Lajmet

Kurti: Nuk jam ftuar në takimin e Ambasadës për Asociacionin

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të SHBA-ve, Gabriel Escobar.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

Intervista e plotë:

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?

Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.

Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada.

Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet se ky plan është një draft-marrëveshje, një kornizë e marrëveshjes, apo përmban parime mbi të cilat mund të bëhet një marrëveshje e përgjithshme?

Albin Kurti: I ka pesë fjali në preambulë dhe i ka dhjetë nene gjithsejtë. Unë i kam dërguar edhe komentet e mia, meqenëse asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë. Andaj, edhe kemi thënë që, në parim, e konsiderojmë bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, për të cilat angazhohemi sa herë që të na ftojnë në Bruksel.

Natyrisht, shumëçka duhet të sqarohet aty, meqenëse një marrëveshje është e qëndrueshme kur hiqen dykuptimësitë. Dhe, vetëm kur është e qëndrueshme asisoj, bëhet edhe e zbatueshme përnjëmend.

Tash, në takimin e fundit që kishim më 20 janar, unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Pra, vërejtja ime – ka edhe të tjera – por ajo kryesorja që e kam përmendur në takimin e fundit, sigurisht që ka të bëjë me njohjen universale që na nevojitet brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi.

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim edhe për vërejtjet e tjera që po i përmendni? Ju po thoni se është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, por për cilat pika jeni skeptik?

Albin Kurti: Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por, e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta.

Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa që paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi.

Ndërkaq, vërejtjet që i kam bërë unë, janë vërejtje që pikërisht na e afrojnë edhe më shumë marrëveshjen drejt normalizimit. Ju e dini që presidenti [amerikan, Joe] Biden, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz e thonë se kemi nevojë për marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ka kundërshtuar pala tjetër?

Albin Kurti: Unë, sërish, nuk mund t’i them këto në emër të palës tjetër, por e di që ata i kanë dërguar komentet dhe vërejtjet e tyre dhe nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht propozimin. Ndërkohë, mos të harrojmë që me datën 27 tetor në fakt, zyrtarisht, me votim në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, në Beograd është hedhur poshtë propozimi në mënyrë unanime.

Pra, të gjithë që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, ku ka qenë edhe presidenti i Serbisë, edhe kryeministrja, edhe ministri i Jashtëm, edhe shumë institucione shtetërore, në mënyrë unanime, pra njëzëri, e kanë hedhur poshtë propozimin e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, tash kanë qenë më pozitivë – më 20 janar – mirëpo nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht, meqenëse i kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat janë – për bindjen time të fuqishme – vërejtje abnormalizuese.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur ndryshime substanciale të propozimit nga ajo kohë deri më tani?

Albin Kurti: Besoj që themeli është ai i 9 shtatorit i vitit të kaluar i cili erdhi pas tri javësh që ne ishim takuar në Bruksel, në takimin e 18 gushtit që ka qenë tejet i rëndësishëm, për shkak se agjenda ishte e qartë, me një rend logjik: pika e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë – çështjet aktuale. Pra, në funksion të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes edhe emisarët [Mirosllav] Lajçak, [Jens Ploetner] dhe [Emmanuel] Bonne e patën sjellë më 9 shtator.

Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne. Por, është gabim që takimi i 20 janarit ka ndodhur më 20 shtator dhe në të njëjtën kohë, nuk mendoj që është mënyrë e duhur zëvendësimi i takimeve direkte në Bruksel me ndërmjetësit me diplomacinë fluturuese Prishtinë e në Beograd.

Radio Evropa e Lirë: Emisarët ndërkombëtarë, pas takimit të javës së kaluar, kanë thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim nga ana juaj. Për çfarë e kanë pasur fjalën, në cilat pjesë nuk keni treguar mirëkuptim?

Albin Kurti: Unë nuk kam thënë diçka që ata nuk e kanë pritur, duke pasur parasysh komentet që ua kam dërguar dhe deklarimet e mia, gjithmonë publike. Tash, nëse kanë pritur diçka më shumë, do të duhej të tregojnë ata. Nga pikëpamja ime gjithçka ka qenë korrekte, në rregull dhe takimi ka qenë shumë përmbajtjesor.

Por, së pari unë nuk jam dakord që 33 marrëveshjet e Brukselit të dekadës para se unë të vij në qeverisje, të krijohet hierarki e tyre, sepse nuk është e drejtë. Ato kanë kronologji, por nuk kanë hierarki. I përkasin një rrafshi horizontal që të 33 marrëveshjet e Brukselit dhe nuk mund të bësh zgjedhje duke ndarë marrëveshjet e preferuara për dikë. Dhe, në anën tjetër, nga ato 10 nene të marrëveshjes së synuar nëpërmjet propozimit të Bashkimit Evropian, pra ato 10 nene gjithashtu nuk mund të kenë ndryshim të renditjes në kundërshti me numrat që i kanë fjalitë dhe paragrafët në fillim.

Pra, 10 nene kanë numra dhe nuk mund të përzgjedhësh një nen që të preferohet nga ndonjë palë dhe as nuk mund të përzgjidhet ndonjëra prej marrëveshjeve që të preferohet e të imponohet nga njëra palë.

Plani evropian “nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, para se të dalim te marrëveshjet e kaluara, zoti Lajçak ka thënë në intervistën e tij të fundit se me planin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humb asgjë. A e ndani këtë mendim me të?

Albin Kurti: Kosova nuk mund të humbë sepse ne jemi këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës për ta mbrojtur dhe lartësuar Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Po flasim për propozimin si të tillë…

Albin Kurti: Por, nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne. Pra, nuk është se Kosova humbet, por Kosova nuk e arrin atë që besojmë se është e drejtë, jo vetëm se e dëshirueshme. Por, kur të fillojmë bisedimet dhe të hapet çështja e marrëveshjes, bazuar në propozimin evropian, atëherë ne do të mund të diskutojmë hollësitë e tilla. Por, kjo nuk do të thotë që jo vetëm me palën serbe, por edhe me ndërmjetësit nuk e kemi leximin identik.

Plani evropian, “platformë” jo version “merre ose lëre”

Radio Evropa e Lirë: Deri më tani, në versionet që janë publikuar të këtij plani nuk përmendet njohja e ndërsjellë. A është kjo pika, në të cilën ju keni më së shumti problem?

Albin Kurti: Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’.As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk është thënë kësisoj.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, sipas emisarëve, ekziston një kohë e përshtatshme që ata e konsiderojnë se duhet të ketë lëvizje përpara. Marsi është përmendur si një kohë në të cilën duhet të dihet se si do të vazhdohet tutje. A mendoni ju se do të ketë lëvizje domethënëse në atë drejtim deri në mars?

Albin Kurti: Me datën 18 nëntor të vitit të kaluar unë kam qenë në Talin të Estonisë në një vizitë zyrtare atje dhe atje më erdhi ftesa që me datën 21 të marrë pjesë në takimin e Brukselit dhe aty e kam parë për herë të parë marsin e vitit 2023, si afat të fundit kur do të duhej të arrinim marrëveshje. Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, gjithashtu, ka thënë se deri në mars do të dihet edhe se cila palë mund të jetë jobashkëpunuese në proces. Madje ka përmendur edhe sanksione ndaj Kosovës ose Serbisë, varësisht se cili shtet do të jetë jobashkëpunues. A ju janë përmendur juve sanksione të mundshme nëse nuk do të ketë sukses në këto negociata?

Albin Kurti: Kosova është rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa u përket sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe agresionit të invazionit të tyre në Ukrainë. Serbia nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe mbase do të duhej të mendohej njëherë për sanksionet që duhet t’i ketë Serbia pse s’po i vë sanksione Rusisë.

Natyrisht që procese të caktuara do të mund të na i vonojnë, mirëpo unë besoj që garancia më e fuqishme që ka Republika e Kosovës është Raporti i fundit i Progresit nga tetori i vitit të kaluar, i cili është raporti më i mirë që kemi marrë ndonjëherë si vlerësim për shtetin tonë. Me këtë rast duhet theksuar që nuk ekziston asnjë fushë, në të cilën kemi ose regres ose stagnim. Bëhet fjalë vetëm për lloje të ndryshme të progresit, prandaj vlerësimi për Kosovën duhet të bazohet ekskluzivisht në atë çfarë ne bëjmë në vendin tonë sa u përket vlerave evropiane dhe rritjes ekonomike e jo për nga dëgjueshmëria, le të themi politike, ndaj cilitdo zyrtar.

Radio Evropa e Lirë: Po e përsëris pyetjen. A ju është thënë që Kosova mund të ketë sanksione si humbja e mbështetjes ose zvogëlimi i mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk ka progres?

Albin Kurti: Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë.

Radio Evropa e Lirë: Faktori ndërkombëtar së fundi e ka rritur edhe presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ju keni thënë që nuk doni të ketë një Republika Sërpska brenda Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja insiston se nuk do ta lejonte një Republikë Sërpska brenda Kosovës. Pse nuk po i besoni garancisë së SHBA-së për këtë?

Albin Kurti: Natyrisht që Beogradi e dëshiron një Republikë Serbe brenda Kosovës, siç e ka në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Ju e dini që Serbia de jure e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën, por de facto nuk e njeh. Dhe, ata nuk e fshehin qëllimin e tyre për ta krijuar një Republikë Serbe [brenda Kosovës]. Ne konsiderojmë që një rrezik i tillë ekziston, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë atë. Por, pa harruar edhe faktin që nëse diçka është pak më mirë se Republika Serbe, jo domosdo është mirë. Pra, edhe nëse themi që nuk do të jetë Republikë Serbe bash tamam qysh është Republika Serbe, kjo nuk është ndonjë garanci që nëse nuk qenka Republikë Serbe, atëherë na qenka shumë mirë puna.

Unë e kam theksuar disa herë që ne nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë gabime të mëdha dhe na e kanë lënë trashëgimi gjendjen me të cilën përballemi ne. Mirëpo, në anën tjetër, duhet ta ritheksojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe përderisa është Asociacion njëetnik, nuk e duron Kushtetutshmëria e Kosovës, e cila është bazuar në propozimin e ish-presidentit [Marti] Ahtisaari.

Pastaj, nuk ka mundësi që Serbia thotë që shteti i Kosovës është i rrejshëm e ma jepni Asociacionin e vërtetë, pra nuk ka kurrfarë logjike ai insistim. Dhe, gjithashtu, Serbia kur kërkon diçka për serbët në Kosovë, do të duhej ta mendojë e paramendojë shumë seriozisht që nuk mund të anashkalohet parimi i reciprocitetit.

Më shumë ka joserbë në Serbi sesa që ka joshqiptarë në Kosovë dhe vetëm katër për qind janë serbë në Kosovë. Para 15 vjetëve, Kosova u shpall multietnike dhe insistimi në Asociacionin njëetnik me të vërtetë nuk është i drejtë. Unë angazhohem për të gjithë serbët për t’ua mbrojtur të drejtat, për t’ua dëgjuar kërkesat dhe për t’ua plotësuar nevojat. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në pranverën e vitit 1999.

Radio Evropa e Lirë: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?

Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.

Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, a jeni duke thënë që derisa ju jeni në krye të Qeverisë, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe?

Albin Kurti: Nuk po e them vetëm unë këtë. Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Por, a ka ndonjë lloj të Asociacionit të pranueshëm për ju? Në çfarë formati ju do të pranonit një lloj bashkimi të komunave apo të komunitetit serb në Kosovë?

Albin Kurti: Ne e kemi Asociacionin e komunave të Kosovës dhe aty janë anëtare edhe komunat me shumicë serbe. Unë jam për asociacione që janë zhvillimore, demokratike, mbi vlerat evropiane e jo mbi baza etnie, jo etnia të jetë baza e Asociacionit të komunave.

Ju e dini që edhe propozimi i ish-presidentit Ahtisaari ka dhënë të drejtë vetoje për aq shumë gjëra në Kuvendin e Republikës për përfaqësuesit e pakicës serbe pikërisht që të mos lejohet territorializimi i të drejtave. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e synon rritjen e të drejtave për serbët, por territorializimin e atyre të drejtave, siç e kanë bërë në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Pra, në Bosnjë e kanë të drejtën e vetos, por në të njëjtën kohë e kanë edhe territorializimin e pranisë së tyre. Këtë gjë po e synojnë edhe në Kosovë, ndërkohë vazhdojnë të mos i pranojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe t’i mirëmbajnë raportet e mira me Kremlinin në Rusi.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 13 dhjetor ka thënë se – po e citoj – “Asociacioni do të formohet, SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit dhe aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës”, në të kundërtën, siç ka thënë ai, “mund të zhvillojmë këtë diskutim me partnerë alternativë”. Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?

Albin Kurti: Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.

Radio Evropa e Lirë: Insistimi ndërkombëtar për formimin e Asociacionit vazhdon. Vazhdon edhe insistimi juaj për të mos u formuar një Asociacion i tillë. A mund të bëhet Asociacioni shkas për dorëheqjen tuaj?

Albin Kurti: Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë.

Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë.

Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai./REL

Lajmet

Aktori Christian Bale duket thuajse i panjohur rrugëve të Atlantas, teksa po xhiron filmin e ri

Published

on

Një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it është shfaqur i paidentifikueshëm në xhirimet e filmit të ri biografik me temë sportive por a mund ta dalloni kush është?

Aktori 51-vjeçar është parë i veshur me një xhaketë të zezë prej lëkure, me flokë të lëmuar pas dhe duke mbajtur tre unaza të Super Bowl-it në xhirimet e filmit të tij më të ri, shkruan The Sun.

Ky fitues i çmimit Oscar kishte një pamje ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar ta shohim si zemërthyes klasik, teksa po xhironte të mërkurën në Atlanta.

Ylli i njohur është fotografuar duke shëtitur në setin e filmit me një shprehje goje të hapur në fytyrë.

Por, a e zbuluat se për cilin aktor bëhet fjalë? As më pak e as më shumë, është ylli i filmit Batman, Christian Bale.

Aktori i famshëm është duke xhiruar skena për filmin e tij të ri të titulluar Madden, ku luan përkrah yllit tjetër amerikan, Nicolas Cage, në një projekt shumë të përfolur të regjisorit David O. Russell. Në rolin e tij, Christian Bale i ngjan shumë personazhit real që portretizon – të ndjerit Al Davis, pronari dhe menaxheri legjendar i ekipit Oakland Raiders. Bale shihej me një pamje të zbehtë dhe me fytyrë të skuqur, karakteristike për Davis.

Ndërkohë, Nicolas Cage është parë në set i veshur me një kostum special që e bënte të dukej më i shëndoshë, me flokë të gjatë, duke interpretuar trajnerin e famshëm të Raiders dhe më pas transmetuesin legjendar të NFL-it, John Madden.

Në film marrin pjesë edhe komediani John Mulaney në rolin e Trip Hawkins, themeluesit të Electronic Arts, si dhe aktorja britanike Sienna Miller, e cila luan Carol Davis, bashkëshorten e Al Davis.

Sipas një deklarate nga Amazon, “Filmi ndjek rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Madden – nga partneriteti i suksesshëm në Super Bowl me Al Davis dhe ekipin Raiders, te krijimi i lojës së famshme Madden NFL, e deri tek shndërrimi në një nga zërat më ikonë në historinë e futbollit amerikan”.

Fansat e NFL-it kanë reaguar me habi ndaj transformimit të Christian Bale dhe Nicolas Cage për rolet e tyre.

“Prisni pak, a është kjo e vërtetë?”, shkroi një përdorues. “Ata s’duken aspak si vetja e tyre e vërtetë”, komentoi një tjetër. “Jo, nuk ka mundësi që ky të jetë John Madden!”, shtoi dikush tjetër i habitur.

Filmi Madden është i drejtuar nga David O. Russell, i cili ka qenë i nominuar për çmimin Oscar me filmat si The Fighter dhe Silver Linings Playbook.

Ai gjithashtu ka shkruar skenarin e këtij filmi, i cili është i bazuar në jetën e vërtetë të John Madden – nga koha si trajner i NFL-it, tek karriera si komentator dhe më pas fytyra ikonë e lojërave video Madden NFL të EA Sports.

Madden ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare. Në film përfshihet edhe jeta e Al Davis – pronarit karizmatik të Raiders, i njohur për moton e tij të famshme: “Fitoni, thjesht fitoni, baby.” Davis ndërroi jetë në tetor të vitit 2011, në moshën 82-vjeçare për shkak të dështimit të zemrës.

Në prill të kaluar, u bë e ditur se roli i Madden do t’i besohej Nicolas Cage, ndërsa më vonë u konfirmua se Christian Bale do të portretizonte Al Davis. /

Continue Reading

Lajmet

Tërnava u uron besimtarëve Kurban Bajramin

Published

on

By

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për Festën e Kurban Bajramit, duke u bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre.

Në urimin e tij tradicional në prag të Festës së Bajramit të Vogël, Tërnava tha se kjo festë është përkujtim i sakrificës të profetit Ibrahim, “i cili ishte i gatshëm të flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të madhërishëm, e i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufi e as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin e lartë pikërisht në dorëzimin ndaj vullnetit hyjnor të Zotit”.

Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron në frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, tha ai.

Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami është festë fetare, por bart edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare.

Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm me adhurim, por ajo kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun”, u shpreh ai.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kubanit dhe kryerjen e haxhillëkut.

Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit dhe në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhillëkun – udhëtimin e jetës – me lutjet e tyre drejtuar krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë”, tha Tërnava.

Haxhillëku ka nisur më 4 qershor dhe besimtarët myslimanë do të kryejnë rite fetare në Mekë deri më 8 qershor. Këtë vit, më shumë se 1.5 milion pelegrinë po marrin pjesë në ritualin më të rëndësishëm të Islamit./REL/

Continue Reading

Lajmet

​Bajrami: Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor

Published

on

By

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se nuk ka nevojë që të përsëritet sërish një proces zgjedhor. Sipas tij, qëndrimi i LDK-së është që ketë konstituim të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa shtoi se bashkimi i dy palë zgjedhjeve do të shkaktonte probleme të mëdha.

Kështu u shpreh deputetetja Bajrami, pas dështimit për herë të 27-të për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Unë mendoj që ne veç sa e kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale, në fakt edhe si parti e kemi të njëjtin qëndrim dhe duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor, sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha. Në ndërkohë ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuar dhe kohën që e ka marrë për numërim të votave nga ana e KQZ-së. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuara do të shkaktonte probleme të mëdha dhe ka shumë mundësi që zgjedhje të tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë subjekt”, u shpreh Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se degët e LDK-së në komuna janë në procesin konsulatativ për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komunash.

Nuk janë përcaktuar emrat, janë mbajtur takime të përbashkëta me kryesinë dhe kryetarët e degëve, gjithashtu me kryetarin dhe kryetarët e degëve, e kemi ndarë procesin në tri faza. Dhe tani janë komunat, degët e LDK-së në gjitha komunat në Kosovë të cilat janë në fazën e procesit konsultativ, disa prej tyre veç i kanë paraqitur kandidaturat, disa të tjera janë në proces”, shtoi Bajrami.

Continue Reading

Lajmet

Kryeziu-Hyseni: Qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja por vazhdimi i bllokadës

Published

on

By

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se qëllimi i partive që deri tani ishin në opozitë nuk është formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mirëpo vazhdimi i bllokadës dhe krizës politike.

Pas dështimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 27-të, ajo tha se këto parti parlamentare qëllimshëm nuk po marrin pjesë në votim për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen në mënyrë të fshehur të kryeparlamentarit.

Qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja por vazhdimi i bllokadës që ata vet e kanë krijuar qysh në fillim të sagës së këtyre seancave të vazhdueshme. Fillmimisht kanë refuzuar komisionin për verifikimin e mandateve dhe më pastaj duke refuzuar të marrin pjesë në votim për komisionin verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit”, tha ajo.

Madje, Kryeziu-Hyseni para gazetarëve tha se në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve ata nuk do të votojnë për asnjë deputetë të LDK-së, kurse për ata të PDK-së tha se votojnë vetëm Nait Hasanin dhe Sala Jasharin.

Është qëndrim i joni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër nga radhët e PDK-së përveç Nait Hasanit dhe Sala Jasharit. Ndërkohë që edhe ne kemi vendosur reciprocitet ndaj LDK-së dhe nuk pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre. Nëse duam që të hyjmë në ciklin e dëshirave dhe të shndërrojmë Kuvendin në vend të dëshirave, e jo në vend të numrave atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh”, tha ajo./KosovaPress/

Continue Reading

Të kërkuara