Lajmet

Kurti kërkon avancimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se Kosova nuk ka “plan B”, por është plotësisht e angazhuar për integrim në bllokun evropian.

Ka ardhur koha që Kosova dhe BE të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar pengesat që e pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, tha Kurti, gjatë një diskutimi në Bruksel të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS).

Kjo do të thotë: të iniciohet Pyetësori për Kosovën, për të vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe të përgatitet një mendim të bazuar në merita për statusin e kandidatit të BE-së”, shtoi ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

Kosovës mund t’i duhen vite të tëra për ta fituar këtë status, pasi që edhe vendet e rajonit kanë pritur ngjashëm – si Shqipëria që priti pesë vjet, dhe Bosnja dhe Hercegovina gjashtë vjet. Megjithatë, disa vende, si Ukraina dhe Moldavia, pritën vetëm disa muaj për ta fituar këtë status.

Kurti vuri theksin në arritjet e Kosovës në fushën e reformave dhe implementimit të standardeve të BE-së, duke përmendur angazhimin e Kosovës për të ndihmuar Ukrainën me ndihma ushtarake dhe të qenit në vijë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP).

Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe ka mbështetur sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe aleatëve të saj.

Kosova është një partner i besueshëm i BE-së dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj evropiane”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se është koha që Bashkimi Evropian të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së tij, duke forcuar kështu angazhimin e Kosovës për agjendën evropiane

Kurti gjithashtu kritikoi vonesat e procesit të zgjerimit dhe theksoi se qytetarët e rajonit, sidomos të rinjtë, janë të shqetësuar për ngadalësimin e këtij procesi, duke pasur parasysh se besimi në BE është duke u shuar.

Vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 – tri zgjerimet e fundit të bllokut evropian – u janë dashur nga tetë deri në 14 vjet që nga dorëzimi i aplikimit e deri te anëtarësimi në BE.

Ky proces merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.

Kriteret për aplikim, të njohura si “Kriteret e Kopenhagës”, kanë të bëjnë me stabilitetin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e tregut ekonomik.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe disa kushte shtesë, të përcaktuara përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet.

Rrugëtimi i Kosovës mund të jetë më i ndërlikuar sesa ai i Kroacisë, pasi që kjo do të jetë hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia.

Vendi

Skandali në BKS zgjerohet në 69 të pandehur: Ngrihen 35 prona dhe llogari bankare për dëmin mbi 1.2 milionë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:

35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.

21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Islam Selmani i artë, medalja e 7-të për Kosovën

Published

on

By

Islam Selmani ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke fituar medaljen e artë dhe duke i sjellë Kosovës medaljen e shtatë në këto Lojëra.

Karateisti kosovar triumfoi në finale dhe u shpall kampion, duke shkruar një faqe të rëndësishme për karatenë e Kosovës.

Kjo është medalja e parë e artë për Kosovën në karate në “Taranto 2026” dhe medalja e shtatë e delegacionit kosovar.

Një paraqitje fantastike e Islam Selmanit, i cili tashmë është kampion i Lojërave Mesdhetare.

D.L

Continue Reading

Vendi

“Ku-Fest” nis edicionin e tretë në Kumanovë, sjell teatrin shqiptar dhe artistë nga rajoni

Published

on

Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit “Ku-Fest” ka nisur në Kumanovë, duke sjellë në skenë një program të pasur artistik dhe teatrin shqiptar.

Pas ceremonisë së hapjes, publiku ka ndjekur shfaqjen “Rinoqerontët” të Eugène Ionesco-s, me regji të Vasil Vasilev dhe në interpretim të Teatrit Shqiptar – Shkup. Shfaqja ka shënuar hapjen zyrtare të programit teatror të festivalit.

Mbrëmja ka vijuar me muzikë live nga “Nezafete Shala dhe Melodia e Vjetër”, duke krijuar atmosferë festive për të pranishmit.

Programi i “Ku-Fest” vazhdon sonte, më 1 shtator, me shfaqjen “Vetmi në perëndim” të Martin McDonagh, në produksion të S.H.E. Kulturës – Abdulla Krashnica dhe Teatrit të Qytetit – Preshevë, me regji të Afeida Boriqit.

Festivali synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për teatrot dhe artistët e rajonit, përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve që promovojnë kulturën, artin dhe bashkëpunimin ndërkufitar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis vitin e ri shkollor UBT International Smart Schools

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan është shënuar zyrtarisht fillimi i vitit të ri shkollor 2026/27 për UBT International Smart Schools. Në ceremoninë morën pjesë nxënës, prindër, themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe stafi arsimor, duke konfirmua përkushtimi për një arsim modern të mbështetur në akreditimin e marrë nga Cambridge International Education.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, nënvisualizoi vizionin e UBT International Smart Schools për formimin e krijuesve të së ardhmes.

“UBT International Smart Schools bazohen në një vizion të qartë: vendosjen e nxënësit në qendër dhe lidhjen e dijes me praktikën, teknologjinë e inovacionin. Akreditimi nga Cambridge është sa njohje ndërkombëtare, aq edhe përgjegjësi për të ruajtur cilësinë. Në këtë epokë të inteligjencës artificiale e robotikës, synimi ynë është që nxënësit të mos jenë thjesht përdorues të teknologjisë, por krijuesit e së ardhmes”, u shpreh Hajrizi.

Përmes qasjes në infrastrukturën e UBT Smart City, nxënësit do të kenë në dispozicion laboratorë të avancuar me fokus të veçantë te inteligjenca artificiale, programimi, robotika dhe teknologjitë digjitale. Po ashtu, rëndësi do t’i kushtohet zhvillimit fizik përmes fuqizimit të Akademisë dhe Klubit Sportiv të shkollës.

Zëvendësdrejtoresha Shqipe Agushi u shpreh se objektivi kryesor mbetet zbulimi dhe zhvillimi i talentit të secilit nxënës përmes mjediseve inovative. Me këtë model arsimor multidisiplinar, UBT International Smart Schools hyn në vitin e ri shkollor me synimin e qartë për të përgatitur gjeneratat e reja me aftësitë e nevojshme për tregun global.

Continue Reading

Të kërkuara