Lajmet

​Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

Published

on

Krerët institucionalë në Kosovë kanë kërkuar drejtësi për 45 viktimat civile që u vranë në masakrën e Reçakut 27 vjet më parë. Në akademinë përkujtimore, shefat e shtetit thanë se Reçaku u bë pikë kthese para botës, ku u qartësua realiteti i hidhur i regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Megjithatë, u tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 22 personave tregon se drejtësia nuk do të ndalet kurrë, edhe kur kriminelët serbë fshihen apo strehohen nga shteti serb. Sipas tyre, aktakuza afirmon se çdo krim ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dhimbja e Reçakut nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi 27 vjet më parë, por edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën nga Serbia.

Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. Guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori William Walker. Nga ajo që pa personalisht, nuk hezitoi ta përshkruajë ngjarjen si masakër që dukej qartë, padyshim, si krim kundër njerëzimit. Këto ishin fjalët e ambasadorit Walker më 16 janar 1999 në Reçak. Këto ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe ia zhveshën maskën gënjeshtare gjenocidale të Serbisë… Sot dhimbja nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi atë ditë, por edhe nga ajo që nuk ndodhi më pas. Nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën. Përpjekje këto që vazhdojnë në Serbi. Drejtësia për Reçakun ende mbetet peng, andaj nuk do të reshtim asnjëherë së kërkuari atë. Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa drejtësi nuk ka pajtim të vërtetë”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.

Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit, që synonte shuarjen e popullit tonë me çdo kusht. Qoftë një tragjedi që nuk përsëritet në historinë tonë, por për herë të parë ajo mori vëmendjen e të gjithë botës. Reçaku ishte pika e kthesës dhe fillimi i fundit të atij shovinizmi të egër. Kjo tragjedi e tmerrshme bëri që bota të zgjohej nga heshtja e gjatë”, theksoi Basha.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë.

Ai shtoi se faktet dhe dëshmitë për masakrën e Reçakut mbeten të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet.

Ai përmendi edhe ngritjen e aktakuzës ndaj 22 personave nga Prokuroria Speciale si dëshmi se drejtësia nuk do të ndalet deri kur kriminelët serbë, përgjegjës për këtë masakër, të arrestohen dhe gjykohen, ndonëse edhe në mungesë.

Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet. Drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik…Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshihen në Serbi apo kur strehohen nga shteti atje. Drejtësia ecën përpara, pasi shteti i Kosovës nuk harron kurrë”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se masakra e Reçakut është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim nga shteti gjenocidal serb.

Reçaku është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim. Reçaku është dëshmi dhe mbetet plagë që nuk shërohet dhe krenari që nuk shuhet. Reçaku është kujtesë e përhershme se liria jonë ka qenë dhe është paguar me jetën e njerëzve të pafajshëm. Drejtësia për viktimat e Reçakut ende mungon, megjithëse më 30 dhjetor Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë edhe shumë të tjerë të përfshirë, përfshirë edhe krerët e shtetit serb, të vihen para drejtësisë”, deklaroi Aliu.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.

Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Continue Reading

Vendi

United Hospital revolucionarizon diagnostikën private në Kosovë – teknologji moderne dhe çmime të reja promocionale për MRI dhe CT

Published

on

By

Me synimin për ta bërë diagnostikën e avancuar më të qasshme për qytetarët, United Hospital, si një nga spitalet e mëdha private të përgjithshme në vend, sjell një ofertë të veçantë për ekzaminimet e avancuara me MRI Philips MR 5300 1.5 Tesla dhe MSCT Philips 128-shtresor.

Përmes kësaj oferte, spitali synon të ndërthurë teknologjinë bashkëkohore të imazherisë, ekspertizën profesionale dhe çmime më të favorshme, duke u mundësuar pacientëve kryerjen e ekzaminimeve diagnostikuese me standarde të larta dhe në kushte komode.

Në kuadër të ofertës promocionale, pacientët mund të përfitojnë nga çmime të reduktuara për një sërë ekzaminimesh:

MRI – 1 regjion: pa kontrast 70€, nga 100€; me kontrast 90€, nga 130€.
ALL BODY MRI, pa kontrast: 300€.
ALL SPINE MRI, pa kontrast: 150€.
MRI Abdomen + Pelvik, me kontrast: 160€, nga 230€.
CT Koronare: 200€, nga 300€.
Angio CT për karotide, torakale dhe aortë: nga 100€.

Kjo nismë vjen në një kohë kur ekzaminimet moderne imazherike kanë një rol të rëndësishëm në diagnostikimin dhe vlerësimin e shumë gjendjeve shëndetësore. United Hospital thekson se pajisjet moderne të Philips dhe puna e radiologëve specialistë me përvojë synojnë të ofrojnë imazhe të detajuara dhe raporte profesionale.

Një tjetër përparësi e ofertës është edhe qasja e shpejtë në shërbim, me termine të planifikuara dhe pa pritje të gjata, duke i dhënë pacientit mundësinë që procesin diagnostikues ta kryejë në një ambient të përshtatshëm dhe me komfor.

Me këtë ofertë, United Hospital synon të vendosë një standard të ri në qasjen ndaj diagnostikës private, duke e afruar teknologjinë moderne me pacientin dhe duke e bërë më të përballueshme kryerjen e ekzaminimeve të avancuara./rajonipress/

Rezervimet për termin mund të bëhen në numrat:
📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Shënim: Ekzaminimet diagnostikuese duhet të kryhen sipas rekomandimit të mjekut dhe nevojës individuale të pacientit. /rajoni press/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja i bën thirrje Kosovës për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik

Published

on

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik të institucioneve.

Palatova është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të veprojnë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit.

Sipas mesazhit të BE-së, pretendimet për sjellje të pahijshme nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës duhet të hetohen, ndërsa çdo veprim duhet të ndërmerret duke respektuar procedurat e rregullta ligjore.

Në të njëjtën ditë, Palatova është pritur në një takim lamtumirës nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Konjufca e ka falënderuar për angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të saj në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në takim është theksuar rëndësia e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe vazhdimit të bashkëpunimit me BE-në në fushat me interes të përbashkët.

Palatova ka përcjellë mesazhin se BE-ja vazhdon ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, ndërsa ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj në këtë proces.

Në fund të takimit, Konjufca i ka uruar Palatovës sukses në angazhimet e saj të ardhshme./A.K/

Continue Reading

Vendi

Ekzekutohen pagesat për Masat Aktive të Tregut të Punës dhe Pushimin e Lehonisë

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat për përfituesit e Masave Aktive të Tregut të Punës dhe për Pushimin e Lehonisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, përfituesit e të dyja skemave kanë marrë pagesat përkatëse, duke mundësuar realizimin e mbështetjes financiare të paraparë për ta.

Ministria ka bërë të ditur se procesi i pagesave është përfunduar për përfituesit e të dy kategorive./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ulen çmimet e mjeteve shkollore, pakicat duhet t’i shesin të paktën 15% më lirë

Published

on

Qeveria ka marrë vendim për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, në kuadër të masave për të lehtësuar shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga sot deri më 30 shtator, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të ofrojnë ulje prej të paktën 15%, krahasuar me çmimet që kanë qenë në fuqi në qershor.

Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh, si çanta, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, plastelinë, flomasterë, markerë, tempera, furça, vizore, goma, mprehëse, gërshërë, futrola, ngjitëse, kompasë, kalkulatorë, dosje dhe materiale për punë praktike.

Sipas Qeverisë, tregtarët janë të detyruar të shfaqin përkrah çmimit të ri edhe çmimin e vjetër të produktit, të vlefshëm më 1 qershor 2026, në mënyrë që konsumatorët të mund të verifikojnë uljen.

Qeveria ka vlerësuar se kjo masë synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur shpenzimet për përgatitjen e fëmijëve për vitin shkollor janë më të larta./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara