Vendi

Kurti takoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan

Kurti u prit në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe mbështetjen për vendin tonë, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, Kurti tha se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në BE dhe përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

U bisedua për rreshtimin e Kosovës me SHBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Kosovës për refugjatët afganë dhe strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

Lajmet

Dogana asgjëson mbi 300 pako shampo të falsifikuara

Published

on

Doganat e Kosovës ka njoftuar se ka asgjësuar 324 pako me shampo të falsifikuara të markës tregtare “Hobby”, në përmbajtje prej 1200 ml. 

Në një njoftim të Doganës thuhet se produktet janë sekuestruar pas procedurave të kontrollit doganor, nën dyshimin se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të mbajtësit të markës.

Pas verifikimit thuhet se është konstatuar se mallrat janë produkte të falsifikuara dhe mund të janë të rrezikshme për shëndetin, andaj si të tilla ndalohen të dalin në qarkullim të lirë.

Dogana ka ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë blerjes së produkteve kozmetike dhe të raportojnë çdo dyshim për produkte të falsifikuara./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Policia heton dy raste të dyshimta: Një grua e vdekur në Prizren dhe një burrë i vdekur në Gjilan

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar dy raste të vdekjeve të dyshimta që kanë ndodhur në 24 orët e fundit.

Një rast ka ndodhur në Prizren ku e vdekur në një shtëpi është gjetur nja grua, rast ky duke u cilësuar si “hetim mbi vdekjen”.

Ndërsa një rast tjetër që është cilësuar po ashtu si “vdekje e dyshimtë” ka ndodhur në Gjilan, ku në shtëpinë e tij është gjetur një burrë i vdekur.

Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në një shtëpi. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë./S.K/PK/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Published

on

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar shtyrjen e Konventës së PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, duke theksuar se procesi aktual nuk garanton garë të drejtë, përmbajtësore dhe të hapur për të gjithë.

Hoxhaj tha se një parti serioze nuk mund të organizojë një konventë të tillë në një periudhë kaq të shkurtër dhe i ka bërë thirrje Kryesisë së PDK-së që ta shtyjë atë të paktën deri të dielën e ardhshme.

Sipas tij, kjo do t’i jepte kohë të mjaftueshme anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë.

“Konventa duhet të shtyhet, sepse kështu do t’u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme,” ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se ngutia aktuale “nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e domosdoshëm” për PDK-në, ndërsa ka kundërshtuar çdo tentativë për orientim apo imponim të garës.

“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi që delegatët të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale,” ka shtuar ai.

Hoxhaj ka bërë të ditur se është kundër çdo formule që, sipas tij, shpërfill bazën e partisë.

Ai ka kritikuar edhe dorëheqjen e kryetarit të deritanishëm, e cila sipas tij është shoqëruar me preferenca të qarta për pasuesin, duke krijuar përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara./S.K/KP/

 

Continue Reading

Lajmet

​117 vjet nga Kongresi i Alfabetit

Published

on

Më 14 nëntor 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njehsuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë.

Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër. /S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara