Lajmet

Kurti: Brenda shtatë muajve PK-ja ka kryer 437 operacione, u shkatërruan 31 grupe kriminale

Kurti thotë se puna e PK-së është për t’u lavdëruar.

Published

on

Në hapje të takimit inaugurues të Komitetit Nacional Koordinues të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership) kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky nuk është thjesht një partneritet ndërmjet qeverive, por është partneritet mes qeverive dhe qytetarëve.

“Duke i bërë qeveritë më të hapura ndaj kritikës, rritet vet-reflektimi, puna dhe angazhimi, dhe kështu bëhet bashkëqeverisja”, tha ai.

Kryeministri foli edhe për punën e Policisë së Kosovës duke thënë se njëjta është për t’u lavdëruar meqenëse ka kryer 437 operacione, 746 bastisje dhe në këta 7 muajt e fundit janë shkatërruar 31 grupe kriminale.

“Sepse nuk mund të kemi më pasuri të majme, e të mos ia dimë burimin asaj pasurie. Zbrazëtirat ligjore i kemi plotësuar, pengesat i kemi hequr, pasuria e paligjshme do të konfiskohet me ligjin e ri”, citohet Kurti.

Ai kujtoi se para saktësisht 17 ditëve është miratuar edhe koncept-dokumenti për zhvillimin e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Nuk mund të jemi indiferent ndaj keqpërdorimeve e zhvatjes që kanë ndodhur për këto dy dekada. Na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas, edhe të drejtë edhe efikas, si dhe prokurorë me integritet dhe energjik, edhe që kanë integritet po edhe që janë energjik, që nuk janë pasiv, që e bëjnë punën e tyre me nder e profesionalizëm dhe që na e sjellin drejtësinë e munguar”, vijoi ai.

Kryeministri theksoi se Kosova e pasluftës nuk ka pasur stabilitet institucional sikurse që ka tani. Sipas tij, ky stabilitet institucional e ka transformuar besimin e qytetarëve në pajtueshmëri me institucionet dhe ka pasur edhe efekte pozitive ekonomike.

“Ka një divident ekonomik stabiliteti institucional dhe procesi demokratik. Procesi demokratik i zgjedhjeve, rezultati demokratik, stabiliteti institucional që erdhi më pas ka edhe efekt në ekonomi. Ka një divident për buxhetin e shtetit”, tha ai.

Duke potencuar se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për rritje të bashkëpunimit me të gjithë akterët e nevojshëm, me qëllim të gjetjes së mënyrave për të ekspozuar korrupsionin e për të përmirësuar qeverisjen e mirë.

Partneriteti për Qeverisje të Hapur u vlerësua si një mjet i rëndësishëm për agjendën e transparencës, duke inkurajuar angazhimet publike, duke ndarë praktika të mira në veçanti duke përdorur digjitalizimin dhe teknologjinë inovative.

Ky partneritet do të inkurajojë angazhimin mes qeverisë dhe shoqërisë civile, për të punuar në interes të publikut, tha kryeministri Kurti, në përmbyllje të këtij takimi, ku morën pjesë Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, anëtarët e Komitetit Nacional Koordinues dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Lajmet

MAShT-i me thirrje prindërve: Mos blini tekstet shkollore pa u publikuar katalogu zyrtar

Published

on

By

Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë para nisjes zyrtare të procesit mësimor në të gjitha shkollat në Kosovë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.

Ministria njofton se procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar, për çfarë arsye katalogu përfundimtar me çmimet përkatëse nuk është publikuar ende në faqen zyrtare. Pas përfundimit të këtyre negociatave, MASH-i do të bëjë publik katalogun si dhe do të përcaktojë shumën e subvensioneve për çdo nxënës.

“U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore,” thuhet ndër të tjera në komunikatën e ministrisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përmes këtij njoftimi, u bëhet apel edhe librarive e shitësve që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave zyrtare. Ministria udhëzon prindërit që për çdo informacion të mëtejshëm t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Pritje deri në dy orë e gjysmë në kufi: Merdara dhe Dheu i Bardhë më të ngarkuarat

Published

on

By

Fluksi i automjeteve në disa pika të kalimit kufitar të Kosovës është rritur ndjeshëm, ku pritjet për të dalë nga vendi arrijnë deri në 140 minuta.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pika më e ngarkuar mbetet Merdara, ku në dalje pritet nga 120 deri në 140 minuta, ndërsa në hyrje pritja është rreth 10 minuta. Ngarkesë e ngjashme paraqitet edhe te Dheu i Bardhë, ku pritja për të dalë nga Kosova arrin deri në 80 minuta.

Pikat e tjera kufitare paraqesin situatë më të qetë:

Jarinjë: 10 minuta pritje si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

Vërmicë: 3 deri në 5 minuta në të dyja drejtimet. Pikat e tjera (Bërnjak, Hani i Elezit, Kulla, Muçibabë, Mutivodë, Stançiq, etj.)

Qarkullimi po zhvillohet pa pengesa, me pritje minimale prej 1 deri në 5 minuta.

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të informohen mbi gjendjen në kufi përpara nisjes dhe të shfrytëzojnë pikat alternative për të shmangur kolonat e gjata.

Continue Reading

Lajmet

Më 28 gusht mbahet ankandi i shtatë i letrave me vlerë, emetohen 25 milionë euro obligacione

Published

on

Ministria e Financave ka njoftuar se më 28 gusht 2026 do të mbahet ankandi i shtatë i letrave me vlerë për këtë vit.

Në kuadër të ankandit do të emetohen obligacione me maturitet pesëvjeçar, në vlerë prej 25 milionë eurosh.

Sipas Ministrisë, investimi në obligacione shtetërore konsiderohet investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. Interesi i përcaktuar nga tregu garantohet gjatë gjithë periudhës pesëvjeçare dhe investimi është i liruar nga tatimi.

Ministria u ka bërë thirrje të interesuarve që, për informacione rreth pjesëmarrjes në ankand dhe blerjes së letrave me vlerë, të kontaktojnë njërën nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Situata me zjarret në Shqipëri, 20 vatra në 24 orë, 9 ende aktive

Published

on

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 1 në monitorim.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore:

* Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe është kryer evakuimi i banorëve. Operacioni është mbështetur edhe nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të FA-së.

* Mal Milot, Kurbin – Vatra vijon aktive, por rreziku për banesat është eliminuar për momentin. Në terren janë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të FA-së.

* Dajt, Tiranë – Ka riaktivizim të vatrës, por nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar MZSH, AZM dhe FA, me mbështetje nga 1 helikopter.

* Dukat, Vlorë – Zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren operojnë forcat vendore dhe 40 efektivë të FA-së dhe dy avionë Air Tractor; aktualisht nuk rrezikohen banesa.

* Ballaxhiaj, Memaliaj – Zjarri është nën kontroll dhe larg banesave, pas angazhimit të forcave zjarrfikëse, policisë dhe vullnetarëve; disa banorë janë evakuuar.

* Vatra të tjera aktive raportohen në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht, ndërsa vatra në Lufaj, Mirditë, është nën kontroll dhe monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./EO/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara