetën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa fati i rreth 100 fëmijëve të zhdukur ende nuk dihet.

Në lansimin e Raportit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Kurti tha se vetëm gjatë periudhës mars-qershor 1999 u vranë rreth 9 mijë persona.

Ai theksoi se raporti i publikuar paraqet metodologjinë mbi të cilën është ndërtuar lista e viktimave dhe procesin e mbledhjes së të dhënave, duke shtuar se lista është preliminare dhe do të vazhdojë të plotësohet me dëshmi të reja.

“Pa dokumentim nuk ka kujtesë, drejtësi dhe paqe të qëndrueshme”, deklaroi Kurti, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që posedojnë informacione të bashkëpunojnë me institutin.

Kryeministri në detyrë kritikoi Serbinë për, siç tha, moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel dhe refuzimin për hapjen e arkivave ushtarake.

“U bëj thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të ndryshojë vendimin për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve deri në vitin 2044 dhe të hapen arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të sigurohen informacione për fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, tha Kurti.

Ndërkaq, drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, tha se raporti nuk përfshin 267 raste që figuronin në lista të mëparshme, pasi bëhet fjalë për persona të vrarë jashtë territorit të Kosovës.

“Ky përjashtim nuk ua mohon statusin e viktimës, por lidhet me mosplotësimin e kritereve të raportit”, tha Hetemi.

Sipas tij, raporti është hartuar duke u mbështetur në burime institucionale, dëshmi të familjarëve dhe hulumtime shtesë të institutit, mbi parimet e plotësueshmërisë, krahasueshmërisë, gjurmueshmërisë dhe integritetit të të dhënave.

Sipas Hetemit, analiza demografike tregon se numri më i madh i viktimave kanë qenë meshkuj, ndërsa grupmosha më e prekur ka qenë ajo 18 deri në 50 vjeç. Ai shtoi se ndër grupet më të cenueshme kanë qenë fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Hetemi tha se rajonet më të prekura nga viktimat e luftës kanë qenë Gjakova, Mitrovica dhe Prishtina, ndërsa rajoni i Gjilanit rezulton të jetë më pak i prekur.

Në aspektin kohor, ai theksoi se numri më i madh i viktimave është regjistruar gjatë vitit 1999, veçanërisht në muajt e parë të atij viti./Kosovapress//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara