Lajmet

Kryeministri kroat: Serbia nuk mund të ulet në dy karrige

Ai tha se i inkurajon të dy palët që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Published

on

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq deklaroi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë platforma e vetme për të ecur përpara prandaj shtoi se i inkurajojnë të dy palët që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, duke folur para gazetarëve, Plenkoviq u shpreh se Kroacia nxit palët për marrëveshje konkrete që do të ndikonin në funksionimin normal të institucioneve në veri të vendit.

“(Dialogu) është një proces që është lehtësuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në veçanti z. Borrell dhe z. Lajçak, ata kanë shumë përvojë, janë të përfshirë në të gjitha aktivitetet në rajon. Ajo që Kroacia po nxit vazhdimisht është paqja, dhe marrëveshjet konkrete, që do të lehtësojnë punën normale dhe funksionimin normal sidomos në pjesën veriore të Kosovës”, tha kryeministri kroat.

Plenkoviq, duke nënkuptuar raportet e Serbisë me Rusinë, foli edhe për rëndësinë që vendet e rajonit të harmonizojnë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Ai tha se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige.

“Nuk është koha për t’u ulur në dy karrige, nëse Serbia është me të vërtetë ambicioze dhe sinqerisht e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, atëherë është koha që të harmonizojë pozicionin e saj edhe në politikën e jashtme”, tha Plenkoviq.

Serbia është i vetmi shtet ballkanik që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. Përkundrazi, në Beograd me dhjetëra herë ka pasur manifestime në përkrahje të Vladimir Putin ndërsa nuk kanë munguar edhe deklaratat e vetë politikanëve serbë në mbështetje të Rusisë.

Lajmet

Dështon përpjekja për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

Published

on

By

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.

Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të Listës Serbe nuk morën pjesë në seancën e paraparë për votimin e presidentit.

Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën menjëherë pas hapjes dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë në një moment tjetër, kur të plotësohen kushtet për zhvillimin e votimit.

Sipas procedurave kushtetuese, në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar si kandidat për postin e presidentit Glauk Konjufca, ndërsa si kundërkandidate ishte propozuar Fatmire Kollçaku.

Për shkak të mungesës së kuorumit, procesi i votimit nuk u zhvillua dhe mbetet të shihet nëse në seancat e ardhshme do të ketë edhe ndonjë seancë deri në përfundim te afatit ligjor.

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet arsenal armësh në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri të vendit, ku ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë një sasi armatimi dhe municioni në komunën e Leposaviqit.

Gjatë angazhimeve në terren këtë të enjte, autoritetet policore në rajonin e veriut kanë siguruar informacione operative se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jashanicë mund të kishte mjete të rrezikshme.

Me të pranuar informatën, njësitë relevante kanë ndërhyrë në lokacionin e specifikuar, ku pas një kontrolli të hollësishëm kanë rënë në gjurmë të një arsenali armësh.

Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, një pistoletë të tipit CZ bashkë me dy karikatorë, një pushkë karabinë M48, si dhe një pushkë gjuetie. Përveç armëve, në këtë shtëpi janë gjetur edhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Për gjetjet në terren është njoftuar menjëherë Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si mbajtje dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Megjithëse armatimi u gjet në një ambient të braktisur dhe deri më tani nuk ka të arrestuar, organet e rendit kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me këtë rast.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës pret në takim zyrtar Shërbimin Sekret Amerikan

Published

on

By

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është arritur një hap i ri drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të përbërë nga përfaqësues të Shërbimit Sekret të SHBA-së (US Secret Service) dhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sipas njoftimit ky takim është zhvilluar në një frymë të lartë partneriteti dhe besimi të ndërsjellë.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, fokusi kryesor ka qenë thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë, shkëmbimi i përvojave operacionale si dhe avancimi i kapaciteteve institucionale. Policia ka potencuar se roli i SHBA-së mbetet jetik për zhvillimin e brendshëm të forcave të rendit.

“Në takim u theksua mbështetja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Policinë e Kosovës ndër vite, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e institucioneve të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ky partneritet do të njohë vetëm rritje në të ardhmen. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar partneritetin strategjik me institucionet amerikane në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi zyrtar i policisë.

Ky takim vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për t’u rreshtuar krah agjencive më prestigjioze botërore për të garantuar një ambient të sigurt dhe luftimin e krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT nderon jetën dhe veprën e Profesorit Naim Krasniqi

Published

on

By

Në ambientet e UBT-së në Kampusin Inovativ, sot u mbajt një ceremoni komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë, Naim Krasniqi. Familjarë, kolegë, studentë dhe përfaqësues të komunitetit akademik u mblodhën për të kujtuar kontributin e tij të pashlyeshëm në fushën e agrokulturës dhe arsimit.

Gjatë ceremonisë, u theksua se profesor Krasniqi nuk ishte vetëm një pjesë e stafit akademik, por një udhërrëfyes i përkushtuar që ndau me brezat e rinj dijen, përvojën dhe vlerat më të larta profesionale.

Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij të rastit, shprehu tronditjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut të tij.

“Më lejoni që në emër të UBT-së t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit, kolegut, mikut dhe anëtarit të familjes tonë, Naim Krasniqit. Personalisht ka qenë një befasi, ishte diçka e papritur sepse vërtet me Naimin kemi pasur shumë punë për të bërë; ishte vetëm fillimi i një angazhimi që kishim nisur bashkë,” u shpreh Hajrizi.

Rektori Hajrizi nënvizoi gjithashtu se profesori Krasniqi ishte një shtyllë në rritjen e institucionit. “Naimi ka qenë pjesë e ndërtimit institucional dhe pjesë e historisë së UBT-së, me fokus të veçantë te Fakulteti i Ushqimit dhe ai i Agrokulturës. Arsyeja pse e integruam në strukturën tonë ishte pikerisht kompetenca e tij e lartë profesionale”, tha ai.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologjia, Fidan Feka u shpreh se profesori i ndjerë ishte “agronom që i dha shpirt bujqësisë”.

“I rritur në një familje me traditë intelektuale dhe atdhedashëse, ai arriti të bëhej një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren”, tha ai.

Eksperienca e Naim Krasniqit ishte e gjerë dhe ndërkombëtare. Pasi përfundoi studimet universitare në vitin 2005, ai u specializua në Institutin Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë gjatë viteve 2010-2012.

Nga viti 2018, ai u bë pjesë e pandarë e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Përveç auditoreve, profesori la gjurmë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit përmes bashkëpunimit me organizata si USAID, ku shërbeu në programe për mundësi të reja për bujqit, si dhe në Shoqatën Nacionale të Mjedrës si koordinator për trajnime.

“Humbja e tij lë një boshtëllëk të madh në komunitetin akademik dhe shoqëror, por gjithashtu na kujton trashëgiminë e pavdekshme që ka lënë pas”, tha mes tjerash gjatë përkujtimit dekani Feka.

Në anën tjetër, profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Imer Rusinovci, dajë i të ndjerit, e pati të vështirë të mbante fjalimin mes dhimbjes së madhe, duke kujtuar natyrën e tij fisnike: “Sot fjala është e rëndë, ka ditë kur fjala mezi del nga goja sepse dhemb shpirti. Naimi ishte një specialist i vërtetë, bashkëshort dhe babë i vërtetë; ishte dritë për familjen dhe udhërrëfyes për studentët. Naimi u rrit pa babanë e tij Ibrahimin, i cili ra dëshmor i kombit. Nipi im më i mirë vdiq në moshën vetëm 40 vjeç e gjysmë, në kulmin e jetës”, tha dr. Rusinovci.

Ndarja nga jeta e profesor Naim Krasniqit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë sektorin e bujqësisë në Kosovë, të cilit ai i shërbeu me devotshmëri deri në momentet e fundit.

Në emër të familjes foli Rina Krasniqi, si dhe djali i të ndjerit, Nektar Krasniqi.

 

Profesori Naim Krasniqi ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Teksti: Diora Luma

Continue Reading

Të kërkuara