Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje me vlerë 15 miliardë dollarë kundër gazetës New York Times dhe katër gazetarëve të saj, raporton The Guardian.
Padia e depozituar të hënën në një gjykatë federale në Florida, përmend disa artikuj dhe një libër të shkruar nga dy prej gazetarëve të botimit dhe të publikuar në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, duke pretenduar se ato janë pjesë e një modeli shpifjeje të qëllimshme dhe dashakeqe prej dekadash nga New York Times kundër Presidentit Trump.
“Paditësit kanë botuar këto deklarata në mënyrë të pakujdesshme, me njohuri për pavërtetësinë e tyre ose me shpërfillje të pamatur ndaj të vërtetës apo pavërtetësisë së tyre”, thuhet në padi.
New York Times nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment në orët e para të së martës.
Trump e quajti gazetën një zëdhënëse virtuale të Partisë Radikale të Majtë Demokrate, duke veçuar mbështetjen e New York Times për Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Mirëpo, ai nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij.
Javën e kaluar, media raportoi se Trump kishte kërcënuar me veprime ligjore kundër saj në lidhje me artikujt mbi një shënim ditëlindjeje me përmbajtje të pahijshme dhënë abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Presidenti republikan ka mohuar se e ka shkruar vetë atë shënim.
Trump edhe më parë ka ndërmarrë hapa të ngjashëm kundër mediave të tjera.
Në korrik, ai ngriti një padi për shpifje prej 10 miliardë dollarësh kundër Wall Street Journal dhe magnatit të medias Rupert Murdoch, pasi gazeta botoi një artikull mbi lidhjet e tij me Epstein.
Në një postim në rrjete sociale të hënën vonë, presidenti amerikan akuzoi New York Times për një metodë shumëvjeçare gënjeshtrash ndaj tij, familjes, biznesit personal dhe lëvizjes America First, MAGA./S.K/KP/