Lajmet

Kreu i KQZ në Kroaci pas raportimeve për shkelje: Zyrtarisht nuk e dimë çfarë ka ndodhur me votat

Published

on

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai udhëheq ende zyrtarisht nuk e di se çfarë ka ndodhur, pas raportimeve mediatike lidhur me votat me postë të mërgatës në Kroaci.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se kishte nisur hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se është përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të diasporës, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Mbeten të vërtetohen në fazat e mëvonshme”, tha Radoniqi kur u pyet nga gazetarët me të përfunduar mbledhja e KQZ-së më 7 shkurt.

Radoniqi tha se KQZ-ja ka emëruar stafin e ambasadave të Kosovë për tërheqjen e votave nga postat.

“Por, si ka shkuar procedura atje saktësisht nuk e di”, tha ai duke iu referuar situatës së raportuar në Kroaci.

Megjithatë, gjatë mbledhjes, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, tha se raportimet për këtë ngjarje i konsideron si “përpjekje për të denigruar integritetin, KQZ-së, qoftë të MPJD-së e qoftë të ambasadorit në fjalë”.

Ai tha se falë KQZ-së dhe stafit diplomatik është mundësuar realizimi i regjistrimit të votuesve, votimit me postë dhe sjelljen e zarfeve në përfaqësitë diplomatike nga adresat postare, pas dështimit të procesit të nënshkrimit të kontratës me një operator ekonomik, që ato të dërgoheshin me postë në Kosovë.

“E uroj edhe Prokurorinë për punën që është duke e bërë dhe le të dalë sa më parë edhe Prokuroria, meqë ka treguar një interesim të jashtëzakonshëm edhe në këtë çështje natyrisht edhe për shkak të presioneve politike dhe të jashtme, shumë mirë, le ta shikojë dhe secilin proces, Prokuroria është e lirë ta verifikojë hetojë dhe ta shohë që nuk ka bash asgjë prej asgjëje”, tha Krasniqi.

Ai madje kërkoi që KQZ-ja të paraqesë para publikut të gjitha informacionet për këtë rast.

“Le t’i tregohet publikut që ato 10-20 zarfe, sa kanë mundur të jenë, janë tërhequr për shkak të presionit të postës që kanë pasur për t’u tërhequr nga ekipet e autorizuara”, tha ai.

Më 9 janar filloi votimi me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat mbahen më 9 shkurt.

Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgonin pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Por, më 3 shkurt KQZ-ja doli me një sqarim duke thënë se për shkak të afateve kohore, nuk ka qenë e mundur të nënshkruhet kontrata me operatorin për shërbimet postare.

Andaj, KQZ tha se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së”, u tha në njoftimin e 3 shkurtit.

Ndryshe, për herë të parë Kosova do të organizojë më 8 shkurt edhe votimin fizik në disa përfaqësi diplomatike jashtë vendit./REL/

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara