Sport

Kupa e Botës nën kërcënim? Vinicius Jr ngrit alarmin për racizmin në Spanjë

Published

on

Në një deklaratë të fuqishme për mediumin CNN, Vinicius Junior, ylli i Real Madridit, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me racizmin në futbollin spanjoll dhe ka bërë thirrje për ndryshime të menjëhershme. Ai ka theksuar se, nëse situata me racizmin në Spanjë nuk përmirësohet deri në vitin 2030, Kupa e Botës duhet të zhvendoset në një vend tjetër.

Në dy vitet e fundit, Vinicius ka qenë shpesh në shënjestër të abuzimeve raciste, duke bërë thirrje për veprime dhe dënime më të ashpra ndaj autorëve të këtyre sulmeve. Megjithatë, për të, ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të adresuar këtë problem të rëndë.

“Njëherë e thashë dhe e përsëris: Nëse situata me racizmin në Spanjë nuk përmirësohet para vitit 2030, Kupa e Botës do të duhet të zhvendoset në një vend tjetër,” ka deklaruar fillimisht Vinicius. Ai ka shtuar se ka ende kohë për të bërë ndryshime, dhe shpreson që Spanja të evoluojë dhe të kuptojë seriozitetin e fyerjeve raciste.

“Ne kemi një diferencë të madhe për të ndrequr deri në vitin 2030. Shpresoj që Spanja të mund të ndryshojë dhe të kuptojë sa serioze është të ofendosh një person për shkak të ngjyrës së lëkurës. Nëse në vitin 2030 gjërat nuk kanë ndryshuar, ndoshta duhet të shqyrtojmë zhvendosjen e Kupës së Botës në një vend tjetër, sepse është e vështirë për një lojtar të ndihet rehat në një vend ku mund të vuajë racizmin.”

Vinicius ka theksuar se është i gatshëm të kontribuojë në luftën kundër racizmit dhe ka shprehur besimin se shumica e njerëzve në Spanjë nuk janë racistë. Ai ka vlerësuar kushtet e mira që ofron Spanja për të jetuar dhe për të luajtur futboll, duke shpresuar që gjërat të përmirësohen më tej.

“Më pëlqen të luaj për Real Madridin dhe e dua Spanjën. Shpresoj që gjërat të përmirësohen – ata tashmë kanë bërë përpjekje – por duhet të bëjmë më shumë. Dëshiroj që deri në vitin 2030, rastet e racizmit të ulen dhe të krijohet një ambient më i sigurt për të gjithë,” përfundoi Vinicius./UBTNews/

Sport

Rashica: “Gjithmonë me zemër për Kosovën”

Published

on

By

Milot Rashica e ka përmbyllur një cikël të ngarkuar me Përfaqësuesen e Kosovës, duke e cilësuar periudhën e fundit si dinamike, por të veçantë për shkak të mundësisë për ta përfaqësuar vendin.

Megjithatë, ky cikël nuk ishte ndër më të ngarkuarit për Rashicën sa i përket minutave të luajtura. Sulmuesi u paraqit në tri nga katër ndeshjet e Kosovës dhe në të gjitha rastet u inkuadrua nga banka rezervë.

Në fitoren 1-0 ndaj Irlandës, Rashica luajti 18 minuta, ndërsa nuk u aktivizua fare në humbjen 3-1 ndaj Austrisë në Vjenë. Më pas, ndaj Izraelit në Debrecen luajti 22 minuta, ndërsa në barazimin 1-1 ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri” u inkuadrua në minutën e 67-të.

Pas përfundimit të këtij cikli, Rashica ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Dy javë shumë dinamike, me katër ndeshje jo të lehta, por gjithmonë kënaqësi ta përfaqësoj Kosovën. Krenari e madhe të jap gjithçka për Kosovën, çdo herë dhe në çdo formë. Gjithmonë me zemër për këtë fanellë, në rrugën që po ndërtojmë dhe me ëndrrën që kemi para nesh”, ka shkruar ai.

Kjo periudhë vjen në një moment jo të lehtë edhe për Rashicën në nivel klubesh. Futbollisti po kalon një situatë të komplikuar te Beşiktaşi, ku kishte pasur probleme me klubin dhe për një periudhë ishte larguar nga ekipi i parë, pasi nuk kishte pranuar të ndërpriste kontratën gjatë verës.

Vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Amedsporit, Rashica mori minuta, duke u aktivizuar në pjesën e dytë.

Pavarësisht situatës te klubi, ai vazhdoi të ishte pjesë e Kosovës dhe kontribuoi në tri paraqitje gjatë këtij cikli.

Në ndeshjen ndaj Austrisë në Prishtinë, Rashica ishte shumë pranë golit pak minuta pas epërsisë së Kosovës. Ai goditi shtyllën, ndërsa topi u rikthye në zonë, por gjuajtja e Veldin Hoxhës u ndal nga portieri austriak.

Kosova e mbylli këtë seri prej katër ndeshjesh me pesë pikë, pas fitores ndaj Irlandës, humbjes nga Austria dhe dy barazimeve ndaj Izraelit dhe Austrisë.

“Dardanët” tani i presin edhe dy ndeshje në muajin nëntor, ndaj Izraelit dhe Irlandës, ku synojnë ta përmbyllin sa më mirë këtë edicion të Ligës së Kombeve.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova përballet me Austrinë në plejofin për Botërorin 2027

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e femrave do të përballet me Austrinë në dy ndeshje të raundit të parë të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2027.

Ndeshja e parë do të zhvillohet të premten, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 13 tetor, në të njëjtën orë, në Vjenë.

Skuadra që do të jetë më e suksesshme pas dy ndeshjeve do të avancojë në raundin e dytë dhe të fundit të plejofit.

Në letër, Austria shihet si favorite, pasi në fazën e rregullt të kualifikimeve garoi në Ligën A, ku përfundoi e treta në grup, pas Gjermanisë dhe Norvegjisë.

Kosova, në anën tjetër, garoi në Ligën C, ku e përfundoi grupin në vendin e parë, duke lënë pas Kroacinë, Bullgarinë dhe Gjibraltarin.

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar të hënën listën e futbollisteve të grumbulluara për këto dy përballje. Pas dorëheqjes së Sami Sermaxhajt, përfaqësuesen A të Kosovës në këto ndeshje do ta drejtojë Sanije Krasniqi.

Në rast se Kosova arrin ta eliminojë Austrinë, në raundin e fundit të plejofit do të përballet me fituesin e çiftit Zvicër–Izrael.

Kosova dhe Austria janë përballur së fundmi edhe me përfaqësueset e meshkujve. Në ndeshjen e zhvilluar në Vjenë, Austria fitoi 3-1, ndërsa sfida e së dielës në “Fadil Vokrri” përfundoi 1-1. Këto ndeshje u zhvilluan në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton kredinë 60 milionë euro për kampusin e studentëve në kuadër të “Prishtina 2030”

Published

on

By

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), që parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh për renovimin dhe zgjerimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Investimi lidhet edhe me përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku kampusi universitar pritet të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, tha se projekti përfshin renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së konvikteve, si dhe ndërtimin e renovimin e objekteve sportive në institucionet arsimore përreth kampusit.

Sipas Muratit, gjatë Lojërave Mesdhetare, kampusi do të përdoret për akomodimin e sportistëve, ndërsa objektet sportive të shkollave përreth do të shërbejnë si qendra stërvitore.

“Projekti do të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030 në Prishtinë”, deklaroi Murati.

Përveç kredisë prej 60 milionë eurosh, marrëveshja parasheh edhe mundësinë e përfitimit të një granti investiv shtesë prej 10 milionë eurosh.

Investimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën e kampusit universitar dhe hapësirave sportive përreth. Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, objektet e rinovuara do të mbeten në shërbim të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit.

Projekti synon që investimi të mos shërbejë vetëm për organizimin e “Prishtina 2030”, por të krijojë infrastrukturë të qëndrueshme për studentët dhe qytetarët edhe në vitet pas përfundimit të garave.

D.L

Continue Reading

Sport

Klopp i kënaqur me Gjermaninë pavarësisht barazimit ndaj Greqisë

Published

on

By

Gjermania ka dominuar në pjesën e parë të ndeshjes në udhëtim ndaj Greqisë, duke zhvilluar një lojë me ritëm të lartë dhe presion të vazhdueshëm. “Panzerët” ishin më të rrezikshëm dhe më të organizuar në aspektin taktik, por u mungoi vetëm finalizimi.

Pavarësisht rasteve dhe dominimit në lojë, gol nuk pati dhe ndeshja përfundoi me rezultat 0-0.

Barazimi nuk i ka kënaqur tifozët gjermanë, por përzgjedhësi Jürgen Klopp u shpreh i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi në fushë, veçanërisht në pjesën e parë.

“Nëse dikush do të më thoshte një javë më parë se mund të luanim një pjesë të parë të tillë pas vetëm shtatë ditësh, nuk do ta besoja, pasi asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë. Djemtë luajtën një ndeshje të jashtëzakonshme futbolli”, deklaroi Klopp për RTL.

Ai veçoi edhe funksionimin e kundër-presingut, duke theksuar se skuadra e kishte zbatuar me sukses idenë e tij për mënyrën e lojës.

“Kundër-presingu ka funksionuar jashtëzakonisht mirë gjatë 90 për qind të kohës”, tha tekniku 59-vjeçar.

Në pjesën e dytë, Gjermania e uli ritmin dhe nuk ishte më aq e qartë në organizimin e lojës. Megjithatë, kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e Kloppit, i cili mbeti i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara