Lajmet

​Kreditë për kompanitë në Eurozonë ulen për herë të parë që nga 2015

Kështu njoftoi Banka Qendrore Evropiane.

Published

on

Në tetor, bankat në Eurozonë reduktuan kreditë për kompanitë për herë të parë që nga vera e vitit 2015, treguan të dhënat nga Banka Qendrore Evropiane (ECB).

Kredia bankare për kompanitë u ul me 0.3 për qind në tetor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pas një rritjeje prej 0.2 për qind në muajin e kaluar.

Bankat reduktuan për herë të fundit vendosjet e kredisë për kompanitë në korrik 2015, kur eurozona filloi të rikuperohej nga kriza e borxhit.

Kredia për individë është rritur me 0.6 për qind në tetor, më e dobëta që nga fillimi i vitit 2015. Në shtator është rritur me 0.8 për qind.

Reduktimi i huadhënies për kompanitë dhe oferta e kufizuar monetare janë rezultat i politikës monetare më të shtrënguar të ECB-së, e cila rriti normat e interesit me 4.5 pikë përqindje nga korriku i kaluar deri në mes të shtatorit të këtij viti, në mënyrë që të frenojë inflacionin duke frenuar kërkesën.

Kushtet më të rrepta të financimit rezultuan me rënie të aktivitetit ekonomik në zonën e aplikimit të monedhës së përbashkët në tremujorin e tretë dhe S&P Global në vrojtimin e fundit mujor të aktivitetit të biznesit vlerëson se mund të hyjë në recesion në fund të këtij viti.

Disa analistë tani kanë frikë se ECB ka shkuar shumë larg në rritjen e normave të interesit dhe se kreditimi është bërë aq kufizues sa mund të thellojë recesionin ose të ngadalësojë rimëkëmbjen e ekonomisë vitin e ardhshëm.

Lajmet

Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri të Kosovës

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. dyshohen se, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Aktakuza thotë se ata kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes.

Barrikadat në veri ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili më vonë u dënua me dy vjet burgim për organizimin e sulmit ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fazıl Say dhe Filharmonia e Kosovës sonte në koncertin përmbyllës të Chopin Piano Fest

Published

on

Prishtina do të mirëpresë sonte një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit, me koncertin përmbyllës të edicionit 2026 të festivalit Chopin Piano Fest.

Në skenën e Klan Arenës do të ngjitet pianisti i njohur turk Fazıl Say, i cili do të performojë së bashku me Filharmoninë e Kosovës, nën dirigjimin e maestro Aurélien Azan Zielinski.

Koncerti, që nis në orën 19:30, pritet të sjellë një mbrëmje të veçantë artistike, duke kurorëzuar programin e festivalit me interpretimin e njërit prej pianistëve më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare.

Për publikun kosovar, kjo paraqitje përfaqëson një mundësi të rrallë për të ndjekur nga afër virtuozitetin e Fazıl Say, i njohur për interpretimet e tij të jashtëzakonshme dhe kontributin në muzikën klasike bashkëkohore.

Koncerti përmbyll një tjetër edicion të suksesshëm të Chopin Piano Fest, festival që prej vitesh sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës klasike nga mbarë bota./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Inflacioni në Kosovë arrin 6,8 për qind në maj 2026 

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e inflacionit vjetor në muajin maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind, ndërsa krahasuar me muajin prill 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind në nivel mujor. ASK ka bërë të ditur se indeksi i përgjithshëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në maj 2026 ishte 6,8 për qind më i lartë krahasuar me majin e vitit 2025.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti me 14,1 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 13,2 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,6 për qind.

Rritje janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 5,3 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 5,1 për qind, shëndetësi me 4,1 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 3,6 për qind, si dhe në kategori të tjera si rekreacioni, veshja dhe komunikimi. Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e shërbimeve arsimore me 0,6 për qind.

Sa i përket ndryshimeve mujore, ASK ka bërë të ditur se në maj 2026 krahasuar me prillin 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind.

Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport me 2,0 për qind, strehim dhe energji me 0,7 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 0,2 për qind, si dhe në disa kategori të tjera me luhatje më të vogla.

Në anën tjetër, rritje mujore e çmimeve është regjistruar në pijet alkoolike dhe duhan me 0,7 për qind, shëndetësi me 0,7 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 0,6 për qind, si dhe në kategori si informacioni, veshja dhe shërbimet e restoranteve. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Kosovë për sulm ndaj zyrtarit policor

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari i është nënshtruar testit të alkoolit, i cili ka rezultuar pozitiv me 0.72 promilë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mesnatës më 09.06.2026, ndërsa më 10.06.2026 policia ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të mbahet në stacion policor derisa t’i kalojë gjendja e dehjes.

I dyshuari, mashkull kosovar, po trajtohet sipas procedurave ligjore, ndërsa rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara