Lajmet

Krahas punës në Graçanicë, punëtorët mësojnë shqip e serbisht

Fabrika, ndër të tjera, merret me prodhimin e folieve të kuzhinës.

Published

on

Drilon Maliqi është shef i prodhimit në fabrikën Valimpex në Çagllavicë, Komuna e Graçanicës. Kjo komunë, me popullsi shumicë serbe, ndodhet jo shumë larg kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës.

Fabrika, ndër të tjera, merret me prodhimin e folieve të kuzhinës. Ka rreth 30 punëtorë, por në prodhim janë të punësuar vetëm serbë nga fshatrat e Komunës së Graçanicës.

Gjithsej janë shtatë dhe një prej tyre është Nemanja Gjorgjeviq, 24 vjeç. Ai ka filluar të punojë në Valimpex pesë vjet më parë, gati menjëherë pasi ka mbaruar shkollën e mesme.

Ai thotë se është i kënaqur që ka një punë dhe se puna në prodhim nuk është e vështirë.

“Nuk e shoh veten duke punuar në kafene. Më mirë kështu. Po, punoj te shqiptarët, por të gjithë njerëz jemi. Rëndësi ka të kesh një punë, të punosh, të mbijetosh”, thotë Nemanja për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka mësuar edhe bazat e gjuhës shqipe, kështu që mund të komunikojë pa problem me kolegët shqiptarë.

“Pak nga pak kam mësuar. Jo gjithçka, por të kuptohemi”, thotë Nemanja, me të cilin Radio Evropa e Lirë ka biseduar në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e cila shënohet çdo 16 nëntor.

Komuna e Graçanicës është njëra nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe që nuk kanë lidhje gjeografikisht. Katër komunat e lidhura territorialisht janë në veri të Kosovës.

Çështja e pozitës së komunitetit serb është temë e negociatave që zhvillojnë Kosova dhe Serbia tash e dhjetë vjet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Një nga çështjet që po bllokon procesin e negociatave është mosformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi insiston në krijimin e tij, ndërsa Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Larg zyrave dhe sallave të konferencave, ku zhvillohen negociatat, vitet kalojnë për qytetarët e të dyja kombësive.

Shefi i Nemanjës është shqiptari Drilon Maliqi, i cili flet dhe kupton pak gjuhën serbe. Ai thotë se nuk e kanë asnjë problem në komunikim.

I pyetur se çfarë gjuhe përdorin kur flasin, Driloni thotë: “Gjysë, gjysë – pak ashtu, pak kështu”, duke aluduar se në komunikim përdorin edhe shqipen, edhe serbishten.

Nemanja thotë se punëtorët e fabrikës Valimpex, shqiptarë dhe serbë, shoqërohen edhe jashtë punës.

“Ka kolegë që punojnë edhe në transport. Dalim shpesh për kafe apo birra dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme. Shkojmë me ta edhe në festën e Vitit të Ri”, tregon Nemanja.

Për pronarin e fabrikës, Memli Dushi, më e rëndësishme është që puna të kryhet në kohë, e jo kombësia e punëtorit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se punëtorët i ka kërkuar edhe përmes reklamave në radion lokale në Graçanicë, sepse ka dashur të punësojë vendas.

Fabrika Valimpex është hapur në vitin 1994 si biznes familjar në Prishtinë.

Më pas, në vitin 2015, ajo është shpërngulur në Çagllavicë. Serbët e punësuar në këtë fabrikë, kryesisht vijnë nga fshati fqinj, Llapna Sella.

“Ka qenë në interesin tonë që të kemi punëtorë vendas, së pari për shkak të transportit. Të sjellim punëtorë nga Prishtina, do të ishte kosto për ne. Dhe, djemtë që punojnë këtu, e kanë mirë, ata janë afër [punës]. Gjatë verës vijnë me biçikletë në punë”, thotë Dushi.

Përveç folieve të aluminit dhe vetëngjitëse, Valimpex prodhon edhe letër për pjekje, qese për ngrirje, si dhe ambalazhe për ushqime.

Çdo vit, fabrika prodhon më shumë se një ton folie të markës “Sharm”, ndërsa pronari i fabrikës thotë se nuk kanë probleme me nxjerrjen e saj në tregun kosovar.

Ai thotë se ka në plan zhvillimin e eksportit.

“Fokusi ynë është tek eksportet. Tani për tani nuk eksportojmë shumë dhe synimi ynë është që fillimisht të depërtojmë në tregun e vendeve të rajonit. Kemi edhe një strategji për vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Dushi./REL

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara