Lajmet

​Kurti: Nuk pranoj që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi

Published

on

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke “braktisur njohjen reciproke”.

Kurti tha se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi.

“Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike, neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, le të adresohet aty dhe neni 10 flet edhe për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën e të cilat janë ligjërisht të obligueshme. Tash, nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, thotë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim.

“Besoj që nëse ka dështuar diçka atëherë ka dështuar referimi mbi shkeljet e marrëveshjes, sepse Serbia e ka shkelur marrëveshjen që e ka pranuar dhe më pastaj, gjyqtarët, referët – Brukseli nuk ka reaguar. Këtu është dështimi. Nuk mund të presim zbatim të një marrëveshjeje nëse nuk ka ndëshkim për shkeljet e saj, pra përderisa një marrëveshje nuk zbatohet, ajo nuk do të duhej të shkelet dhe kjo është toleruar nga ana e Brukselit për Serbinë. Ne jemi përtej dialogut, sepse ne kemi marrëveshje. Marrëveshja bazike i ka 11 nene e 6 fjali në preambulë dhe e ka një aneks zbatimi me 12 pika. Besoj që kur flasim për dialogun duhet t’i rikthehemi marrëveshjes dhe aty ta theksojmë që Serbia nuk guxon ta shkelë marrëveshjen, duhet ta tërheqë letrën e zonjës Bernabiq si kryeministre që tha se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, besoj që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në kundërshtim me këtë, po ashtu edhe Bashkimi Evropian dhe përveç se ta nënshkruajmë atë marrëveshje bazike – si një siguri juridike, si një garanci për zbatim, do të duhej që sa më parë të dorëzohej Millan Radoiçiq kryekrimineli serb i cili na e vrau rreshterin policor Afrim Bunjaku, hero i Kosovës”, thotë Kurti.

Sa i përket planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, Kurti thotë se nuk pritet që Beogradi zyrtar të tregojë konstruktivitet.

“Duhet ta presim tash përfaqësuesen e re të lartë, zëvendëspresidenten Kaja Kallas dhe iniciativën e saj për rrugën përpara. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi. Destruktiviteti i tyre ka ardhur duke u rritur, andaj ne presim nga ndërmjetësit që ta ndërpresin këtë destruktivitet të palës tjetër”, thotë ai.

Ndërkaq lidhur me masat ndëshkuese të Bahskimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti thotë se nuk mund të jap datë se kur mund të largohen ato.

“Tash deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë që të mos ndodh rieskalimi, ka pasur përpjekje për rieskalim, këto granatat e dorës që hidhen herë në stacion të policisë e herë në ndërtesë të komunës, ose përpjekja për ta hedhur komplet në erë kanalin Ibër-Lepenc janë përpjekje për rieskalim. Mirëpo të gjithë e dinë që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë, madje edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell në mandatin e tij kur ishte i dërgoi një raport 27-ëshes së Bashkimit Evropian ku ju tha atyre hiqni masat për Kosovën, mirëpo janë disa dinamike të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj të hiqen s amë parë, por nuk mund të jap një datë të caktuar për këtë gjë për shkak se nuk është se ne ja kemi vënë masat vetës, ato na janë vënë padrejtësisht neve”, thotë Kurti.

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara