Më 5 shkurt 2025, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli se është i gatshëm për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin, nëse kjo do të jetë opsioni i vetmën që mund të sjellë paqe për qytetarët e Ukrainës dhe të ndihmojë në shmangien e humbjeve të jetëve.
Në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan, e cila u postua në YouTube, Zelensky u shpreh se nëse negociatat janë e vetmja mundësi për të sjellë fundin e luftës, ai do ta pranonte atë. “Nëse kjo është e vetmja mundësi për të sjellë paqe dhe për të mos humbur jetë, ne patjetër do të zgjedhim këtë opsion,” tha ai.
Zelensky gjithashtu theksoi se do të ishte i gatshëm për një “takim me katër pjesëmarrës,” por nuk e specifikoi se kush do të ishte i ftuar në këtë takim. Ai gjithashtu ka diskutuar në ditët e fundit mundësinë e bisedimeve me Rusinë, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për të siguruar një zgjidhje diplomatike për konfliktin.
Kjo deklaratë e Zelenskyt shënon një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e tij, pasi deri tani ai ka refuzuar gjithmonë negociatat direkte me Moskën, veçanërisht pasi Rusia kishte kërkuar të vendoste kushtet e saj për çdo marrëveshje paqeje. Për më tepër, në vitin 2022, Zelensky kishte lëshuar një dekret që ndalonte çdo mundësi për negociata me Rusinë derisa Putin të qëndronte në pushtet.
Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe avancimi i ushtrisë ruse në Donbas duket se kanë përshpejtuar mundësinë e negociatave. Trump ka theksuar rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm me Moskën, gjë që ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të Ukrainës.
Përveç kësaj, Kievi ka shfaqur interes për të tërhequr investime nga kompanitë amerikane për nxjerrjen e mineraleve të rralla, të cilat janë të pasura në territorin ukrainas. Ky material është i rëndësishëm për teknologjitë moderne dhe industrinë, dhe Trump kishte kërkuar që këto minerale të sigurohen në këmbim të furnizimeve me armë amerikane për Ukrainën./UBTNews/