Lajmet

Kurti në konferencën “Business Agility Day” në Zvicër, fton kompanitë e huaja të investojnë në Kosovë

Published

on

Qëndrimin zyrtar në Zvicër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e filloi me pjesëmarrjen në konferencën “Business Agility Day”.

Si folës kryesor në këtë konferencë, ai prezantoi para përfaqësuesve të rreth 150 kompanive ndërkombëtare përparimin e vendit dhe potencialin për investime të huaja. Ai theksoi përkushtimin dhe angazhimin e vendit tonë për transformim digjital dhe inovacion, duke hapur kështu rrugë për partneritete të reja dhe zhvillim.

“Është nder për mua të jem këtu sot në mesin e disa prej mendjeve më transformuese në fushën e biznesit dhe teknologjisë. Me njëri-tjetrin ndajmë një qëllim të përbashkët: ndërtimin e organizatave të qëndrueshme, adaptueshme dhe inovative, të përgatitura për ndryshimet e shpejta që po e definojnë botën moderne. Unë jam këtu për t’ju bërë ftesë që të drejtoni shikimin tuaj kah juglindja (e kontinentit), në drejtim të një vendi të gatshëm për të mbështetur dhe rritur ambiciet tuaja – Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të adresimit të tij.

Ai veçoi pozitën gjeografike të Kosovës, politikat fiskale dhe tatimore, lehtësirat doganore për importin e pajisjeve dhe lëndës së parë për prodhim, infrastrukturën digjitale, popullatën e re e të edukuar, qëndrueshmërinë institucionale, progresin ekonomik, përparimin demokratik dhe sundimin e ligjit si karakteristika kryesore dhe përparësitë e vendit tonë për investime të huaja.

“Kosova nuk është thjesht një destinacion tjetër për investime: është vendi ku biznesi i juaj mund të bëhet pjesë e një misioni më të madh. Është një mundësi për të kontribuar në një ekonomi në rritje, për të shfrytëzuar potencialin e një fuqie punëtore të re dhe dinamike, për të përfituar dhe për të qenë pjesë e një shoqërie të qëndrueshme dhe përparimtare”, tha më tej ai.

Para të pranishmëve, kryeministri shprehu gatishmërinë e institucioneve për të ofruar infrastrukturën, fuqinë punëtore dhe mbështetjen e nevojshme qeveritare për të realizuar projektet e tyre ambicioze.

“Në Kosovë nuk do të gjeni vetëm një treg, por një partner – një partner që vlerëson inovacionin, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin” tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Lajmet

Dy persona ndalohen për kalim ilegal të kufirit Serbi–Kosovë

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të kalimit ilegal të kufirit Serbi–Kosovë, të regjistruara në Jarinjë dhe në fshatin Koshuticë të Leposaviqit.

Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur më 21 korrik, rreth orës 13:00, në Jarinjë, ku është ndaluar një shtetas i Serbisë, i dyshuar se kishte kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë.

Rasti i dytë është regjistruar po të njëjtën ditë, rreth orës 20:20, në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, ku është ndaluar një shtetas i Kosovës, i cili dyshohet se kishte kaluar ilegalisht kufirin Serbi–Kosovë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rastet do të trajtohen sipas procedurave ligjore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Studiuesit e UBT-së dhe Universitetit Niğde Ömer Halisdemir publikojnë punim shkencor në revistën Biotech Studies

Published

on

By

Punimi shkencor me titull “Effect of acetate as a substrate on the microbial flora: a metagenomic approach”, i realizuar nga Prof. Dr. Osman Fetoshi dhe Prof. Dr. Ayten Öztürk, është publikuar në revistën shkencore Biotech Studies (2026).

Ky studim paraqet një kontribut të rëndësishëm në fushën e mikrobiologjisë mjedisore dhe bioteknologjisë, duke ndihmuar në kuptimin më të thellë të komuniteteve mikrobiale dhe potencialit të tyre për aplikime në trajtimin e ujërave të ndotura.

Në kuadër të hulumtimit, studiuesit kanë analizuar ndikimin e acetatit si burim karboni në strukturën dhe diversitetin e komuniteteve bakteriale, duke përdorur qasje bashkëkohore metagjenomike. Rezultatet e studimit ofrojnë njohuri të reja mbi mënyrën se si mikroorganizmat reagojnë ndaj ndryshimeve në mjedis dhe si mund të shfrytëzohen për zhvillimin e teknologjive të qëndrueshme për menaxhimin e ujërave të ndotura.

Ky publikim thekson rëndësinë e mikroorganizmave në ciklet biogjeokimike, degradimin e ndotësve dhe avancimin e zgjidhjeve inovative në fushën e bioteknologjisë mjedisore.

UBT vazhdon të mbështesë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve të reja në fushat e bioteknologjisë, mjedisit dhe shëndetit publik.

Linku i publikimit: https://www.biotechstudies.org/abstract.php?id=604

Continue Reading

Lajmet

Reshjet e dendura dhe erërat e forta shkaktojnë dëme në Lipjan

Published

on

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë territorin e Komunës së Lipjanit kanë shkaktuar dëme në disa zona, duke prekur sektorin e bujqësisë, infrastrukturën publike dhe rrjetin energjetik.

Sipas Komunës së Lipjanit, dëme janë evidentuar në shkollën e Gadimes, Sallën Sportive dhe shtigjet e ecjes, ku në disa segmente janë rrëzuar drunj, duke paraqitur rrezik për qytetarët. Gjithashtu, në disa lokalitete janë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike, çka ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Ekipet e shërbimeve publike, në bashkëpunim me strukturat emergjente dhe institucionet përkatëse, kanë dalë në terren dhe po punojnë në vlerësimin e situatës, sanimin e dëmeve dhe largimin e pengesave, me qëllim rikthimin e gjendjes në normalitet dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat e prekura dhe të shmangin qëndrimin pranë objekteve, pemëve dhe shtyllave të dëmtuara, të cilat mund të paraqesin rrezik.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të jenë të kujdesshëm edhe gjatë ditëve në vijim, pasi sipas parashikimeve meteorologjike priten reshje intensive dhe erëra të fuqishme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zbulohet nekropol 2,500-vjeçar nën fabrikën e makaronave në Itali

Published

on

Arkeologët kanë zbuluar një nekropol rreth 2,500-vjeçar nën fabrikën historike të makaronave “Garofalo” në Gragnano, pranë Napolit, gjatë gërmimeve të kryera për një zgjerim industrial.

Sipas Institucionit të Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit për Zonën Metropolitane të Napolit (Soprintendenza ABAP Napoli), varrezat datojnë nga periudha arkaike, midis shekujve VIII dhe VI para erës sonë, kur rajoni i Kampanias ishte një qendër ku ndërthureshin kulturat vendase, greke dhe etruske.

Në vendngjarje janë zbuluar 85 varre, të cilat besohet se i përkisnin, të paktën pjesërisht, elitës së pasur të shekullit VI para erës sonë.

Gërmimet nxorën në dritë enë qeramike të zbukuruara, stoli, armë, si dhe objekte të importuara nga Egjipti dhe Etruria. Veçanërisht të rëndësishme konsiderohen materialet organike të ruajtura brenda disa varreve, përfshirë pëlhura, objekte druri dhe shporta të thurura, të cilat zakonisht shkatërrohen me kalimin e kohës.

Sipas ekspertëve, zbulimi dëshmon për lidhjet tregtare dhe kulturore që Kampania kishte me Greqinë, Egjiptin, Etrurinë dhe Mesdheun lindor, ndërsa ofron informacion të ri për zakonet e varrimit dhe jetën e përditshme në periudhën pararomake.

“Zbulimi i nekropolit të Via dei Pastai në Gragnano është rezultat i një bashkëpunimi të suksesshëm publiko-privat. Artefaktet e gjetura dhe gjendja e jashtëzakonshme e ruajtjes së tyre ofrojnë njohuri të reja për zhvillimin e vendbanimeve në këtë rajon gjatë periudhës arkaike”, ka deklaruar Luigi La Rocca, drejtues i Departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë italiane të Kulturës.

Pas dokumentimit, zona do të mbulohet sërish, ndërsa studiuesit do të vazhdojnë analizat mbi artefaktet dhe mbetjet njerëzore, me synim të zbulojnë më shumë rreth jetës dhe kushteve të banorëve të asaj kohe./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara