Aktualitet

​Serbia nuk merr pjesë në takimin e Komitetit të Transportit në Prishtinë

Në takimin e Këshillit Ministror të organizuar nga Komiteti i Transportit të zhvilluar në Prishtinë, nuk mori pjesë Serbia

Published

on

Sot në Prishtinë u zhvillua takimi i Këshillit Ministror të organizuar nga Komiteti i Transportit, ku kanë marrë pjesë ministrat e infrastrukturës nga Ballkani Perëndimor, por jo edhe nga Serbia.

Për herë të parë ky Këshill është kryesuar nga autoritetet e Kosovës, përkatësisht nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri Aliu theksoi se nga ky takim pret që të arrihen marrëveshje për projekte të reja, siç tha ai për liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave me vendet fqinje.

“Për Kosovën është me rëndësi që këtë vit e kemi edhe udhëheqjen, pra presidencën e këtij komuniteti të transportit dhe po e mbajmë për herë të parë në Prishtinë këtë mbledhje. Në këtë takim kemi prezent ministrat e rajonit dhe do të kemi mundësi të diskutojmë për çështje të rëndësishme deri në ato teknike në mes këtyre vendeve. Nga këto takime pritet të dalin marrëveshje të reja, memorandum të reja, e të cilat do të sjellin projekte që do të mundësojnë kyçjen e rrjetit infrastrukturor të Kosovës në rrjetet transportit evropian, në rrjetet e vendeve fqinjë si dhe do të ketë marrëveshje të reja të cilat do të mundësojnë liberalizim të lëvizjes në mes të vendeve, ku bëhet fjalë për udhëtarët dhe për mallrat”, tha Aliu.

Ndërsa, Stefano Paci përfaqësues nga Komisioni Evropian tha se transporti është fushë themelore dhe thelbësore për integrim në BE. Madje, ai theksoi se transporti nuk ka kufinjë dhe është mjet për integrim dhe bashkëpunim.

“Transporti është një fushë themelore dhe thelbësore për integrimin jo vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe përtej kufijve. Siç themi, transporti nuk ka kufi, është një mjet për integrim dhe bashkëpunim”, tha ai.

Ndërkaq, Matej Zakonjshek, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, shtoi se ky takim në Prishtinë ka për qëllim integrimin e plotë të tregjeve të transportit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Dy projekte i vizatuam dje, kemi parë me sytë tanë progresin në linjën hekurudhore 10 që e lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe më tej i lidh këto me BE. Po ashtu, kemi parë progresin e punimeve në Autostradën e Paqes që lidh Prishtinën përmes Mendares me Nishin e Beogradin. Të gjitha këto projekte janë edhe simbole të angazhimit evropian jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Transporti i mirë është bazë për zhvillim të mirë ekonomik, që zhvillon kontakte mes njerëzve dhe është prej atyre blloqeve kryesore për një paqe dhe siguri afatgjate në rajon”, tha ai.

Të pranishëm në këtë takim ku janë diskutuar projektet ekonomike të karakterit rajonal, me theks të veçantë nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit, kanë marrë pjesë ministrat e Infrastrukturës nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Vendi

Mungesa e kuorumit bllokon mbledhjen e Komisionit Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Mungesa e kuorumit të nevojshëm ka pamundësuar vazhdimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se mbledhja do të tentohet të mbahet sërish gjatë ditës së sotme për të vazhduar me pikat e rendit të ditës, ku kryesore është zgjedhja e ekspertëve të jashtëm.

Ndërkaq, deputeti Eman Rrahmani shprehu shqetësimin e tij për mungesën e përgjegjësisë së anëtarëve dhe vonesat e vazhdueshme, duke theksuar se bllokada të tilla po pengojnë punën e komisionit, përfshirë edhe kërkesën për të ftuar për raportim përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit apo edhe vetë kryeministrin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kërcënohet përmes rrjeteve sociale një grua në Skenderaj, policia nis hetimet

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të kanosjes të raportuar në komunën e Skenderajt.

Sipas njoftimit zyrtar, një grua ka raportuar se ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në rrjetet sociale nga ish-bashkëshorti i motrës së saj.

Deri më tani nuk raportohet për të arrestuar lidhur me këtë ngjarje.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitë kompetente policore po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. /E.A/

Continue Reading

lajme

Arrestohet një person në Fushë Kosovë, dyshohet për dhunimin e një të miture

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale të dhunimit ndaj një të miture në Fushë Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima e mitur është dërguar menjëherë në strehimore për t’i ofruar mbrojtjen dhe trajtimin e nevojshëm.

Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar nga organet e rendit dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga njësitë përkatëse. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjashte raste të dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje, kërcënimeve dhe ngacmimeve të regjistruara në disa komuna të vendit, ku me vendim të prokurorëve përkatës shumica e të dyshuarve janë dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste të ndara. Në rastin e parë, një person është arrestuar mbasi ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij. Në rastin e dytë, një tjetër i dyshuar është dërguar në mbajtje për dhunë psikike ndaj bashkëshortes. Po ashtu në kryeqytet, është iniciuar një rast në procedurë të rregullt pasi një e mitur ka pësuar dhunë psikike nga prindërit e saj.

Ndërkohë në Graçanicë, policia ka arrestuar një person i cili përmes mesazheve kishte kërcënuar dhe ngacmuar në vazhdimësi ish-bashkëjetuesen e tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje nën akuzat për dhunë në familje, kanosje dhe ngacmim.

Në Gjakovë dy vëllezër janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje pasi u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin. Kurse në Leposaviq, një grua ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor pasi u sulmua fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti i viktimës është dërguar në mbajtje, ndërsa vjehrri është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara