Lajmet

Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi

Published

on

Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.

Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës

Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën. Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet.

Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.

Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara.

Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit. Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale.

Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.

Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie.

Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime. Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike.

Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja. Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje.

Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”.

Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi.

Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.

Musa Sabedini

Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT

Lajmet

Një vit nga vdekja e Enver Petrovcit, Teatri Kombëtar e kujton artistin e madh

Published

on

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u përkujtua aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Mes kolegëve, studentëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, u kujtua një prej figurave të rëndësishme të skenës dhe filmit shqiptar, i cili la gjurmë të veçanta në teatrin dhe kulturën shqiptare.

Petrovci u kujtua për kontributin e tij artistik, por edhe për raportin e veçantë me publikun dhe brezat e rinj të artistëve.

Një vit pas vdekjes së tij, kujtimi dhe vepra e Enver Petrovcit vazhdojnë të mbeten pjesë e skenës dhe kulturës sonë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Evropa shqyrton plane emergjente pas provokimeve ruse dhe paralajmërimeve për sulm të mundshëm

Published

on

By

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, nuk pajtohet me thirrjet e vazhdueshme dhe raportimet se Rusia mund ta sulmojë NATO-n ose Bashkimin Evropian në muajt e ardhshëm, në përpjekje për ta dobësuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ai thotë se kjo tashmë ka filluar.

“Ne nuk po flasim për një luftë konvencionale. Po flasim për të gjitha llojet e provokimeve, të gjitha llojet e akteve të sabotimit, të gjitha llojet e testimeve dhe, padyshim, kjo është diçka që po ndodh derisa ne po flasim”, tha lideri leton për Radion Evropa e Lirë (REL) në një intervistë të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara më 21 shtator.

Zyrtarë të inteligjencës evropiane, CIA, madje edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk, kanë paralajmëruar ditët e fundit se Moska mund të shkojë aq larg saqë të kryejë ndonjë sulm ajror, në një formë apo tjetër, ndaj territorit të NATO-s në muajt e ardhshëm, për të treguar se zotimi i aleancës ushtarake për mbrojtje të përbashkët, sipas Nenit 5, është pak a shumë disa fjalë në një copë letre.

Rastet e sulmeve të muajve të fundit, që i janë atribuuar Rusisë – dhe që Instituti për Studimin e Luftës (ISË) i quan “seri e koordinuar fushatash kinetike” – përfshijnë zjarrvënie, plane për atentate dhe sabotim të infrastrukturës, si dëmtimi i hekurudhave dhe ndërhyrjet elektronike.

Moska mohon vazhdimisht çdo përfshirje në operacionet e sabotimit që qeveritë evropiane ia atribuojnë asaj, por zyrtarët në kryeqytetet e NATO-s dhe BE-së kanë shtuar përpjekjet për të hartuar plane emergjente dhe masa kundërvepruese.

Skenari i Narvës

Një skenar i tillë është i ashtuquajturi “skenari i Narvës”, i cili përshkruan një situatë hipotetike ushtarake në të cilën Rusia do të sulmonte një vend të NATO-s duke përdorur taktika të luftës hibride, të ngjashme me fazën fillestare të pushtimit të vërtetë të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Narva është një qytet i vogël me një popullsi të madhe ruse në anën estoneze të kufirit me Rusinë. Analistët kanë thënë se një veprim i tillë nga Rusia mund të shihet si një mënyrë për ta testuar gatishmërinë e NATO-s për të rrezikuar një përballje të drejtpërdrejtë për një territor me rëndësi të kufizuar strategjike.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, paralajmëroi për rritjen e sulmeve hibride ruse në gjithë Evropën, në një intervistë për REL-in këtë javë, duke thënë se ka shumë zëra se Putini do ta kryejë një operacion ushtarak në shkallë të plotë kundër shteteve baltike ose Polonisë.

Por, shtoi ai, “inteligjenca jonë nuk sheh ndonjë lëvizje serioze ushtarake në anën tjetër të kufijve tanë, sepse Rusia është e bllokuar në Ukrainë”.

Analistët e ISË-së, megjithatë, thanë më 21 shtator se, ndonëse Estonia dhe Letonia kanë deklaruar se ende nuk kanë vërejtur ndonjë dëshmi për grumbullimin e forcave ruse pranë kufijve të tyre, që do të ishte i nevojshëm për një pushtim në shkallë të plotë të vendeve të tyre, “skenarët për veprimet e Rusisë nuk u janë nënshtruar analizës së hollësishme që meritojnë dhe kërkojnë”.

REL-i kontaktoi disa diplomatë që kanë njohuri për planifikimin e gatishmërisë së BE-së dhe NATO-s, por asnjëri nuk pranoi të jepte shembuj konkretë të asaj që po përgatitet, duke thënë se informacioni është i klasifikuar.

Një zyrtar nga Evropa Qendrore pranoi se në nivel pune zhvillohen diskutime joformale lidhur me atë se çfarë duhet bërë nga pikëpamja logjistike në rast se shtetet baltike dhe Polonia sulmohen, por shtoi se nuk ka udhëzime zyrtare dhe përgatitje konkrete në terren.

Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca ka planet kombëtare të mbrojtjes së vendeve anëtare, “të cilat janë tepër sekrete, por në thelb përcaktojnë se çfarë bëjmë në të gjitha llojet e skenarëve të luftës”.

Rinkevics tha se cilësimi i valës së tanishme të sulmeve ruse si “hibride” mund të jetë gjithashtu duke zbehur urgjencën e nevojshme mes zyrtarëve evropianë për ta trajtuar këtë situatë.

“Mendoj se kur përdorim fjalën ‘hibride’, atëherë disi tingëllon, le të themi, më pak e rrezikshme, një terminologji disi më e pafajshme sesa janë në të vërtetë vetë këto akte”, tha ai.

“Mendoj se skenari më i rrezikshëm do të ishte nëse Rusia bëhet e pamatur, nëse ne nuk reagojmë në mënyrë efikase dhe ka viktima të vërteta… Pjesa jonë e Evropës po përpiqet të jetë sa më e gatshme që të jetë e mundur. Por shikoni, nëse Rusia nis sulm me raketa, atëherë është absolutisht e qartë se ky është Neni 5 dhe atëherë është absolutisht e qartë se do të ketë një reagim”, shtoi ai.

Një bazë e përhershme amerikane në Poloni?

Tensionet e rritura kanë tërhequr vëmendjen e Uashingtonit, i cili ka shqyrtuar vendosjen e trupave amerikane në Evropë, marrëveshjet për bazat ushtarake, marrëveshjet për statusin e forcave dhe negociatat e përgjithshme me vendet pritëse.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni dhe Varshava po bëjnë “përparim të madh” drejt krijimit të një baze të përhershme të ushtrisë amerikane në Poloni, gjë që potencialisht do ta zgjeronte praninë ushtarake amerikane në krahun lindor të NATO-s.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi autoritetet polake mbyllën përkohësisht aeroportet në Lublin dhe Rzeszov, kur sulmet ruse goditën pjesë të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë, sipas zyrtarëve polakë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka paralajmëruar gjithashtu se Rusia mund të përpiqet të kryejë sulme me dronë ose raketa ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, duke i paraqitur ato si aksidente.

Edhe ai tha se incidente të tilla mund të synojnë të testojnë reagimin e NATO-s dhe të minojnë unitetin e aleatëve. Sipas Tuskut, vlerësimi bazohej në informacione nga NATO-ja, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.

Në mënyrë të ngjashme, shtetet baltike u alarmuan vitin e kaluar kur tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta.

Në pragun e NATO-s: Pikat kufitare që po goditen përgjatë kufijve të Ukrainës

Sipas zyrtarëve estonezë, pilotët rusë e pranuan, por e shpërfillën komunikimin nga dy pilotë italianë me avionë luftarakë F-35, të cilët ishin ngritur në ajër nga Misioni i NATO-s për Policimin Ajror në Baltik, në bazën ajrore Amari në Estoni, para se përfundimisht t’i shoqëronin avionët rusë drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare.

Tsahkna theksoi në intervistën e tij për REL-in se Rusia tashmë po sulmon Evropën.

Në përgjigje të inkursionit, të cilin Rusia e mohon, Estonia bëri thirrje për konsultime sipas Nenit 4 të NATO-s, të cilat janë një hap para aktivizimit të klauzolës së mbrojtjes kolektive të Nenit 5.

“Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë të bashkuar”, tha Tsahkna.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po jep asnjë shenjë se “vërtet do të donte të kishte një paqe kuptimplotë dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme” me Ukrainën, pas më shumë se pesë vjetësh luftë, dhe po vëzhgon mënyrën se si reagon Evropa ndaj provokimeve.

“Por nëse ai do ta ketë Ukrainën, ky është vetëm një hap dhe do të shohim agresion të mëtejshëm në Evropë”, paralajmëroi ministri estonez. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Java e Bibliotekës në Kosovë

Published

on

Nga 28 shtatori deri më 2 tetor, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, zhvillohet programi i Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Më poshtë gjeni programin për dy ditët e para./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Tërmeti 3:54 AM”, historia e pesë njerëzve të bllokuar nën rrënojat e Durrësit

Published

on

Filmi aksion-dramë “Tërmeti 3:54 AM”, me skenar dhe regji nga Koloreto Cukali, është shfaqur në kuadër të Tirana International Film Festival (TIFF).

Filmi rrëfen historinë e pesë njerëzve që mbeten të bllokuar nën rrënojat e një pallati pas tërmetit në Durrës. Në hapësirën e ngushtë, mes frikës dhe pasigurisë, ata presin shpëtimin ndërsa përballen me një luftë të vështirë për mbijetesë.

Në rolet kryesore interpretojnë Sara Hoxha, Besmir Bitraku, Giulio Neglia dhe Nika Perrone.

Pas shfaqjes në TIFF, filmi do të shfaqet në Kinema “Republika” në Shkodër nga 23 shtatori deri më 1 tetor, ndërsa nga 8 tetori do të nisë shfaqjen në kinematë e Shqipërisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara