Lajmet

Kurti: Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”

Ai poashtu përmendi strehimin e disa dhjetëra refugjatëve shqiptarë të Kosovës nga Izraeli.

Published

on

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit ka thënë se Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor.

“Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova”, ka shkruar Kurti mes tjerash në Facebook.

Postimi i plotë:

“27 janar 1945. U gdhi. Mbi dysheme, grumbulli i turpshëm i gjymtyrëve të thara, sendi Somogi. […] Rusët erdhën, ndërsa Sharli dhe unë po e çonim Somogun pak më larg. Ishte shumë i lehtë. E përmbysëm barelën mbi dëborën ngjyrë gri. Sharli hoqi kapelën. Mua më erdhi keq që s’kisha kapelë. Nga të njëmbëdhjetë vetët në Infektionsabteilung, Somogi qe i vetmi që vdiq gjatë dhjetë ditëve. Serteleti, Kanjolati, Tovarovski, Lakmakeri dhe Dorgeri, vdiqën disa javë më vonë, në infermierinë e përkohshme ruse të Aushvicit.”

Kështu e kujton Primo Levi kimisti italian me origjinë hebreje, ditën e 27 janarit 1945, në veprën e tij mbi Holokaustin “Nëse ky është një njeri”, teksa përshkruan vdekjen e shokëve të tij, kur ushtria ruse hyri në kampin e përqendrimit Aushvic në Poloni, aty ku Levi kishte qenë i burgosur mbi 11 muaj, që nga shkurti i vitit 1944. Në Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monowitz, nazistët kishin vrarë mbi 1.1 milionë njerëz, prej të cilëve 960 mijë hebrenj. Kjo datë, 27 janar, që përkon me ditën e sotme, do të shpallej më pas nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Sot, në këtë ditë, ne i kujtojmë gjithë ata njerëz që u vranë me plumba dhe gaz si dhe u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor. Në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Europës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar. Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia mbi ta, shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh që nga koha e Holokaustit. Dhe kjo empati rezultoi të ishte e ndërsjellë, kur më 12 prill 1999, një i mbijetuar tjetër hebre i Aushvicit dhe Buhenvaldit, nobelisti i paqes Eli Wiesel, e përqasi Kosovën me Holokaustin në diskutimin e tij “Rreziqet e indiferencës: mësimet e një shekulli të dhunshëm”, në kuadër të “Mbrëmjes së Mijëvjeçairt”, organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton. Pasi kishte vizituar kampet e refugjatëve të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova prej forcave serbe, duke këshilluar që të mos bëheshin krahasime pasi çdo vuajtje është unike, Wiesel tha se “kjo situatë kërkon veprim dhe jo krahasim”, duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Koha u dha të drejtë të dyve: si Wieselit edhe Clintonit!

Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova. 20 vite më pas, Izraeli njohu shtetin e Republikës së Kosovës. Duke i përkujtuar gjithëherë, populli dhe institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë asnjëherë viktimat e Holokaustit, të asaj kohe kur duke strehuar dhe shpëtuar hebrenjt e ikur, shqiptarët dhanë provën e tyre tashmë të njohur botërisht, si njerëz fisnikë mes kombesh.

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Prizren, gjendet pa shenja jete një shtetas i Shqipërisë

Published

on

By

Në Prizren është raportuar një rast i vdekjes së dyshimtë, ku një burrë shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të datës 1 nëntor, rreth orës 01:20.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe ekipi mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet e rendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Raportohet një person i zhdukur në Ferizaj

Published

on

By

Në Ferizaj është raportuar zhdukja e një personi, i cili është larguar nga strehimorja ku po qëndronte.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor rreth orës 08:00.

Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin është iniciuar shënimi zyrtar dhe hetimet po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Pesë rastet të dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë është raportuar se një viktimë grua është kanosur verbalisht nga një i dyshuar burrë, i cili tashmë ndodhet në kërkim policor.

Në Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje, një viktimë grua është sulmuar nga një i dyshuar mashkull, i cili me vendim të prokurorit është liruar pasi ka pranuar tretman mjekësor.

Po ashtu në Prishtinë është regjistruar edhe një rast tjetër i dhunës në familje ndaj një viktime grua, ku pas intervistimit të palëve, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Viti është arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy personave. I dyshuari, me rekomandim të specialistit dhe vendim të prokurorit, është dërguar për trajtim mjekësor nën mbikëqyrje të policisë.

Ndërsa në Klinë, njësitë policore kanë arrestuar dhe dërguar në mbajtje një të dyshuar burrë për veprat penale kanosje dhe dhunë në familje ndaj një viktime burrë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet i dyshuari në Podujevë për vrasje në tentativë

Published

on

By

Në Podujevë është arrestuar një person si i dyshuar për veprën penale – vrasje në tentativë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri, por i njëjti nuk kishte qëlluar, ndërsa në vendin e ngjarjes organet e rendit kanë gjetur një gëzhojë.

Ndërsa pas mbledhjes së provave materiale, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, deri sa janë kryer edhe kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit, por që nuk është gjetur diçka e dyshuar. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara