Published
5 years agoon
By
Betim GashiNë Bruksel kanë filluar ndërkohë takimet e nivelit të lartë. Fillimisht takohet kryeministri Kurti me të ngarkuarin e BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosav Lajçak. Më pas presidenti serb, Vuçiq takohet me dy përfaqësuesit e BE dhe në fund zhvillohet takimi trilateral, mes Josep Borrell e Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Para takimit, i ngarkuari i BE për Politikëne Jashtme, Josep Borrell publikoi një deklaratë. “Sot bashkë me Miroslav Lajçak do të jemi nikoqirë të një takimi të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në kohën kur Bashkimi Europian do të takohet me presidentin Joe Biden këtu në Bruksel. Është kënaqësi të takoj dhe të mirëpres në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo shumë kohë pas vizitës bilaterale në Bruksel.
Borrell theksoi, se i ka inkurajuar të dy që të vazhdojnë me takimet në kuadër të dialogut, pa vonesa, dhe me fokusin për të prodhuar rezultate pavarësisht të gjitha pengesave ekzistuese. “Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes europiane për të dyja vendet.”
Proces që nuk mund të parashikohet
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, e tani do të vazhdojë me një takim në nivelin më të lartë politik më 15 qershor, kur për herë të parë sy më sy do të takohen presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Para raundit të ri të bisedimeve që do të mbahet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, diplomatët evropianë thonë se e vetmja gjë e sigurt që pritet është mbajtja e takimit Vuçiq-Kurti. Ndërkohë që rezultatet e mundshme të bisedimeve dhe as hapat e ardhshëm të mundshëm në këtë proces nuk mund të parashikohet.
“Të dy bashkëbiseduesit u zotuan se do të vijnë në takim të martën. Ne nuk mund të planifikojmë asgjë më shumë se kaq. Nëse ata do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo jo, nëse të gjithë do të jenë konstruktivë, nëse do të bien dakord se si të procedohet me procesin apo jo, gjithçka mbetet për t’u parë të martën”, thonë burimet diplomatike nga Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme. Vlerësime të tilla të kujdesshme të ndërmjetësuesve në dialog bazohen në faktin se të dy negociatorët vijnë në Bruksel me pozicione krejtësisht të ndryshme për gati të gjitha temat – prej kornizës, parimeve, përbërjes e deri tek rezultati i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti thotë se do të fillojë një “dialog i ri”, i cili “nuk mund të vazhdojë në formën e mëparshme”.
“Ne duam një dialog të përgatitur mirë, ku të gjithë duhet të jemi të barabartë”, thotë Kurti duke shtuar se zgjidhja duhet të çojë në njohjen e reciproke mes këtyre dy vendeve. Ndërsa për presidentin e Serbisë, njohja e ndërsjellë është jashtë diskutimit. Vuçiq e sheh zgjidhjen në kompromis, të cilin ai e përcakton gjerësisht “me mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare të Serbisë dhe popullit serb”. Beogradi mendon se fillimisht duhet të flitet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në përgjigje ndaj qëndrimeve të Kurtit se nuk do të ketë Asociacion njëetnik në territorin e Kosovës, Vuçiq i rekomandoi kryeministrit të Kosovës “që të mos vie fare në takimin e Brukselit nëse nuk dëshiron të diskutojë për formimin e Asociacionit”.
A do të ndërhyjë Bideni?

Duke pasur parasysh pozicione kaq të ndryshme, si dhe faktin që të dy udhëheqësit po takohen “ballë për ballë” për herë të parë, Bashkimi Evropian parashikon skenarë të ndryshëm të mundshëm, për vazhdimin e dialogut.
“Nëse gjërat shkojnë në drejtim pozitiv, ndoshta udhëheqësit vendosin që pas takimit të parashikuar të zgjasë katër orë, të vazhdojnë bisedimet në një drekë dypalëshe, gjë që ne me siguri do t’ua mundësonim”. Nëse ndodh ndonjë situatë e paparashikuar, ndonjë problem apo njëri nga bashkëbiseduesit nuk pajtohet me vazhdimin e procesit, shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell, është i gatshëm të flasë drejtpërdrejt edhe me presidentin e SHBA, Joseph Bidenpër këtë çështje. Ata të dy do të takohen në kuadër të samitit BE – SHBA”, bëjnë të ditur burimet diplomatike në Bruksel.
Vihet re se pas ndryshimit të administratës në Uashington, BE-ja gjithnjë e më shpesh po flet në shumës për “pritjet e BE dhe SHBA” nga Beogradi dhe Prishtina. Pasi që Albin Kurti i tha hapur Brukselit se ai do të paraqitej në bisedime me Beogradin kur të ishte “gati” për këto bisedime, e jo kur të njoftohej nga shefi i diplomacisë së BE Josep Borrell, nga Uashingtoni pritet që ai të përdorë influencën e tij për të “përgatitur” kryeministrin e Kosovës për negociata konstruktive.
Dy liderë me mandate të fuqishme
Njohësit e Kurtit paralajmërojnë se ai është “më i vështirë për bashkëpunim” jo vetëm për Brukselin, por edhe për Uashingtonin, krahasuar me paraardhësit e tij në Kosovë. BE i përgjigjet Kurtit se “nuk do të ketë një dialog të ri”, por bëhet fjalë për vazhdimin e procesit të filluar në vitin 2011, i cili “ka mbetur i njëjtë pavarësisht ndryshimeve të partnerëve dhe qeverive në Beograd dhe Prishtinë”. Në një nga dokumentet e punës të paraqitura nga Shërbimi Evropian për Politikë të Jashtme, muajin e kaluar, parashikohet mundësinë e arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të 2021. Shumëkush e vlerëson këtë si një optimizëm të pabazuar, në një situatë kur as zhvillimi i një takimit të vetëm nuk mund të parashikohet. Por nga ana tjetër, nëse dy liderë me mandate kaq të forta të fituara në zgjedhje, e gjejnë ndonjë hapësirë për marrëveshje, atëherë zgjidhja e “çështjes së Kosovës” nuk ka qenë kurrë më afër.DW
You may like
Vendi
Policia konfiskon mbi 1200 palë xhinse në Banjskë
Published
4 minutes agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të madhe të mallit të kontrabanduar në zonën e fshatit Banjskë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, njësitet policore kanë vënë në ndjekje një automjet pa targa që lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugët malore, i cili më pas është gjetur i braktisur nga personat e dyshimtë.
Brenda veturës, policia gjeti 32 thasë me gjithsej 1217 palë pantallona xhins dhe mbi 300 rripa, të cilët po transportoheshin ilegalisht.
Përveç mallit, në automjet u gjetën edhe një palë targa të Serbisë, një radiolidhje dhe një kanistër me naftë.
Malli i konfiskuar i ka kaluar Doganës së Kosovës, ndërsa me udhëzim të prokurorit, rasti po vazhdon të hetohet.
Aktualitet
Ultimatumi i Trumpit: “Irani mund të shkatërrohet brenda një nate”
Published
2 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërimin më të ashpër deri më tani ndaj Teheranit, duke kërcënuar me shkatërrim total të infrastrukturës kyçe nëse nuk arrihet një marrëveshje e menjëhershme. Gjatë një konference dramatike për media këtë të hënë, Trump njoftoi se Irani ka afat deri të martën në orën 20:00 për të plotësuar kërkesat amerikane dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Misioni “pothuajse i pamundur” i shpëtimit
Konferenca nisi me njoftimin për një operacion historik shpëtimi të dy ushtarakëve amerikanë, avioni i të cilëve (F-15) ishte rrëzuar në territorin iranian.
Operacioni përfshiu mbi 150 avionë dhe një “fushatë mashtruese” të inteligjencës për të ngatërruar forcat iraniane.
Njëri nga pilotët, i plagosur rëndë, mbijetoi 48 orë në terren armiqësor, duke mjekuar veten dhe duke u ngjitur nëpër shkëmbinj për të transmetuar vendndodhjen.
Trump pranoi se kishte kundërshtime nga zyrtarë ushtarakë për shkak të rrezikut të lartë, por ai e miratoi personalisht misionin, i cili përfundoi pa asnjë viktimë amerikane.
Kërcënimi për shkatërrim total
Trump ishte i prerë sa i përket hapave të radhës nëse Irani nuk zmbrapset nga bllokada e naftës:
“I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër,” deklaroi ai, duke iu referuar mundësisë së bombardimit të termocentraleve dhe urave.
I pyetur nëse këto goditje do të konsideroheshin krime lufte, presidenti u përgjigj shkurt: “Jo. Shpresoj të mos më duhet ta bëj.”
Teherani zyrtar i ka cilësuar fjalët e Trumpit si “retorikë arrogante”. Ata kanë refuzuar një propozim paqeje prej 15 pikash të ofruar nga Uashingtoni, ndërkohë që luftimet mes Izraelit dhe Iranit janë intensifikuar. Raportet e fundit flasin për të paktën 19 të vdekur nga sulmet ajrore pranë Teheranit.
Një moment tensioni në konferencë ishte kur Trump kërcënoi me burgim një gazetar (pa ia përmendur emrin) që kishte publikuar detaje për pilotin e bllokuar para se të përfundonte misioni. Ai argumentoi se rrjedhja e informacionit vuri në rrezik jetën e ushtarëve dhe sigurinë kombëtare.
Në qendër të konfliktit mbetet kontrolli i Ngushticës së Hormuzit. Trump theksoi se SHBA ka neutralizuar pjesën dërrmuese të forcave detare iraniane, por paralajmëroi se mjafton “një terrorist me një kamion dhe një minë uji” për të paralizuar transportin global të naftës.
Pavarësisht gjuhës së ashpër, Trump pretendoi se negociatat po vazhdojnë dhe se, sipas tij, shumë civilë iranianë e shohin ndërhyrjen amerikane si një “rrugë drejt lirisë” nga regjimi aktual.
Vendi
Shtrenjtohet sërish nafta: MINT publikon çmimet tavan për të martën
Published
3 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve në tregun e Kosovës për ditën e martë. Sipas të dhënave të reja, çmimi i naftës ka shënuar rritje, ndërsa benzina ka pësuar një rënie të lehtë.
Në bazë të vendimit të publikuar nga ministria, çmimet tavan për litër janë:
- Nafta (Dizel): 1.88 euro (nga 1.86 sa ishte të hënën)
- Benzina: 1.46 euro (nga 1.49 sa ishte të hënën)
- Gazi: 0.74 euro
MINT njofton se do të vazhdojë të publikojë çdo ditë, deri në orën 10:00, çmimet maksimale të lejuara bazuar në mekanizmin e ri të rregullimit të tregut. Ky çmim llogaritet mbi mesataren e importeve të fundit, ku shitësit me pakicë lejohen të shtojnë deri në 12 centë mbi çmimin e furnizimit, ndërsa ata me shumicë deri në 2 centë.
Rritja e çmimeve në tregun vendor është reflektim i situatës së tensionuar në nivel global.
Që nga 28 shkurti, tregjet e naftës janë destabilizuar pas nisjes së konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Situata është rënduar veçanërisht pas vendimit të Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Kjo pikë strategjike është jetike për ekonominë botërore, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë, duke shkaktuar kështu mungesa dhe rritje të menjëhershme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Lajmet
Marca: Lotët e një “luftëtari” – Si e gjunjëzoi Vedat Muriqi Real Madridin dhe emocionoi botën
Published
3 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Gazetari i famshëm i prestigjiozes spanjolle “Marca”, i ka dedikuar një shkrim prekës sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, pas fitores dramatike të Mallorcas ndaj Real Madridit. Ai e përshkruan Muriqin jo thjesht si një futbollist, por si një njeri që triumfoi mbi dhimbjen e së shkuarës.
Fitorja e fundit e Mallorcas kundër gjigantëve të Real Madridit nuk do të mbetet në histori vetëm për pikët e arritura, por për imazhin që po bën xhiron e botës: Vedat Muriqin duke qarë mes fushës.
Sipas raportimit të Marca, sulmuesi nga Prizreni ishte heroi i mbrëmjes duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit. Por, në vend të një festimi pompoz, Muriqi u gjunjëzua në stadiumin “Son Moix” dhe shpërtheu në lot para mijëra tifozëve, duke çliruar gjithë barrën emocionale që mbante prej javësh.
Rrugëtimi mes sakrificave: Nga lufta në Prizren në majat e La Ligës
Gazetari i “Marca” ka gërmuar thellë në jetën e sulmuesit, duke kujtuar se forca e tij vjen nga një fëmijëri e kaluar mes tmerreve të luftës në Kosovë. Ai përshkruan se si Muriqi njohu urinë që në moshën 5-vjeçare dhe u detyrua të linte shkollën që në moshën 15-vjeçare për të punuar, me qëllimin e vetëm për të ndihmuar familjen dhe për të ndjekur ëndrrën e futbollit.
Ky karakter “luftëtari” u vërtetua edhe nga trajneri i tij, Demichelis:
“Muriqi po vuan, por ai është një luftëtar. Historia e tij tregon se ai di si t’i përballojë vështirësitë. Edhe pas gabimeve si ajo penallti ndaj Elches, ai gjeti forcën të ngrihej dhe të bënte këtë performancë të jashtëzakonshme.”
“Edhe unë jam njeri”
Për Muriqin, ky gol ishte një hakmarrje ndaj fatit pas një periudhe të errët, ku humbja e penalltisë me ekipin dhe dështimi i kualifikimit të Kosovës në Botëror e kishin rënduar psikologjikisht.
Pas ndeshjes, ai dha një deklaratë që i preku të gjithë: “Edhe pse nga jashtë mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar, unë jam gjithashtu njeri. Ndonjëherë emocionet dhe nervat më mposhtin.”
Me këtë fitore, Mallorca jo vetëm që u largua nga fundi i tabelës, por gjeti te Muriqi simbolin e shpresës për mbijetesë. Siç e mbyll artikullin gazetari i “Marca”, lotët e Muriqit janë prova se pas çdo luftëtari të madh, fshihet një zemër e ndjeshme që di të triumfojë mbi çdo pengesë.
Policia konfiskon mbi 1200 palë xhinse në Banjskë
100 vjetori i lindjes së Marilyn Monroe do të shënohet me shumë aktivitete kulturore
Spektakël në Prishtinë: Drita dhe Luboteni janë fituesit e Kupës së Kosovës në volejboll
Ultimatumi i Trumpit: “Irani mund të shkatërrohet brenda një nate”
Shtrenjtohet sërish nafta: MINT publikon çmimet tavan për të martën
Marca: Lotët e një “luftëtari” – Si e gjunjëzoi Vedat Muriqi Real Madridin dhe emocionoi botën
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 7 prill, në vitet nëntëdhjetë
Dua Lipa po martohet
Arrestohet një i mitur në Kaçanik për dhunë psikike ndaj familjes
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
