Lajmet

Kurti kërcënon qeverinë Hoti: Me ardhjen e VV-së në pushtet do të del para drejtësisë

Published

on

Kreu i VV-së, Albin Kurti, është treguar shumë i ashpër me kryeministrin Hoti për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington.

Kurti në një intervistë dhënë televizionit të partisë së tij, ka dhënë madje mesazhe mjaftë serioze, duke paralajmëruar se nëse ai vjen në pushtet, mund të ketë edhe arrestime në lidhje me veprimtarinë e qeverisë Hoti, shkruan lajmi.net.

“Kjo qeveri përmes temës së Ujmanit që vendosi në negociata, ia hapi temën Serbisë për të diskutuar pronën e Kosovës”, tha Kurti.

Tutje, duke akuzuar prokurorët kosovarë, Kurti ka thënë se në një shtet të së drejtës, që sipas tij synon të bëj VV, persona të këtillë nuk do të kishin vend as në liri.

“Po të kishte Kosova prokurorë të vërtetë, ata do të vepronin menjëherë. Shteti i së drejtës nuk do t’i durojë as në pushtet e as në liri, njerëzit e këtillë. Pikërisht rikthimi ynë në qeveri do ta mundësojë shtetin e së drejtës”, ka thënë Kurti.

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni

Published

on

By

Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.

Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.

“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.

 

Continue Reading

Lajmet

Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe

Published

on

By

Sot mbushen plot 26 vite nga nisja e njërës prej masakrave më tronditëse të luftës së fundit në Kosovë, ajo e Krushës së Madhe, ku makineria vrastare serbe la gjurmë të pashlyeshme dhimbjeje dhe tmerri.

Më 25 mars të vitit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake rrethuan fshatin dhe për tri ditë me radhë ushtruan terror dhe vrasje mbi popullatën civile të pambrojtur.

Gjatë kësaj periudhe të përgjakshme, u vranë dhe u masakruan mizorisht 241 banorë, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë dhe pesë gra, ku njëra prej tyre ishte shtatzënë.

Nga ky ferr i vërtetë arritën të mbijetojnë me lëndime të rënda vetëm 25 persona, ndërsa fati i 64 të tjerëve vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe sot e kësaj dite, duke e mbajtur hapur plagën e ankthit për familjarët që ende presin një përgjigje.

Ndonëse ngjarjet tragjike në Krushë të Madhe ishin pjesë qendrore e aktakuzës në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë, drejtësia për banorët ka mbetur në gjysmë të rrugës, pasi deri më tani asnjë proces gjyqësor nuk ka dënuar drejtpërdrejt ekzekutorët që kryen këto krime në terren.

Për këtë fshat të Rahovecit, i cili pas luftës u bë simbol botëror i qëndresës përmes forcës së grave të tij, dhimbja mbetet po aq e freskët sa në marsin e vitit 1999, ndërsa kërkesa për llogaridhënie dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve mbetet thirrja kryesore që ushton në çdo përvjetor mbi varret e martirëve.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sllovakia në ankth para Kosovës

Published

on

By

Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.

Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.

Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.

Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.

Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.

Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.

Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?

Published

on

By

Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.

Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.

Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.

“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.

Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.

Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve

Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.

“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.

Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.

Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.

Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.

Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.

Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.

Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.

“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.

E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.

“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.

Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?

Zgjedhje pa ndryshim?

Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.

Edhe zgjedhjet e fundit – të mbajtura më 28 dhjetor, rreth 10 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 – konfirmuan dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pa garantuar një kapacitet real për konsensus institucional.

“Zgjedhjet e reja ka shumë gjasa të japin rezultate të ngjashme me ato të mëparshmet. Mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në përqindjen që mund të fitojnë partitë politike”, thotë ajo.

Një faktor potencialisht i ri mund të jetë rikthimi eventual i Vjosa Osmanit në skenën partiake, por edhe kjo, sipas Eminit, do të sillte një rikonfigurim të pjesshëm, e jo transformim thelbësor të skenës politike.

Sipas saj, problemi nuk qëndron te vota, por te mungesa e kulturës së kompromisit.

“Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, hapësira ku qytetarët përfitojnë nga sistemi politik, mbetet shumë e kufizuar. Kjo mbetet ndoshta pasoja më shqetësuese e gjithë krizës aktuale”, thotë Emini.

Rreziku i një cikli të pafund krizash

Të dy analistët paralajmërojnë se Kosova po hyn në një rreth vicioz, ku zgjedhjet nuk zgjidhin krizën, por e riciklojnë atë.

Muhaxhiri vlerëson se, në teori, do të ishte logjike një rënie e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik, por përvoja e fundit tregon të kundërtën.

“Nuk pres ndryshim të madh. Kështu u mendua edhe vitin e kaluar – dhe ja ku jemi sot”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm real do të vinte nga një reagim ndëshkues i elektoratit – një “votim transformues” që do t’i jepte fund “çoroditjes politike”.

“Përndryshe, rrethi vicioz do të vazhdojë patrazueshëm”, thotë ai.

Pasojat nuk janë vetëm të brendshme.

Një krizë e vazhdueshme institucionale, paralajmëron Muhaxhiri, rrezikon ta largojë Kosovën edhe nga agjendat integruese të Bashkimit Evropian dhe t’i demotivojë aleatët ndërkombëtarë.

“Zmbrapsja nga projektet evropiane e zvogëlon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe e nxjerr atë nga radari i bashkëpunimit”, thekson ai.

Çfarë do të duhej të bënin partitë politike?

“Në një skenar ideal, zgjedhjet e reja do të duhej të shmangeshin”, thotë Emini, duke theksuar se ende ekziston një dritare për kompromis, por vetëm nëse ka angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit.

E, nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të kenë kuptim vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike, sipas saj.

“Partitë duhet të hyjnë në procesin zgjedhor me një qëllim të qartë: të punojnë për interesin afatgjatë të vendit, jo për dominim politik apo përfitime të ngushta. Kjo nënkupton gatishmëri për dialog, negociata mbi baza programore dhe fokus në nevojat reale të qytetarëve”, thotë Emini.

Në të njëjtën linjë skeptike është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili nuk pret ndryshim të qasjes nga Lëvizja Vetëvendosje, por as një alternativë të qartë nga opozita.

Sipas tij, as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dëshmuar deri më tani se posedojnë një strategji bindëse për ta sfiduar dominimin politik të Vetëvendosjes.

“Nëse partitë opozitare arrijnë të rrisin mbështetjen dhe të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë përgjegjësia minimale politike do të ishte harmonizimi i qëndrimeve dhe bashkëqeverisja në përputhje me fuqinë elektorale”, thekson Muhaxhiri, ndonëse nuk beson se një skenar i tillë është i arritshëm.

Sipas tij, ndalja e ciklit të krizave të njëpasnjëshme institucionale mbetet alternativa e vetme racionale – dhe një detyrim i drejtpërdrejtë për klasën politike.

“Në të kundërtën, çdo opsion tjetër përbën investim në gërryerjen e shtetit dhe përshpejtim të rrugës drejt pashtetësisë”, përfundon ai. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara