Lajmet

Kurti: Qeveria do të mbështesë nismat për zvogëlimin e hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve

Published

on

Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara“, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.

Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla”, tha kryeministri Kurti.

Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër, kryeministri tha se do të bëhen përpjekje që kjo shumë të rritet.

Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program, sipas kryeministrit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, tha kryeministri Kurti.

Projekti për ndërtimin e Qendrës për Komunitetin i nisur vitin e kaluar nga organizata “The Ideas Partnership”, është ndihmuar nga donatorë dhe institucione ndërkombëtare e vendore, por ka mbetur në gjysmë të rrugës për t’u përfunduar.

Qendra ka për qëllim të mbështesë rreth 300 fëmijë në edukim, për të zgjeruar njohuritë dhe për t’u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive për komunitetin e tyre.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Shkëlqesia Juaj, ish-Presidente e Republikës së Kosovës,  znj. Atifete Jahjaga,

Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Abbott,

I nderuar Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi,

E dashur Elizabeta,

Miq të dashur,

Kam kënaqësinë të jem sot në mesin tuaj për të shënuar së bashku progresin në ndërtimin e qendrës së re të komunitetit, këtu në Fushë-Kosovë, e cila njëkohësisht do të shërbejë si qendër mësimore për fëmijët e komunitetit.

Në dy dekadat e kaluara është bërë punë e madhe në avancimin e pozitës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në fushën e arsimit, ku tanimë 45% të fëmijëve të grup-moshës përkatëse vijojnë arsimin parafillor, 84% atë fillor, 64% arsimin e mesëm të ulët, ndërsa 31% arsimin e mesëm të lartë. Meritat për këto arritje, në masë të madhe, i takojnë institucioneve të Kosovës por dhe organizatave të shoqërisë civile, siç është “The Ideas Partnership”, të cilat kanë punuar pa rreshtur për të krijuar kushte që fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian të vijojnë mësimin me rregull. Kuptohet, nuk duhet t’i harrojmë edhe partnerët tonë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë proces me fonde dhe me ekspertizë, për çka ju jemi përjetësisht mirënjohës e falënderues.

Megjithëkëtë, e kemi të qartë se akoma ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa i përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara. Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla.

Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër do të bëjmë përpjekje që kjo shumë të rritet. Ndihma profesionale që ofrojnë këto qendra mësimore do të jetë me rëndësi që fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të mos ngecin në mësime dhe, në këtë formë, të inkurajohen ta vazhdojnë shkollimin. Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri.

Përmes ndërtimit të kopshteve të reja dhe adaptimit të hapësirave në shkolla, jemi duke punuar që të rritet pjesëmarrja në edukimin parashkollor, gjë që do të ndikojë në përgatitjen më të mirë të fëmijëve për shkollimin e detyruar dhe, besoj se efektet e kësaj politike të re do të vërehen shumë shpejtë tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Kur familja jeton në kushte të vështira ekonomike, shkollimi i fëmijëve mund të duket si luks. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se shkollimi dhe dija janë rruga e vetme për dalje nga qarku i varfërisë. Prandaj, ju inkurajoj të gjithëve që përkundër vështirësive evidente, të vazhdoni shkollimin tuaj, sepse kështu siguroni një burim të të ardhurave për vete dhe për familjen. Njëkohësisht, e përgëzoj organizatën “The Ideas Partnership” që ju ofron mbështetje në këtë rrugëtim jo të lehtë. Uroj që kjo qendër e komunitetit të funksionalizohet sa më parë, duke ofruar një mjedis ku do të ndiheni mirë, do të punoni bashkë dhe do t’i gëzoheni sukseseve të njëri-tjetrit.

Vendi

Mbi 131 mijë votues nga diaspora certifikohen për zgjedhjet e 7 qershorit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikimeve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ku nga gjithsej 142 mijë e 802 aplikantë, janë aprovuar 131 mijë e 901 prej tyre, ndërsa 10 mijë e 906 kërkesa janë refuzuar.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur gjatë mbledhjes së të martës se shqyrtimit të gjitha kërkesave ka përfunduar dje, ndërkohë që sot në orën 20:32 përfundon edhe afati ligjor për kundërshtimet administrative.

Gjatë kësaj periudhe, e cila zgjati nga 6 deri më 17 maj 2026, u regjistruan edhe 96 anullime të kërkesave nga votuesit që zgjodhën të rikthehen në listën e votuesve brenda Kosovës.

Paralelisht me procesin e certifikimit, KQZ ka miratuar edhe adresat e kutive postare për votimin nga jashtë, të cilat do të jenë funksionale në 22 shtete të ndryshme si Gjermani, Zvicër, ShBA, Shqipëri, Austri, e vende të tjera.

Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, theksoi se janë bërë vizita në terren për të verifikuar kapacitetet e mbledhjes së zarfeve, ndërsa Buzhala sqaroi se planet operative me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë gati për të siguruar mbledhjen dhe dërgimin e sigurt të votave drejt Kosovës. /Kosova Press/

Continue Reading

Aktualitet

FSK dhe Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara zotohen për thellim të bashkëpunimit

Published

on

By

Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), gjeneral brigade Chris A. McKinney.

Gjatë takimit, të dy gjeneralët diskutuan për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për avancimin e kapaciteteve të Kosovës në fushën e mbrojtjes, përfshirë blerjet ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik i Kosovës, ndërsa gjeneral McKinney përgëzoi punën dhe zhvillimet e shpejta të realizuara në sektorin e mbrojtjes dhe projektet e ardhshme të FSK-së.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe USEUCOM-it, me theks të veçantë në nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit në NATO.

Po ashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga Kosova.

Ndërkohë, gjeneral brigade Chris A. McKinney u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Gjatë këtij takimi u diskutua për ambientin e sigurisë në vend dhe rajon, avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, blerjet ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Ministri Maqedonci theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner kyç dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai bëri të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojë të thellohet me besim të plotë reciprok, në funksion të forcimit të ushtrisë dhe integrimit euroatlantik të vendit.

Në fund të takimeve, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata amerikanë ritheksuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit strategjik dhe mbështetjen e zhvillimit të mëtejmë të FSK-së.

 

 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: lajmet kryesore që shënuan datën 19 maj – 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 (Foto: “New York Times” merrej intensivisht me çështjen e Kosovës)

 19 maj 1993

 “New York Times”: “Serbët të bombardohen menjëherë”

Në një artikull të botuar në “New York Times” me titull “Të bombardohen serbët menjëherë”, senatori amerikan, Denis De Konsini

argumenton se ndalja e ekspansionit serb është çështje shumë e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe integritetin moral të Amerikës. “Vonesa e mëtutjeshme nuk do të na linte tjetër zgjidhje përpos një lloj angazhimi ushtarak të cilin askush nga ne nuk e dëshiron”, thotë mes tjerash De Konsini.

Ndërsa të martën e kaluar, siq njofton UPI, ish-sekretari i shtetit, Xhorxh Shulc apeloi për një luftë masive nga ajri kundër forcave serbe si mënyrën e vetme për ta ndalur agresionin në Bosnjë.

Henri Kisinxheri, po ashtu sekretar i mëhershëm i shtetit amerikan, në gazetën “Uashington Post”, të së dielës shkruan se SHBA-të do të duhej ta krijonin një prezencë të NATO-s në Maqedoni, që ta parandalojë përhaphjen e luftës në Maqedoni e Kosovë.

Kisinxheri thotë se objektiva e Shteteve të Bashkuara do të përfshinte edhe ndaljen e luftës në Bosnje përmes sankcioneve apo forcës si “mjet të fundit” për të ndalur spastrimin etnik. Kisinxheri thotë se është kundër dërgimit të forcave tokësore në Bosnje, për çfarëdo qëllimi duke përfshirë edhe ruajtjen e paqës.

 

19 maj 1994

Kongresistë amerikanë kërkojnë vetëvendosje për Kosovën nga kryetari Klinton

Në një letër që i dërguan presidentit Klinton, njëmbëdhjetë kongresistë amerikanë shfaqën brengosjen e thellë për situatën në Kosovë dhe kërkuan vetëvendosje për popullin e Kosovës, njofton “Bujku” i sotëm.

“Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Komsioni i Helsinkit dhe Human Rights Ëatch kanë dokumentuar për abuzimet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut që u bëhen shqiptarëve të Kosovës”, shkruajnë kongresistëtt amerikanë: Jose Serrano, Eliot Engel, Susan Molinari, Nita Loëey, John Olver, Peter King, Edolphus Toëns, David Levy, Dick Sëett, Sander Levin dhe Joseeph Kennedy.

Represoni i vazhdueshëm serb ka shkaktuar eskomunikimin e shqiptarëve nga çdo sferë e jetës dhe shkatërrimin e jetës normale në Kosovë. “Janë mbyllur ndërmarrjet dhe shkollat e shqiptarëve, ndërkaq anëtarëve të Parlamentit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk u është lejuar të mblidhen ç’prej se Serbia në korrik 1990 ka okupuar Kosovën dhe ka suspenduar Qeverinë e saj”.

Në letër tërhiqet vërejtja edhe për shtimin e represionit, gjatë muajve të fundt, duke e vlerësuar atë si një fushatë të “spastrimit etnik” serb.

“Shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth 90 për qind të popullsisë së Kosovës, vazhdimisht arrestohen, ndiqen dhe dënohen pa gjyq. Ata sulmohen shpesh fizikisht nga autoritetet serbe. Edhe njëherë serbët po vazhdojnë fushatën e tyre të ‘spastrimit etnik’, duke i detyruar me forcë shqiptarët ta lëshojnë Kosovën.

Gjendja në Kosovë po keqësohet me të shpejtë, andaj është i domosdoshëm reagimi i menjëhershëm i bashkësisë ndërkombëtare, para se të jetë bërë vonë. Ne kërkojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës të inkuadrohet në çfarëdo samiti që do të mbahet për Bosnjën, në të cilin do të marrë pjesë edhe pala amerikane. Represioni serb mbi popullatën shqiptare është një çështje e cila s’mund të përjashtohett nga këto bisedime po qe se dëshirohet arritja e një paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në letër.

Kongresistët amerikanë përfundojnë se: “Populli i Kosovës e ka të drejtën e vetëvendosjes, e cila në mënyrë sistematke u është mohuar nga serbët. Kërkojmë nga Ju që këtë çështje ta vini në rend dite në ndonjë samit të ardhshëm, në mënyrë që ajo të zgjidhet para se të shkaktohet një konflikt tjetër”.

 

 19 maj, 1995

Procesi kundër ish-policëve të Kosovës fillon në Prishtinë më 29 maj

Njoftohet se më 29 maj të këtij viti në Prishtinë, serbët e instaluar në prokurorinë dhe Gjyqin e Qarkut në Prishtinë do të fillojnë procesin e montuar politik kundër 71 ish-policëve të Kosovës që u arrestuan prej nëntorit të vitit të kaluar dhe që janë mbajtur nën hetime në paraburgim në burgun e Prishtinës. Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, procesi gjyqësor do të mbahet në sallën e madhe të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.

Në muajin e kaluar, prokuroria serbe njoftoi se akuzohen këta persona: Avdija Mehmedoviqi (1953), Jonuz Tërstena (1952), i cili gjendet në arrati, Sherif Krasniqi (1939) – në arrati, Sheremet Ahmeti (1953), Hajrullah Tërrnava (1954) – në arrati, Fadil Krasniqi (1958) – në arrati, Blerim Olloni (1956), Hizri Ahmeti (1955), Ejup Kamerolli (1952), Murat Sahiti (1956), Afrim Karaxha (1954), Hakif Latifi (1954), Ramadan Ferizi (1947), Ilmi Sylejmani (1960), Arsim Mehmeti (1960), Bajram Munishi (1956), Destan Thaçi (1954), Vesel Rexhepi (1958), Idriz Jashari (1954), Hasan Avdyli (1957), Bejtullah Alidema (1943), Haki Mehmeti (1952), Fadil Hyseni (1954), Bajram Jakaj (1948), Fadil Berisha (1956), Izet Ymeri (1949), Isak Aliu (1948), Enver Hakiu (1947), Sylejman Berisha (1958), Ramiz Hoxha (1954), Fekir Tahiri (1955), Reshat Maliqi (1960), Adem Dulahu (1957), Rexhep Kamenica (1949), Kemajl Aliu (1962), Bajram Berisha (1962), Izet Azizi (1959), i cili gjendet në arrati, Tahir Çaka (1959), Sali Bruti (1944), Fahredin Mehmeti (1956), Ilaz Gashi (1954), Sejdi Ademi (1966), Agim Gashi (1956), Açif Berisha (1955), Muhamet Hajdari (1961), Qazim Omura (1950), Rexhep Haziri (1956), Sejfullah Sahatçiu (1943), Faton Zhubi (1942), Pleurat Macula (1957), Bedri Juniku (1953), Lah Lahu (1954), gjendet në arrati, Shaban Hajredini (1945) – në arrati, Shefqet Beçaj (1957), Xhavit Osmani (1944), Xhafet Sahatçiu (1947), Muhamet Nimani (1946), Remzi Tertica (1946), Zekë Beka (1948), Tahir Bezhani (1947), Bibë Biblekaj (1946), Zenel Rama (1947), Selim Çitaku (1955), Zejnullah Shala (1938), Enver Maxhuni (1949), Afrim Olloni (1957), Bedri Tahiri (1959), gjendet në arrati, Jonuz Loshaj (1950), Hamit Peci (1946), Abdyl Doroci (1945) dhe Shefqet Budakova (1957).

Këta ish-policë e përgjegjës të policisë së Kosovës akuzohen për gjoja formimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se ata akuzohen për shkak se:

“Në periudhën prej vitit 1991 deri në nëntor të vitit 1994 në Kosovë kanë formuar shoqatën, i takuan të njëjtës, u përgatitën dhe kryen punët për ‘përpjekjen që në rrugë jashtëkushtetuese dhe me përdorimin e dhunës të rrezikojnë rregullimin kushtetues të Jugosllavisë, dhe territorin e Kosovës dhe pjesëve të tjera të banuara me shqiptarë ta shkëpusin nga Jugosllavia, të formojnë shtet të pavarur ose t’ia bashkangjesin Shqipërisë, në atë mënyrë që në iniciativë, në organizim dhe sipas urdhërit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke u thirrur në dispozitat e ‘dekretligjit për organizimin e administratës republikane’ pas përgatitjeve dhe konsultimeve, gjatë vitit 1992 kanë formuar ‘Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës’, dhe në kuadër të së njejtës, shërbimet e sigurimit publik dhe shtetëror, në nivel të shtatë ‘qendrave të sigurimit’ në të gjitha qytetet e mëdha në Kosovë, të lidhura në mënyrë hierarkike dhe konspirative me ‘ministrinë’, përgjegjës për punën e vet ‘kryetarit’, ‘kuvendit’, dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, zinin pozita të larta dhe angazhuan numër të madh njerëzish, kryesisht ish-punëtorë të SPB-së, hartuan lista dhe organizuan punën e këtij organi parapolicor, punuan në sigurimin e një sasie të madhe të armëve për armatimin e pjesëtarëve të tyre, një pjesë e të cilave i sollën në vend, siguruan mjete teknike dhe mjete tjera, siç janë radiostacionet me fuqi të lartë, radiostacione manuale, kompjuterë etj, organizuan funksionimin e pjesës së uniformuar dhe asaj operative me detyrë që të përcillet, të pengohet dhe të pamundësohet puna e organeve legale shtetërore, veçanërisht milicisë dhe ushtrisë dhe përcollën lëvizjet e njësive dhe punëtorëve të tyre, mblodhën të dhëna për aktivitetin e tyre, për armatimin, mjete teknike dhe numrin e pjesëtarëve, bënë vëzhgimin e lokacioneve të tyre dhe bënë vlerësimin e veprimit të tyre në gjendje të jashëzakonshme, përcollën gjendjen dhe krijuan mundësi operative për veprimin në sistemet me rëndësi të veçantë, siç është ai radiodifuziv, eleketroenergjetik, hekurudhor, PTT etj, bënë sigurimin dhe mbrojtjen kundërinformative të objekteve, ku u kryen aktivitetet e organeve ilegale të Republikës së Kosovës në vend dhe jashtë tij, formuan rrjetin e tyre informativ dhe atë të bashkëpunëtorëve, përcollën zhvillimin e kriminalitetit, mblodhën të dhëna të karakterit mbrojtës, organizuan dhe zbatuan stërvitjen e anëtarëve të tyre, duke planifikuar që përveç veprimeve të përmendura, të ndërmerrnin edhe masa e veprime nga kompetencat e milicisë serbe dhe me këtë të pengojnë dhe të paralizojnë punën e saj dhe të organeve tjera shtetërore dhe kështu të krijojnë kushtet për realizimin e qëllimit përfundimtar, dhe, për gjithë çka kanë bërë, përmes ‘buletinit’ dhe me gojë të informojnë ‘kryetarin’, ‘qeverinë’ dhe ‘kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës'”.

 

19 maj 1998

Në Çitak u vra Ajmane D. Çitaku (95)

Forcat serbe ndërmorrën dje një sulm të gjerë kundër fshatrave të Drenicës që po mbahen të rrethuara që nga fillimi i marsit. Sulmi ishte më i fortë ndaj fshatrave Çitak, Padalishtë e Leçinë, ndërsa u granatuan edhe Broja, Llausha, Kopiliqi e Vojnika.

Burime të LDK-së në Skënderaj njoftojnë se gjatë këtij sulmi është vrarë plaka 95 vjeçare Ajmane Dush Çitaku, është plagosur Hysen Selman Çitaku, ndërsa janë djegur dhjetë shtëpi, tetë në Çitak e dy në Padalishtë. Dyshohet se mund të ketë më shumë të plagosur dhe se pasojat e këtij sulmi mund të jenë më të mëdha.

Gjatë tërë kohës sa zgjati aksioni, ai u mbështet edhe nga tre helikopterë ushtarakë, të cilët vazhdimisht shtinë nga ajri mbi banorët e fshatrave. Ndërsa autoambulancat ushtarake hyn dhe dolën disa herë në rajon, gjë që lë të kuptohet se ka viktima në mesin e forcave sulmuese serbe.

Njoftohet se banorët e fshatrave të sulmuara, sidomos gratë, fëmijët dhe pleqtë, janë larguar nga fshatrat e sulmuara dhe janë strehuar në rajonet më pak të rrezikuara.

Forcat serbe vranë dje Ramadan Loshin nga Padalishta

Ramadan Loshi (68) nga Padalishta e Skënderajt është viktima e dytë e sulmit të djeshëm të forcave serbe kundër Padalishtës, Çitakut e Leçinës në Skënderaj.

“Dojçe vele” njoftoi sot se ai është gjetur i vdekur pas përrfundimit të sulmit.

Gjatë sulmit të djeshëm është vrarë edhe Ajmane D. Çitaku (95), ndërsa është plagosur Hysen Selman Çitaku.

Continue Reading

Lajmet

Gjukanoviq: Kabineti i Koshtunicës tentoi destabilizimin e Kosovës përmes komprometimit të NATO-s

Published

on

By

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka zbuluar detaje lidhur me planet e qarqeve politike dhe të sigurisë në Beograd, të cilat, përmes një afere të mirëorganizuar, kishin synim komprometimin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe pengimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Sipas një raportimi nga mediumi “Mportal”, Gjukanoviq ka deklaruar se brenda kabinetit të ish-presidentit jugosllav, Vojislav Koshtunica, ka vepruar një grup që përfaqësonte vazhdimësinë e politikave të kohës së Sllobodan Millosheviqit. Objektivi kryesor i këtij rrethi ishte destabilizimi i Kosovës dhe dëmtimi i imazhit të komandës ushtarake të KFOR-it.

Për të realizuar këtë qëllim, Gjukanoviq ka bërë të ditur se ishte përgatitur një operacion specifik që përfshinte trajnimin e dhjetëra vajzave, të cilat do të përdoreshin si mjet komprometimi ndaj zyrtarëve të lartë të NATO-s.

“Janë përgatitur 27 vajza që duhej t’u ofroheshin zyrtarëve të lartë ushtarakë të KFOR-it. Mes tyre ishte edhe S.Ç. Informacioni që kishim atëherë ishte se ajo trajnohej në hapësirat e stadiumit ‘Obiliq’ në Beograd”, ka deklaruar Gjukanoviq.

Pavarësisht planifikimit të detajuar nga strukturat e sigurisë në Beograd, operacioni dështoi për shkak të reagimit të shpejtë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Ish-presidenti malazez konfirmoi se informatat e inteligjencës kishin rënë në duart e aleatëve në kohën e duhur, duke shmangur kështu një skandal të përmasave të mëdha.

“Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIK-u në kohë kanë ardhur në posedim të informacionit dhe e kanë parandaluar këtë aktivitet”, ka përfunduar Gjukanoviq.

 

Continue Reading

Të kërkuara