Lajmet

Kurti në Bruksel: S’mundet të ketë kompromis me kushtëzime të Serbisë për Asociacionin

Ai nënvizoi se për të ecur përpara duhet të tejkalohet kushtëzimi serb.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqesh të para gjashtë muajsh i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.

Për një dokument të tillë Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të aneksit të Ohrit të 18 marsit… Pala tjetër, presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takim nuk ka pasur ndonjë rezultat. S’mundet të ketë kompromis meqenëse s’mundet me pas kompromis mes një propozimi me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që të shoh propozimin që ka dhënë Serbia, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dy faqesh në anglisht dhe serbisht që paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe më pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë. Mua mu desh t’iu them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, ku ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjes e mëhershme të dialogut në Bruksel që janë të obligueshme dhe valide. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, tha ai.

Kurti nënvizoi se për të ecur përpara duhet të tejkalohet kushtëzimi serb, pasi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit i është vënë një pengesë e madhe.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajcak e ka bërë në cenim të funksionit të tij si ndërmjetësues dhe lehtësues, por unë nuk mund të pranoj një gjë të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam… Nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mundet të quhet se kur të lexoni përmbajtën do të shihni se është kushtëzim…Sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes. I është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët nuk e kam ditur. Kam dëgjuar deklarata dhe kam besuar se janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të lehtësuesit evropian Lajçak. Për të ecur përpara duhet të tejkalohet kjo”, shtoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti kërkoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pasi siç tha Kosova ka ndërmarrë hapat për deeskalimin e situatës në veri.

“Sa i përket sanksioneve që po quhen masa në mënyrë që 27 vendet evropiane të mos jenë të detyruara të votojë. Deeskalimi ka ndodhur në Kosovë, ne duhet të kemi kujdes që mos të kemi rieskalim. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur. Por edhe konfiskimi i armatimit dhe arrestimi i kriminelëve është në funksion të rendit dhe ligjit që ndihmojnë deeskalimin… Meqenëse ka ndodhur deeskalimi dhe Udhëzimi administrativ për të zbatuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale është nënshkruar, rruga është hapur që këto masa të padrejta që po e dëmtojnë shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor të hiqen përfundimisht”, theksoi Kurti.

Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet në veri duhet të ndodhin vetëm përmes peticionit.

“Jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, por nuk mund të detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt. Kjo duhet të bëhet duke respektuar Udhëzimin administrativ, që thotë se duhet të organizohet peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarëve. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë. Imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe aspak të mirëseardhura”, theksoi Kurti.

lajme

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Continue Reading

Vendi

Rektori Edmond Hajrizi priti në takim Alaa Garad, nga Stirling Centre në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

By

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation, nga Mbretëria e Bashkuar, të kryesuar nga Alaa Garad – Kryetar i Bordit Këshillëdhënës.

Delegacioni u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.

Palët theksuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin akademik dhe institucional.

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi priti në takim delegacionin e Institutit Yunus Emre në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.

Continue Reading

Lajmet

PZAP refuzon ankesat për rinumërim, KQZ pret afatin për ankim në Gjykatën Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.

Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara