Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998
22 tetor 1993
New York Times: Serbët përdorën dhunimet si armë terrori në Bosnjë
Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës, ka konkluduar se serbët kanë përdorur dhunimet si armë terrori në luftën e Bosnjës, shkruan gazeta “New York Times” e 19 tetorit. Ky Komision, sipas kësaj gazete, ka mbledhur shënime për 3.000 raste të dhunimeve, ndërsa mbi 800 viktima i ka të evidentuar me emra. Shumica e dhunimeve sistematike janë bërë mes majit dhe dhjetorit të vitit 1992, në rajonet e Bosnës ku spastrimet etnike ishin më te theksuara.
Gazeta po ashtu shkruan se të dhënat që ka grumbulluar ky Komision, janë shumë të ngjashme me ato që Bashkësia Evropiane i ka publikuar në janar të këtij viti. Në raportin që Bashkësia Evropiane e pat lëshuar atëherë, thuhej se dhunimi i femrave i shërbente agresorëve serbë si “qëllim strategji”.
22 tetor 1994
Bukoshi kërkoi nga Zvicra shtyrjen e vendimit për kthimin e refugjatëve
Kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi, siç njofton gazeta e “Bujku”, në një letër që u ka dërguar kryetarit të Konfederatës dhe autoriteteve të tjera të larta zvicerane, ka shfaqur befasinë lidhur me vendimin për kthimin nga Zvicra të në Kosovë të refugjatëve shqiptarë.
Në letrën e tij Bukoshi ka kërkuar rishqyrtimin e atij vendimi dhe ka kërkuar garanci për të kthyerit në Kosovë, që kthimi të bëhet përmes aeroportit të Prishtinës, në mënyrë të organizuar me grupe të mëdha dhe në bashkëpunim me autoritetet e Republikës së Kosovës e vëzhguesit ndërkombëtarë.
Bukoshi ka kërkuar që kthimi i refugjatëve të mos fillojë para pranverës së ardhshme dhe që nga kthimi të përjashtohen dezertorët nga ushtria ish-jugosllave dhe të rinjtë që kanë refuzuar të shërbejnë në ushtrinë serbe dhe të sëmurët që janë në mbikëqyrje mjekësore.
22 tetor 1997
Gjykata serbe ka dënuar 12 persona me 60 ditë burg për shkak se kanë blerë banesa serbe
Administrata e instaluar serbe e qytetit të Prishtinës i ka paraqitur gjykatës komunale 50 kallëzime për kundërvajtje, për shkak se persona të caktuar gjatë periudhës 1 prill-31 gusht 1997 paskan shkelur ligjin special serb që ndalon blerjen e pasurive të serbëve.
Gjykata serbe tashmë ka shqiptuar dënime me burg me nga 60 ditë për 12 persona të denoncuar, të cilët kanë “shkelur” ligjin e përmendur serb dhe kanë blerë banesa në Prishtinë nga serbët. Në procedurë janë edhe 20 denoncime të tjera.
Më parë kanë qenë të dënuar edhe 20 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë, me nga 60 ditë burg po për shkak të kinse shkeljes së këtij ligji serb.
22 tetor 1998
Ushtria serbe vrau katër dhe plagosi dy anëtarë të familjes Sylmetaj nga Gërçina e Gjakovës
Sot, rreth orës 4 të mëngjesit, në rrugën ndërmjet kufirit Kosovë-Shqipëri dhe fshatit Gërçinë të Hasit të Gjakovës, ushtria serbe vrau katër shqiptarë, mes tyre tre fëmijë, dhe plagosi dy të tjerë, njofton Ministria për Informim e Republikës së Kosovës.
Janë vrarë Ramiz Hamzë Sylmetaj (28), Mazllum Ramiz Sylmetaj (2), Muharrem Ramiz Sylmetaj (6) dhe Leonora Gani Sylmetaj (12), të gjithë nga fshati Gërçinë.
Janë plagosur rëndë edhe dy anëtarë të kësaj familjeje, mes të cilëve edhe bashkëshortja e Ramizit, Ajshe Sylmetaj, e cila është dërguar për shërim në spitalin e Gjakovës.
Anëtarët e familjes Sylmetaj po ktheshin nga Shqipëria, ku kishin qëndruar një kohë si refugjatë.
Anëtarë të tjerë të familjes, që kanë shpëtuar, thanë se pjesëtarë të ushtrisë serbe kanë shtënë mbi ta me armë zjarri.
Foto: Sarajeva