Lajmet

Kurti: Në dhjetor do të dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në BE

Kryeministri ka thënë do të shkojë në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka deklaruar se është pajtuar për çështjen e targave jo vetëm për shmangur përshkallëzimin e situatës, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të bisedimeve për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka thënë do të shkojë në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Megjithatë, zoti Borrell këmbënguli që në të nënshkruajmë vetëm një deklaratë në targa dhe ta prezantojmë këtë si një sukses të madh. Kjo ishte mosmarrëveshja kryesore që kisha me të”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, me ç’rast ka potencuar se në dhjetor do të dorëzohet zyrtarisht kërkesa për anëtarësim.

Intervista e kryeministrit Kurti për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung

Në vijim gjeni intervistën e përkthyer në shqip të kryeministrit Kurti me gazetarin Michael Martens, të realizuar më 26 nëntor dhe publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung më 29 nëntor.

FAZ: Kryeministër, falë ndërmjetësimit amerikan dhe evropian, “kriza e targave” në Kosovë duket se është zbutur, të paktën për momentin. Cili është thelbi i kompromisit?

Kryeministri Kurti: Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Ne e bëmë këtë jo vetëm për shmangur përshkallëzimin e situatës, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të bisedimeve për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit.

FAZ: Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ju kritikoi në një mënyrë jashtëzakonisht të qartë për dështimin në fillim të gjetjes së një kompromisi. A jeni një person kokëfortë – apo e kishte gabim Borrell?

Kryeministri Kurti: Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor. Ka parime dhe vlera që unë i përmbahem dhe që nuk i negocioj në Bruksel. Ne nuk shkojmë në Bruksel për të negociuar për oficerët e policisë, prokurorët, doganierët dhe drejtuesit kadastral. Ne jemi atje si përfaqësues të dy shteteve që po negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Bëhet fjalë për një dialog për një marrëveshje në parim, jo vetëm për një dialog për menaxhimin e krizës. Ne nuk kemi nevojë për dialog për hir të dialogut apo për të treguar se Brukseli është aktiv. Nuk do të kisha shkuar në Bruksel nëse do të ishte fjala vetëm për targat. Unë do të shkoj në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, zoti Borrell këmbënguli që në të nënshkruajmë vetëm një deklaratë në targa dhe ta prezantojmë këtë si një sukses të madh. Kjo ishte mosmarrëveshja kryesore që kisha me të.

FAZ: Ju ishit i burgosur politik në Serbi kur presidenti aktual Aleksandar Vuçiq ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviqit. A i rëndon kjo bisedat apo i përmbani ndjenjat tuaja?

Kryeministri Kurti: Unë kurrë nuk përpiqem t’i përmbaj ndjenjat e mia. Emocionet janë një pjesë e rëndësishme e asaj që ne jemi dhe çfarë bëjmë. Por, unë kam gjithashtu mjaftueshëm përvojë për t’i lënë arsyes të vendosë se çfarë them apo nuk them. Unë nuk u lirova nga paraburgimi serb vitin e kaluar, por më shumë se 20 vjet më parë. Problemi kryesor për mua nuk është se çfarë ka qenë z. Vuçiq, por që edhe sot nuk është penduar për atë që ka qenë. Në vend që të pendohet që ishte Ministër i Informacionit i Millosheviçit, atij i vjen keq që më liruan nga burgu më shumë se një vit pas rënies së Millosheviçit. Këtë e ka thënë disa herë dhe kjo më irriton. Nuk bëhet fjalë për atë që kam kaluar në burg, por për faktin se Serbia ka ndryshuar kaq pak.

FAZ: Është folur shumë për një nismë franko-gjermane për zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Çka parasheh ky plan?

Kryeministri Kurti: Më 9 shtator, më vizituan i dërguari i posaçëm i BE-së Lajčák dhe Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltar për politikën e jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez. Ajo që ata prezantuan dukej si një nismë shumë serioze. Më sollën një listë me modele dhe ide, të cilat i diskutuam gjatë përpara se t’i çonim në Beograd. Unë u thashë atyre se mendoja se kjo do të ishte një bazë e mirë për bisedime të mëtejshme.

FAZ: Pse duhet të interesohet Aleksandër Vuçiq për një kompromis me Kosovën kur shpërblimi për të cilin dikur shpresonte – anëtarësimi i Serbisë në BE – nuk është më realist?

Kryeministri Kurti: Kanë kaluar më shumë se nëntë muaj që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe Serbia ka kaluar shumë në anën e Rusisë, ka shkuar shumë larg. Kushdo që zbulon se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE në një të ardhme të parashikueshme, të mos harrojë se jo vetëm që Brukseli nuk e do Beogradin, por edhe se Serbia preferon Moskën.

FAZ: Megjithatë, marrëveshja nuk po dështon vetëm për shkak të Serbisë. Paraardhësit tuaj kanë premtuar se enklavat serbe dhe zonat e vendbanimeve në Kosovë do të lejohen të bashkohen në një asociacion të komunave. Ju po e bllokoni këtë, pse?

Kryeministri Kurti: Serbia vazhdon të thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ata thonë se Kosova është shtet artificial. Por në këtë shtet gjoja artificial, ata duan një asociacion real të komunave. Zgjidhja serbe është: “Ju nuk ekzistoni – por ne duam diçka nga ju.” Nuk do të funksionojë kështu. Së dyti, kur kërkoni diçka, mbani gjithmonë parasysh se e njëjta kërkesë mund të ju bëhet edhe juve. Pakicat përbëjnë rreth tetë për qind të popullsisë në Kosovë dhe rreth 20 për qind në Serbi. Serbia duhet të mendojë për parimin. Gjithashtu, gjykata jonë kushtetuese ka vendosur që asociacioni serb i komunave nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

FAZ: Një parim kyç i politikës suaj ndaj Serbisë është reciprociteti. A mund të imagjinoni një model në të cilin minoriteti serb në Kosovë merr saktësisht të njëjtat të drejta si minoriteti shqiptar në Serbinë jugperëndimore?

Kryeministri Kurti: Unë jam për reciprocitetin e të drejtave të të gjitha pakicave në mbarë Ballkanin. Kjo është formula e paqes. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për të luftuar dominimin nacionalist. Por Beogradi nuk e ka me të drejtat e serbëve. Serbia dëshiron që këto të drejta të territorializohen dhe kjo është diçka krejtësisht tjetër. Beogradi dëshiron që komunitetet serbe të formojnë një bashkim, por unë nuk di të ketë ndonjë serb në Kosovë që e kërkon këtë. Çdo javë marr dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë. Bëhet fjalë për të gjitha llojet e gjërave, për punët, funksionimin e shtetit ligjor e kështu me radhë. Askush nuk shkruan: ‘Ne kemi nevojë për një shoqatë komuniteti’. Këtë e thotë vetëm zoti Vuçiq.

FAZ: Megjithatë, BE-ja dhe Uashingtoni duket se insistojnë në krijimin e asociacionit të komunave. A është parandalimi i tij më i rëndësishëm për ju sesa rrezikimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë?

Kryeministri Kurti: 33 marrëveshje janë arritur në Bruksel gjatë dekadës së fundit. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. E pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam gati t’i marr parasysh të gjitha kur të fillojnë bisedimet zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve tona në bazë të propozimit franko-gjerman në Bruksel. Por Serbia do të donte ta veçojë një marrëveshje dhe të shpërfillë 32 të tjerat si dhe propozimin franko-gjerman. Por unë nuk jam për këtë. Kur flasim për normalizimin e marrëdhënieve tona, unë jam i gatshëm të flas për komunitetet dhe të drejtat e pakicës serbe – jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e tyre.

FAZ: Ku qëndron Kosova në aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Kryeministri Kurti: Ne po llogarisim në mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë në mënyrë që votimi për pranimin tonë në Këshillin e Evropës të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Përveç kësaj, ne do të dorëzojmë zyrtarisht kërkesën tonë për t’u anëtarësuar në BE në dhjetor. Sigurisht që ne e dimë se anëtarësimi nuk do të vijë së shpejti. Por është e rëndësishme që ne të shprehim vullnetin tonë për t’u anëtarësuar në BE zyrtarisht, formalisht dhe publikisht.

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Vendi

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara