Lajmet

Kurti: Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave e kemi prioritet qeveritar

Published

on

Parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore e kemi përcaktuar si prioritet qeveritar, deklaroi sot Kryeministri Albin Kurti, në tryezën e organizuar në shënim të 10-vjetorit të Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit.

Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria do të angazhohet maksimalisht për të zbatuar në përpikëri hapat e masat që kërkohen prej saj dhe se do të marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa.

“Gama e shtypjes që bie mbi gratë peshon shumë, e merr ngjyrime të ndryshme në varësi edhe të identiteteve të tjera, përveç atyre gjinore. Dhe, një lloj dhune, cilido lloj dhune, që nuk problematizohet në fillim, rritet e zgjerohet me kohën, duke e vështirësuar zgjidhjen dhe drejtësinë. Por, detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të ndërhyjmë aty ku ka më së shumti nevojë”, ka thënë kryeministri Kurti.  
Në tryezën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë morën pjesë edhe: Presidentja Vjosa Osmani, Frank Power, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Joern Rohde, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edi Gusia, udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore, në Zyrën e Kryeministrit.

E hapur për nënshkrim në maj 2011, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) është traktati më i avancuar ndërkombëtar për të trajtuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Kjo konventë është përfshirë vitin e kaluar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës./UBTNEWS

Fjalimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,

I nderuari Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Joern Rohde,

I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasador Michael Davenport,

E nderuara znj. Edi Gusia, Udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore në ZKM,

I nderuari z. Frank Power, nga Këshilli i Evropës,

Të nderuara gra aktiviste e politikane, përfaqësuese të organizatave dhe shoqatave për barazi gjinore,

Ndjehem i nderuar të ju drejtohem me këtë fjalë rasti, në këtë datë kaq të rëndësishme për këdo që ngulmon te barazia, edhe gjinore, sidomos gjinore. Të jem i pranishëm në këtë tryezë diskutimi me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, për mua është nder dhe përgjegjësi njëkohësisht. Nder, sepse në secilin diskutim ku kryetemë është lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një përpjekje për barazi. Secila përpjekje hap shtigje për solidaritet dhe emancipim, e solidariteti gjinor dhe emancipimi i të gjithëve është rruga që na shpie drejt një shoqërie më të drejtë e më të barabartë.  Kurse përgjegjësi, sepse si kryeministër jam i vetëdijshëm që qeveria jonë është në ballë të kësaj beteje që kërkon shumë punë, se është shumë vështirë, por që këtë betejë duhet ta fitojmë me patjetër.

Sot, bëhen 10 vite nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Kjo Konventë është një hap i madh që është bërë në luftën për të eliminuar dhunën ndaj grave e dhunën në familje. Ky traktat që na ka mbledhur sot e që njihet ndryshe si Konventa e Stambollit ka rreth 8 muaj (shtator 2020) që është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Por, kjo nuk mjafton dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë.

Dhuna në familje e dhuna ndaj grave, të cilat janë kaq të përhapura në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara, kërkon një bashkërendim të të gjithë hapave që duhet t’i ndërmarrim, për ta zbehur, drejt eliminimit, këtë fenomen shoqëror që na pamundëson barazinë. Që në fillim Konventa e Stambollit u nënshkrua nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe kjo na ndihmon që ne si shtet të kemi modele konkrete se çka duhet bërë tutje në mbrojtjen e secilës viktimë të dhunës në familje, qoftë vajzë, grua, burrë a fëmijë. Shteti i së drejtës që aq shumë e dëshirojmë, është pikë së pari në anën e viktimës.

Konventa e Stambollit bazohet në katër pika:

–           Parandalim të dhunës nëpërmjet edukimit dhe arsimimit mbi barazinë gjinore dhe të drejtën e integritetit personal

–           Mbrojtje nga dhuna nëpërmjet krijimit të shërbimeve adekuate për viktimën

–           Ndjekje penale të autorit që shkakton dhunë dhe ndëshkim

–           Politika të integruara nëpërmjet të cilave ofrohet kundërpërgjigje ndaj secilës formë të dhunës.

Ne, si Qeveri, do të angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe do të marrim përsipër obligimet që parasheh Konventa. Parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore e kemi përcaktuar si prioritet qeveritar.

Përtej, vlerës së përgjithshme që trajton kjo Konventë, ajo çka na shtyn të besojmë që ky traktat vërtet do të ndihmojë në krijimin e një shoqërie pa dhunë është mënyra e shtrimit të çështjes së dhunës. Konventa e Stambollit shënon një progres sa i përket demitizimit të roleve gjinore dhe stereotipeve të ndërtuara sidomos mbi gratë. Mënyra e definimit të dhunës dhe përgjithësisht koncepteve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në Konventën e Stambollit shtrohen saktë dhe zhvillohet tutje. Kjo na jep shpresë se ky mekanizëm do të na ndihmojë t’i zhbëjmë shumë diskriminime që janë të pranishme në shoqërinë tonë. Ta luftojmë si papunësinë ashtu diskriminimin në punë te gratë, që ta zvogëlojmë pabarazinë gjinore e ta rrisim drejtësinë shoqërore.

Si përfundim, duhet të thuhet që dhuna nuk ka vetëm trajtë fizike. Gratë e vajzat janë të cenueshme dhe nga format tjera të dhunës si: psikologjike, ekonomike, seksuale etj. Megjithëse ajo fizike është më brutalja. Vetëm vitin e kaluar gjashtë gra janë vrarë në Kosovë. Gama e shtypjes që bie mbi gratë peshon shumë, e merr ngjyrime të ndryshme në varësi edhe të identiteteve të tjera, përveç atyre gjinore. Dhe, një lloj dhune, cilido lloj dhune, që nuk problematizohet në fillim, rritet e zgjerohet me kohën, duke e vështirësuar zgjidhjen dhe drejtësinë. Por, detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të ndërhyjmë aty ku ka më së shumti nevojë.  

Ju dëshiroj punë të mbarë dhe ju faleminderit.

Lajmet

Spiropali premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se pas heqjes së masave kufizuese është momenti që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat. Ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përparimin drejt BE-së dhe NATO-s.

“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën”, nënvizoi Spiropali.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca dhe Spiropali: Thellim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe paralajmërim i mbledhjes së përbashkët

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si vëllazëror takimin me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Në një konferencë për media, Konjufca theksoi se pritet thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.

“Takime vëllazërore që e ndajnë fatin e përbashkët historik. Presim thellim mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në diplomaci të përbashkët”, tha ai.

Nga ana e saj, Spiropali nënvizoi se Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se Tirana do të intensifikojë lobimin për njohje të reja të shtetit kosovar.

Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një trajtimi të drejtë dhe të paanshëm të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta në Kosovë ka qenë për liri dhe jo për pushtet.

“Drejtësi e plotë dhe pa shkelje të standardeve ndërkombëtare. Nuk mund të injorohet fakti se në Kosovë ka pasur spastrim etnik… Lufta e Kosovës nuk ishte për pushtet, por për liri”, tha Spiropali.

Gjatë vizitës, ministrja e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi gjithashtu mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë sivjet, ku do të diskutohen marrëveshjet e nënshkruara më parë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për marrëveshje të reja.

“Biseduam për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë se brenda vitit 2026 do të mbahet një mbledhje në Shqipëri ose Kosovë, ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme, fushat me interes të përbashkët dhe të gjitha prioritetet që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, tha Spiropali.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur deri tani tetë mbledhje të përbashkëta. E nënta, e planifikuar për 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga Tirana. /Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi sot Prekazin, ku u përul në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, së bashku me Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ajo u prit në Kullën e Jasharajve nga Rifat Jashari.

Gjatë vizitës, Spiropali theksoi rëndësinë e vendimit të familjes Jashari për të mos u dorëzuar dhe reflektimin mbi çmimin e lirisë.

“Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë.”

Kjo vizita thekson lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektin për sakrificën që bëri të mundur lirinë e vendit.

Continue Reading

Lajmet

Elisa Spiropali për vizitë zyrtare në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Published

on

By

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ajo fillimisht do të pritet në takim nga homologu i saj, Glauk Konjufca, i cili njëherësh mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në objektin e MPJD-së.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Spiropali do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Albin Kurtin në orën 12:35 dhe me pas me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Në agjendën e saj janë paraparë gjithashtu takime me kryetarë të partive parlamentare në Kosovë.

Continue Reading

Të kërkuara