Lajmet

DhTIK shpreh sërish shqetësimin për kamatat e larta të kredive nga bankat komerciale

Published

on

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh sërish shqetësimin për kamatat e larta të kredive nga bankat komerciale në vendin tonë.

Megjithëse sipas DHTIK edhe në raportet e BQK-së kreditë e këqija vazhdojnë të jenë shumë të ulëta, bankat mbeten dorë shtrënguese sa i përket dhënies së kredive me norma më të favorshme të interesit.

“Kjo qasje po u shkakton probleme të mëdha bizneseve tona, të cilat përkundër shumë sfidave, po përpiqen të zgjerojnë investimet e tyre. Numër i madh i bizneseve tona anëtare, kanë raportuar për norma të larta të interesit dhe administrata jo efikase”, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK).

Sipas DhTIK, mungesa e likuiditetit është jetike për të mbështetur prodhimin dhe eksportet.

“Derisa në vendet e rajonit shtetet kanë ndërmarrë veprime të ndryshme, ku sipas të dhënave që i kemi mbledhur, normat e interesit në kredi janë shumë më të ulëta. Madje ka shtete, të cilat kanë marrë iniciativa për të inkurajuar bizneset edhe nga Kosova që të bartin prodhimin, duke ju ofruar kushte shumë më të favorshme, përfshirë edhe kamata shumë më të ulëta sesa ato që i ofron sektori bankar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i bënë thirrje institucioneve kompetente shtetërore, BQK-së dhe sektorit bankar, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm në mbështetje të bizneseve, pasi nga kjo qasje po pëson ekonomia edhe ashtu e brishtë e vendit, e cila përballet me numër të madh të sfidave.

Ndryshe, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me i rritur fitimet e tyre vit pas viti. Ky sektor financiar në vend, ka arritur të ketë profit të lartë gjatë vitit 2024.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) për vitin 2024, nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera ndaj qytetarëve dhe bizneseve, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 182.1 milionë euro ose rreth 27 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2023 profiti i bankave ishte 155 milionë euro, raporton KosovaPress.

Norma e interesit mesatare është mbi 6 për qind. Sipas BQK-së vlera e kredive për ekonomitë familjare, biznese dhe korporata tjera financiare arrin 5 miliradë e 813.4 milionë euro.

Lajmet

Studentët protestojnë para Rektoratit të UP-së, kërkojnë nga Hajrullahu të tërheqë deklaratat

Published

on

Studentë të Universitetit të Prishtinës janë mbledhur para Rektoratit për të kundërshtuar një email të rektorit Arben Hajrullahu, i cili, sipas tyre, përmban kërcënime dhe presion ndaj studentëve.

Rektori Hajrullahu ka dalë në oborrin e Rektoratit dhe u ka kërkuar protestuesve të hyjnë brenda për të diskutuar. Megjithatë, studentët kanë kërkuar që ai fillimisht t’i tërheqë deklaratat e bëra.

Gjatë përplasjes verbale, Hajrullahu i ka kërkuar Policisë që të mos hyjë në oborrin e Rektoratit.

“Policia nuk ka çka kërkon në tokën e Universitetit, universiteti është i yni”, ka deklaruar ai.

Studentët i kanë thënë rektorit se i ka krahasuar me regjimin serb, ndërsa e kanë pyetur nëse ftesa e tij për bisedë ka ardhur me vonesë.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor ka deklaruar se protestat nuk do të ndalen derisa Hajrullahu t’i tërheqë deklaratat ose të kërkohet shkarkimi i tij.

Parlamenti Studentor i ka cilësuar të papranueshme kërcënimet dhe presionet, duke vlerësuar se veprime të tilla cenojnë sigurinë e studentëve, lirinë e shprehjes dhe mjedisin akademik.

Protesta lidhet me një email të dërguar nga rektori pas kërkesës së Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë për zëvendësimin e sistemit të evidentimit të vijueshmërisë përmes QR kodeve me teknologjinë NFC.

Në emailin e tij, Hajrullahu kishte paralajmëruar se bojkotimi eventual i ligjëratave dhe ushtrimeve mund të sjellë pasoja për studentët, përfshirë përsëritjen e vitit apo humbjen e së drejtës për të qenë pjesë e UP-së. Ai kishte përmendur edhe masa ndaj personelit akademik, të cilat mund të përfshijnë ndalesa financiare dhe deri në shkëputje të kontratës së punës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Lushaku-Sadriu ngre shqetësimin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Kosova rrezikon të mos i organizojë

Published

on

By

Kosova rrezikon të mos jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, për shkak të mos përmbushjes së obligimeve institucionale dhe vonesave në procesin e përgatitjeve.

Për këtë ka ngritur shqetësim shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë seancës së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka theksuar se anulimi i takimit të paraparë të mbahej të enjten në Athinë, ku pritej të përcaktoheshin përgjegjësitë për organizimin e lojërave, është një tjetër sinjal shqetësues për të ardhmen e këtij projekti.

Sipas Lushaku-Sadriut, organizimi i Lojërave Mesdhetare do të përbënte një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sportit, turizmit dhe investimeve në infrastrukturën sportive të vendit.

Ajo ka paralajmëruar se papërgjegjësia institucionale mund ta rrezikojë realizimin e një projekti që do ta vendoste Kosovën në qendër të vëmendjes sportive dhe kulturore, duke sjellë mijëra sportistë dhe vizitorë ndërkombëtarë.

Lushaku-Sadriu ka përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga Komiteti Olimpik i Kosovës lidhur me obligimet e papërmbushura nga institucionet, duke kërkuar përgjegjësi dhe angazhim më të madh për realizimin e këtij projekti.

Ajo ka vlerësuar se Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi për ndërtimin e sallave, stadiumeve dhe qendrave të reja sportive, të cilat do të kishin ndikim afatgjatë në zhvillimin e sportit në vend.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Tahiri: Kosovën e ka mbuluar terri, qytetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike

Published

on

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Kosovën e ka mbuluar terri, duke kritikuar ndërprerjet e energjisë elektrike që, sipas tij, po zgjasin me orë të tëra, kryesisht në vendbanimet rurale.

Ai ka thënë se mungesa e energjisë po ua vështirëson jetën qytetarëve, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria ndryshimin e strategjisë për investimet strategjike në sektorin e energjisë, me arsyetimin se zhvillimet globale kanë ndryshuar.

Tahiri ka theksuar se familjet me gjendje të rënduar ekonomike po detyrohen të hyjnë në borxhe për të paguar faturat e energjisë elektrike.

“Ne e kuptojmë që politika programore e VV-së ka qenë e lidhur me shumëllojshmërinë e burimeve energjetike, por kur e shohim strategjinë dhe programin… Kjo duhet të ndryshojë, sepse ka ndryshuar bota”, ka deklaruar Tahiri./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Murati dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës për keqpërdorim të dyshuar të 2.2 milionë eurove

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në prokurori ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove të mjeteve buxhetore nga një projekt i financuar me kredi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas njoftimit të Muratit, kallëzimi penal lidhet me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe përfshin dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, mashtrim dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë.

Raporti i auditimit të pajtueshmërisë i publikuar së fundmi nga ZKA-ja për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike në Komunën e Prishtinës”, me vlerë kredie prej 5 milionë eurosh, konstaton se gjatë periudhës 2024–2026 janë kryer 21 pagesa në vlerë prej rreth 2.18 milionë eurosh për aktivitete jashtë qëllimit dhe fushëveprimit të marrëveshjeve të financimit. Mjetet e projektit ishin paraparë për investime në renovim dhe ngrohje të shkollave, çerdheve dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara