Lajmet

Kurti: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u kthyen në emra referencial për liri

Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982.

Published

on

Në 42-vjetorin e vrasjes, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar tre dëshmorët e kombit që u vranë në një atentat në Gjermani, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke e konsideruar, këtë si “dosje më vete” që tregon për vrasjen politike ndaj shqiptarëve në ekzil.

“Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre”, ka shkruar sot Kurti në facebook.

Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982.

Sipas Kurtit, ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.

“Atë të diel dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba. Një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit”, shkruan Kurti.

Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, sipas kryeministrit, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia.

“Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Lajmet

Arb Manaj lojtari më i vlefshëm në Superligë, i afrohet vlerës së milionëshit

Published

on

Sulmuesi i Dritës, Arb Manaj të dielën e kaluar e fitoi “Topin e Artë” në futbollin e Kosovës, si futbollisti më i mirë i Superligës, i cili iu dha nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Manaj tashmë është edhe futbollisti më i vlefshëm i Superligës së Kosovës, së bashku me futbollistin e Ballkanit, Giovannin.

Sipas “Transfermarkt”, dy lojtarët vlerësohen me 800 mijë euro, me Manajn që me përditësimin e fundit ka arritur këtë shifër dhe është vendosur si i pari në listë.

Manaj këtë sezon ka shënuar tre gola në Superligën e Kosovës, teksa dy të tillë i ka shënuar në Ligën e Konferencës, në fazën e ligës.

Top 5-shen e futbollistëve më të vlefshëm e mbyllin Muhamet Hyseni (650 mijë euro), Senad Jarovic (600 mijë euro) dhe Raddy Ovouka (600 mijë euro)./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Zhegrova mungoi në stërvitjen e Juventusit

Published

on

Juventusi ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Pisas në Serie A, mirëpo, gjatë stërvitjes së sotme, dy yje të skuadrës kanë munguar, Edon Zhegrova dhe mbrojtësi Gleison Bremer.

“Tuttomercatoweb” raporton se nuk ka shqetësim të menjëhershëm, pasi mbrojtësi brazilian po ndjek një program individual dhe një ngarkesë të specializuar pas rikthimit nga një dëmtim afatgjatë.

Edon Zhegrova mungoi në stërvitje pasi thuhet se pati temperaturë të lehtë.

Zhegrova luajti në ndeshjen e fundit ndaj Romës për më shumë se 30 minuta, pasi e zëvendësoi Francisco Conceicaon e lënduar.

Ai ishte faktor kyç në golin e dytë të Juventusit i shënuar nga Lois Openda mirëpo bëri një gabim te goli i pësuar. Ndeshja përfundoi 2-1 për Juventusin.

Lojtarët e tjerë të dëmtuar që nuk morën pjesë ishin Cabal, McKennie, Conceicao, Vlahovic, Gatti dhe Pinsoglio.

Juventusi luan ndaj Pisas të shtunën në mbrëmje në “Arena Garibaldi”, me fillim nga ora 20:45./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Adis Beçiragiq shpallet trajneri i vitit në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

Trajneri i Trepçës, Adis Beçiragiq, është nderuar me çmimin “Trajneri i Vitit” në Bosnje dhe Hercegovinë, në kuadër të ceremonisë tradicionale “Atleti më i Mirë i Bosnjës dhe Hercegovinës”, e cila u mbajt në Sarajevë.

Beçiragiq mori këtë vlerësim falë suksesit historik me përfaqësuesen e basketbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Eurobasket, ku kombëtarja boshnjake siguroi kualifikimin në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian për herë të parë pas 32 vitesh.

Ky rezultat u cilësua si një prej arritjeve më të mëdha të sportit në vend gjatë viteve të fundit, duke e vendosur Beçiragiqin në krye të listës së trajnerëve më të vlerësuar në vendlindje.

Krahas angazhimit me kombëtaren, ai është aktualisht në krye të Trepçës në basketbollin kosovar, ku po konfirmon vazhdimisht nivelin e lartë profesional./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Gjyqtarja shqiptare, Emanuela Rusta përzgjidhet nga FIFA për seminarin ndërkombëtar për Botërorin 2026

Published

on

Gjyqtarja e Superiores shqiptare, Emanuela Rusta, po vazhdon të marrë vëmendjen e institucioneve më të mëdha të futbollit, si FIFA dhe UEFA, madje ajo ka fituar prej kohësh besimin e tyre dhe tani është gati për një hap vendimtar në karrierën e saj dhe një arritje historike për Shqipërinë.

Sipas mediave shqiptare, Rusta është përzgjedhur nga FIFA për të marrë pjesë në një seminar ndërkombëtar që do të mbahet në Zvicër.

Në këtë seminar, të gjithë të ftuarit do të testohen për njohuritë teknike, aftësinë për të punuar në VAR, performancën fizike dhe mprehtësinë për të kapur detajet më të vogla.

Më të mirët që dalin nga ky proces seleksionimi do të angazhohen në turne ndërkombëtare, përfshirë edhe Kupën e Botës 2026.

Nëse Rusta do të përfshihet, kjo do të përfaqësonte një sukses të jashtëzakonshëm për arbitrimin shqiptar, duke shënuar praninë e një gjyqtareje shqiptare në eventet më prestigjioze të futbollit botëror.

Publiku mbetet në pritje të zhvillimeve të seminarit për të mësuar fatin e Emanueles dhe të ardhmen e saj në skenën ndërkombëtare./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara