Muzeu Britanik organizoi të shtunën në mbrëmje një festë madhështore me qëllim mbledhjen e fondeve për nevojat e institucionit, e quajtur “Rozë Ball”, që u zhvillua në ambientet e tij historike, përfshirë Galerinë Duveen, ku ekspozohen Skulpturat e Partenonit.
Siç pritej, ky fakt ngjalli reagime të ashpra në Greqi. Ngjarja, e frymëzuar nga MET Gala amerikane, kishte për synim të tërhiqte elitën e artit dhe biznesit për të ndihmuar muzeun, i cili po përballet me rënie të të ardhurave në vitet e fundit.
Një mbrëmje rozë për artin dhe luksin
Për këtë “Rozë Ball” të parë u ofruan 800 ftesa me çmim prej 2,000 paundësh secila, që u shitën plotësisht. Të ftuarit duhej të respektonin veshjen zyrtare në nuanca rozë, në nder të ekspozitës së re mbi Indinë e lashtë, të sponsorizuar nga biznesmenja dhe artdashësja Isha Ambani, e cila ishte edhe bashkëorganizatore e mbrëmjes.
Atmosfera e natës mbajti një ngjyrim të fortë indian, nga muzika dhe ushqimi, deri te vallëzimet dhe dekorimet. Në një skenë të veçantë, përballë Skulpturave të Partenonit, të ftuarit shijuan shampanjë, aromat e kuzhinës indiane dhe performancat muzikore live.
Emra të njohur në tapetin rozë
Ndër të pranishmit u panë Sir Mick Jagger me partneren Melanie Hamrick, Naomi Campbell, Janet Jackson, Kristin Scott Thomas, Manolo Blahnik, si dhe mbesat e Princeshës Diana, Kitty, Amelia dhe Eliza Spencer.
Në mesin e të ftuarve ishin gjithashtu Daphne Guinness dhe Eugenia Niarchou, të njohura për lidhjet e tyre me modën dhe filantropinë.
Ankand për bamirësi
Përveç shitjes së biletave, fondet u shtuan përmes një ankandi bamirësie, ku u ofruan dhurata të veçanta, si portret kafshe i pikturuar nga kuratorja Dame Tracey Emin dhe një tur ekskluziv në apartamentin e Coco Chanel.
Greqia kërkon kthimin e skulpturave
Ndërkohë që Muzeu i Akropolit në Athinë vazhdon fushatën për ribashkimin e Skulpturave të Partenonit, drejtori i Muzeut Britanik, Nicholas Cullinan, ka zgjedhur të fokusohet në bashkëpunime private për të siguruar stabilitetin financiar të institucionit.
“Nevojat financiare të muzeut kërkojnë që të jesh fleksibël dhe sipërmarrës,” deklaroi ai, duke mbrojtur qasjen e re të muzeut ndaj financimit. /A.Z/UBT News/