Lajmet

KQZ do të veprojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me certifikimin e disa kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një konference për medie tha se nesër KQZ do të mblidhet për të proceduar konform vendimeve të Supremes.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore: Do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve besoj se do të mblidhet gjatë ditës së nesërme për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme dhe për këtë do t’iu njoftojmë me kohë”, tha ai.

Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku dy prej tyre janë pranuar pjesërisht. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbetur jashtë listës.

Në vendimin e Supremes thuhet se kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së. 

Lajmet

REL: Shëndeti në QKUK pret, pavarësisht investimeve milionëshe

Published

on

By

Dy ditë në javë, korridoret e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbushen me dhjetëra pacientë që presin një vendim mjekësor me rëndësi jetike për ta – nëse do t’u kryhet koronarografia apo do t’u vendoset stenti.

Përpara tyre është një komision i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, analizat dhe, kur është e nevojshme, kërkon ekzaminime shtesë, para se pacientët të përfshihen në listat e pritjes.

Koronarografia shërben për të identifikuar ngushtimet ose bllokimet në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, ndërsa stenti është një tub i vogël metalik që vendoset për të mbajtur arteriet e hapura dhe për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.

Sipas stafit të Klinikës së Kardiologjisë, aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë që presin për këto shërbime, përfshirë edhe raste të regjistruara në muajt e parë të vitit 2024.

Një nga arsyet kryesore të këtij grumbullimi, sipas mjekëve dhe infermierëve me të cilët bisedoi REL-i, është mosfunksionimi i disa aparaturave për së paku dy muaj gjatë këtij viti.

Ngarkesën e ka shtuar edhe fluksi i madh i pacientëve nga komunat e Kosovës, përfshirë ato ku më herët janë kryer ekzaminime të tilla, si dhe numri i madh i referimeve nga klinikat e tjera brenda QKUK-së.

Stafi, megjithatë, siguron se rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk mbeten në listat e pritjes.

“Kam më shumë se një vit që pres”

R. Shala nga Mitrovica e Jugut ishte më 18 dhjetor në mesin e pacientëve që prisnin në korridoret e Kardiologjisë për një termin për vendosjen e stentit.

“I kam vendosur 12 stenta – njëherë katër, njëherë gjashtë dhe njëherë dy. Katër i kam vendosur në spital privat, të tjerat këtu, në QKUK. Terminin për koronarografi e kam bërë para më shumë se një viti dhe ende nuk më kanë thirrur. Erdha të interesohem, sepse kam probleme dhe nuk jam mirë”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë, teksa mbante një grumbull dokumentesh në duar.

Edhe pacientë të tjerë thanë se nuk kishin marrë një datë të saktë për procedurën.

“Jo, nuk më caktuan datë. Vetëm më thanë se do të më thërrasin në telefon”, tha një burrë në të 40-at.

Në Klinikën e Kardiologjisë punojnë rreth 40 kardiologë, prej të cilëve afërsisht 12 janë kardiologë invazivë.

Ata kryejnë ekzaminime për identifikimin e ngushtimeve dhe bllokimeve në arteriet e zemrës, ndërhyrje për hapjen e arterieve të bllokuara, si dhe vendosjen e stentave.

Sipas të dhënave të klinikës, çdo ditë realizohen 10 deri në 13 koronarografi.

Këto procedura kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por janë ndjeshëm më të kushtueshme krahasuar me sektorin publik.

Investime pa efekt në zvogëlimin e listave të pritjes

Gjatë viteve të fundit, në QKUK janë realizuar investime në disa klinika, përmes fondeve qeveritare dhe donacioneve.

Për shembull, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, për renovim, shtretër dhe hapësira të reja janë investuar vitin e kaluar 750 mijë euro, ndërsa në Klinikën Emergjente rreth 800 mijë euro.

Janë siguruar edhe aparatura të reja, përfshirë skanerin PET/CT për herë të parë, për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.

Në Klinikën e Kardiologjisë, sipas mjekëve, investimet kanë qenë kryesisht infrastrukturore, pa blerje të pajisjeve të reja.

Megjithatë, ata thonë se materialet dhe barnat janë të mjaftueshme dhe se pacientët nuk kanë nevojë t’i sigurojnë vetë.

Pritje të gjata edhe në klinika të tjera

Problemi i listave të pritjes nuk kufizohet vetëm në Kardiologji.

Në Klinikën e Ortopedisë, pavarësisht ndërtimit të një objekti të ri dhe renovimeve, pritja për një protezë gjuri mund të zgjasë mbi tre vjet.

Pacientët, ndërkohë, detyrohen të blejnë shumicën e barnave dhe implanteve.

“Nuk kemi asnjë nga protezat e nevojshme, prandaj kemi numër të madh pacientësh. Aktualisht, ky numër shkon mbi një mijë”, tha një ortoped për REL-in, në kushte anonimiteti.

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pritja për trajtimin e problemeve me venat tejkalon dy vjet e gjysmë, për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe vendeve për hospitalizim, ndonëse gjatë vitit janë kryer rreth 500 ndërhyrje.

Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen pacientët me lloje të ndryshme të kancerit, por me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata, ose mjekim të pacientëve në salla të improvizuara.

Në Klinikën e Oftalmologjisë, pritja për ndërhyrje kirurgjikale mund të zgjasë deri në nëntë muaj, varësisht nga lloji i operacionit.

Haki Hoti nga Gjilani, që kreu një operacion për katarakt më 18 dhjetor, i tha REL-it se kishte pritur rreth pesë muaj për këtë intervenim.

Kritika dhe kërkesa për llogaridhënie

Në fillim të këtij muaji, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kërkoi një raport të detajuar për listat e pritjes.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha se tashmë ekzistojnë kushte, aparatura dhe medikamente për trajtimin e rasteve dhe se është caktuar një zyrë e veçantë për përpilimin e këtij raporti.

Për Bujar Vitinë, kryeredaktor i gazetës “Shneta”, që mbulon shëndetësinë në Kosovë, situata mbetet shqetësuese.

“Investimet milionëshe nuk i kanë ulur listat e pritjes. Duhet identifikim i pengesave reale dhe shpërndarje më e mirë e stafit, përfshirë orët shtesë të anesteziologëve”, tha ai për REL-in.

Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar, vitin e kaluar, QKUK-ja ka qenë e mbingarkuar me rreth 10 mijë pacientë në lista pritjeje, ndërsa pritja mesatare e tyre ka arritur në gati tre vjet.

Auditorët kanë vlerësuar se situatës i ka kontribuar mungesa kritike e personelit mjekësor, sidomos e anesteziologëve, që ka çuar në shtyrjen e operacioneve.

Një problem kronik i sistemit shëndetësor

Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, mbi 100 mjekë largohen nga Kosova çdo vit, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë për listat e pritjes në QKUK, tha se menaxhimi i tyre është në kompetencë të SHSKUK-së.

Ndërkohë, tollovitë në QKUK nuk shkaktohen vetëm nga pacientët, por edhe nga shoqëruesit e tyre, të cilët shpesh, në mungesë të infermierëve, kryejnë edhe punë që nuk u takojnë.

Në disa reparte, mungesa e furnizimeve bazike – si sapunët apo çarçafët – mbetet gjithashtu e dukshme, duke nxjerrë në pah boshllëqe elementare në organizimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve.

E, këto probleme nuk janë të reja. Ato e shoqërojnë sistemin shëndetësor të Kosovës që nga paslufta, pavarësisht investimeve të herëpashershme, ndërrimit të qeverive dhe premtimeve të vazhdueshme për reforma.

Në vlerësimin e shumë profesionistëve të shëndetësisë, kjo nuk buron vetëm nga mungesa e resurseve, por edhe nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese dhe planifikimi i dobët i shërbimeve.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Psikologjisë në UBT vizitojnë Qendrën për Zhvillim, duke u njohur nga afër me shërbimet në shëndetin mendor

Published

on

Disa studentë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën udhëheqjen e profesoreshës Dr. Adelina Ahmeti Pronaj, realizuan një vizitë studimore në Qendrën për Zhvillim, me qëllim thellimin e njohurive praktike në fushën e shëndetit mendor dhe shërbimeve multidisiplinare.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me gamën e gjerë të shërbimeve që ofrohen në qendër, duke përfshirë mbështetjen psikologjike, sociale dhe edukative, të orientuara drejt nevojave të individit dhe familjes. Përmes prezantimeve profesionale dhe diskutimeve të hapura me stafin e qendrës, studentët u njohën me mënyrën se si funksionon bashkëpunimi ndërprofesional në trajtimin e rasteve komplekse në shëndetin mendor.

Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së punës ekipore mes psikologëve, punëtorëve socialë, pedagogëve dhe profesionistëve të tjerë, si një element kyç për ofrimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse dhe efektive. Studentët u njohën gjithashtu me praktikat etike, qasjet bashkëkohore të ndërhyrjes dhe sfidat që shoqërojnë punën me individë dhe familje në nevojë.

Kjo përvojë praktike u vlerësua si jashtëzakonisht e vlefshme nga studentët, pasi shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike të përvetësuar në auditorë dhe praktikës reale në terren. Vizita nxiti reflektim profesional, rriti ndjeshmërinë shoqërore dhe forcoi përkushtimin e studentëve për të kontribuar në të ardhmen në fushën e shëndetit mendor.

Aktivitete të tilla dëshmojnë angazhimin e UBT-së për t’u ofruar studentëve një arsim cilësor, të orientuar drejt praktikës dhe nevojave reale të shoqërisë, duke i përgatitur ata për sfidat profesionale dhe për rolin e tyre si profesionistë të përgjegjshëm në shërbim të komunitetit.

Continue Reading

Lajmet

Ndarja e shtesave prej 100 eurove – Kurti: Çdo herë para vitit të ri ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti thotë se vendimi për ndarjen e shtesave të fundvitit prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët nuk është asgje e re, por e re është se qeverisja e tij do të vazhdojë edhe për një mandat.

Dje qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë nga 100 euro mbështetje për fëmijët dhe pensionistët.

Kurti këtë vendim e komentoi pas përurimit të investimeve dhe punimeve të bëra në stadiumin e komunës se Shtimes. Ai tha se shtesat në kohë festash si qeveri i ka ndarë edhe dy vitet paraprake.

A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar, a kanë qenë edhe para vitit të kaluar çdo herë para vitit të ri kur kemi dimër dhe kemi festa ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, tha ai.

Vendimi i qeverisë në detyrë për ndarjen e shtesave të fundvitit në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët u kritikua duke u konsideruar si vendim për blerje votash meqenëse vendi ndodhet në fushatë zgjedhore.

Kujtojmë se edhe vitin e kaluar qeveria e Kosovës në prag të festave të fundvitit kishte ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

Continue Reading

Lajmet

12 traditat më të çuditshme të Krishtlindjeve në botë

Published

on

By

Venezuelianët shkojnë me patinazh në kishë, norvegjezët i fshehin fshesat e tyre dhe katalanasit janë të fiksuar pas jashtëqitjes festive. Le të zbulojmë traditat e çuditshme dhe të mrekullueshme festive në të gjithë botën…

Krishtlindjet në mbarë botën festohen në një mori mënyrash. Edhe pse varja e kalendarëve të Adventit, ngrënia e darkave me gjel deti të pjekur dhe pritja që Babagjyshi të mbyllë oxhakun janë pjesë të njohura të sezonit festiv në vendet e botës, disa kombe dhe rajone kanë tradita më unike. Këtu, ne kemi zgjedhur disa nga traditat më të çuditshme, por të mrekullueshme të Krishtlindjeve në të gjithë globin.

1. Japoni

Harrojeni gjelin e Krishtlindjeve. Për shumë japonezë, darka tradicionale e Krishtlindjeve është pula e skuqur. Për shkak të një kombinimi të furrave të vogla japoneze dhe një fushate të zgjuar marketingu që bind vendasit se pula e skuqur është një festë tradicionale amerikane e Krishtlindjeve, duhet të bëhen rezervime për të ngrënë në një KFC në Ditën e Krishtlindjeve. Gjatë periudhës para Krishtlindjeve, statujat e Kolonel Sandersjashtë pikave japoneze të KFC-së veshin veshje të Babagjyshit. Pula shërbehet në paketim të veçantë festiv. Kërkesa është e tillë që është krijuar një shërbim online: porositni paraprakisht kovën tuaj familjare të Krishtlindjeve dhe ju vijnë në shtëpi.

(Shutterstock)

2. Norvegji

Norvegjezët besojnë se nata e Krishtlindjeve përkon me mbërritjen e shpirtrave të këqij dhe shtrigave. Është logjike atëherë që pronarët e shtëpive norvegjeze i fshehin të gjitha fshesat e tyre para se të shkojnë të flenë.

Në fund të fundit, asgjë nuk e prish Krishtlindjen më shpejt sesa të gjesh fshesën tënde të thyer në këmbët e një peme, të shkatërruar nga ndonjë shtrigë që shëtit në një kalë.

(Shutterstock)

3. Karakas, Venezuelë

Në javën para Krishtlindjeve, venezuelianët marrin pjesë në një shërbesë kishtare të përditshme të quajtur Misa de Aguinaldo(Mesha e mëngjesit të hershëm).

Në kryeqytet, Karakas, është zakon të udhëtosh në shërbesën kishtare me patina.

Në të vërtetë, kjo praktikë është kaq e përhapur, sa shumë rrugë në kryeqytet janë të mbyllura deri në orën 8 të mëngjesit për t’u siguruar besimtarëve të Krishtlindjeve një kalim të sigurt.

(Shutterstock)

4. Austri

Në Austri, Shën Nikolla ka një homolog të lig të quajtur Krampus. Ai është polici i keq, një krijesë e ngjashme me demon me një detyrë: të ndëshkojë fëmijët e këqij para Krishtlindjeve.

Njerëz të veshur me kostume djallëzore enden rrugëve, duke mbajtur zinxhirë dhe një shportë për rrëmbimin e fëmijëve veçanërisht të këqij dhe për t’i çuar ata në ferr. Është sigurisht një mënyrë për t’i mbajtur fëmijët larg rrugëve.

(Shutterstock)

5. Kataloni, Spanjë

Mirë se vini në traditën e çuditshme katalanase të ‘trurit të jashtëqitjes’.

Vendasit në Katalonjë krijojnë një personazh nga një trung, duke vizatuar një fytyrë mbi të dhe duke i vënë një kapelë. Pastaj kalojnë dy javë duke e ‘ushqyer’ me fruta, arra dhe ëmbëlsira.

Në prag të Krishtlindjeve, e gjithë familja e rrah trungun me shkopinj dhe këndon një këngë tradicionale që përkthehet si ‘nëse nuk bën keq, do të rrah me shkop’, derisa trungu të nxjerrë të gjitha ëmbëlsirat e tij. Është e vështirë të kuptohet pse kjo traditë nuk është përhapur diku tjetër.

Ata gjithashtu i dekorojnë skenat e tyre të lindjes me figura të vogla qeramike që bëjnë jashtëqitje. Zakonisht personazhe të njohur, shpesh të nxjerra nga lajmet e atij viti, figurat gjithmonë i kanë pantallonat rreth kyçeve të këmbëve.

(Shutterstock)

6. Suedi

Yule e do këtë dhi gjigante. Kjo traditë e pazakontë të paktën ka një histori të gjatë. Origjina e saj fillon në shekullin e 11-të, me përmendjen e një figure dhie “me madhësinë e një njeriu” që shoqëronte Shën Nikollën. Tani, është bërë shumë më e madhe.

Qytetet në të gjithë Suedinë ndërtojnë “Dhitë e Krishtlindjeve” çdo vit, me më të famshmen që është në Gävle, një strukturë me dru që shpesh arrin një lartësi marramendëse prej 40 metrash.

Fatkeqësisht, ajo tërheq njerëz që duan ta shndërrojnë atë në një zjarr gjigant, dhe ekspozita është shkatërruar për fat të keq rreth 36 herë që nga viti 1966.

(Shutterstock)

7. Guatemalë

Sa e pastër është shtëpia juaj?

Në Guatemalë, pastërtia është vërtet pranë Perëndishmërisë. Vendasit besojnë se djalli dhe shpirtra të tjerë të këqij jetojnë në cepat e errët dhe të ndyrë të shtëpisë suaj.

Prandaj, ata e kalojnë javën para Krishtlindjeve duke pastruar, duke mbledhur mbeturina dhe pastaj duke i grumbulluar të gjitha në një grumbull të madh jashtë. Më në fund, një shëmbëlltyrë e djallit vendoset sipër dhe e gjithë gjëja vihet në zjarr.

Quhet La Quema del Diablo, “Djegia e Djallit”. Ideja për guatemalanët është të djegin të gjitha të këqijat e vitit të kaluar dhe të fillojnë një vit të ri nga hiri.

(Shutterstock)

8. Ukrainë

Të zbukurosh korridoret me… rrjeta merimange?

Përveç xhinglave standarde, dritave të zanave dhe zbukurimeve, ukrainasve u pëlqen të hedhin edhe një merimangë artificiale dhe një rrjetë mbi pemë.

Tradita ka origjinën në një përrallë të vjetër të një gruaje të varfër që nuk kishte mundësi të dekoronte pemën e saj dhe u zgjua në mëngjesin e Krishtlindjeve për të zbuluar se një merimangë e kishte mbuluar atë me një rrjetë të mrekullueshme e të shkëlqyeshme.

Është për fat të mirë. Nuk ka të bëjë me mirëmbajtjen e dobët të shtëpisë.

(Shutterstock)

9. Portugali

Darka me të afërm të vdekur. Gjatë consodës, festës tradicionale të Krishtlindjeve në Portugali, familjet ndonjëherë caktojnë vende shtesë në tryezën e ngrënies për të afërmit e vdekur.

Mendohet se kjo praktikë do të sigurojë fat të mirë për familjen. Në disa zona, thërrimet lihen edhe në vatër. Dhe mendonit se ushqyerja e të gjithë të afërmve tuaj të gjallë ishte mjaft e vështirë?

(Shutterstock)

10. Itali

Ku ndihmësja e vogël e Babagjyshit është një shtrigë e vjetër

I paaftë për të provuar në mënyrë përfundimtare ekzistencën e Babagjyshit, Vatikani vendosi të mbështeste diçka me të cilën kishin pasur shumë marrëdhënie: një shtrigë të vjetër të quajtur La Befana, e cila u shpërndan dhurata fëmijëve në Itali.

Historia thotë se tre burrat e mençur e ftuan shtrigën t’i shoqëronte për të parë foshnjën Jezus. Ajo tha se ishte shumë e zënë dhe legjenda lindi.

(Shutterstock)

11. Çeki

Një çift mblesësh.

Në prag të Krishtlindjeve, gratë e pamartuara çeke qëndrojnë me shpinë nga dera dhe hedhin njërën nga këpucët e tyre mbi shpatull.

Nëse bie me majën e këmbës nga dera, do të thotë se ato do të martohen brenda vitit. Nëse bie me thembrën nga dera, ato do të jenë edhe një vit beqare.

(Shutterstock)

12. Gjermani

Mbushni çizmet tuaja.

Mbrëmjen e 5 dhjetorit, fëmijët gjermanë lënë një çizme ose një këpucë jashtë derës së dhomës së tyre të gjumit.

Në mëngjes, nëse kanë qenë të mirë, do të zgjohen dhe do të gjejnë këpucët plot me ëmbëlsira. Nëse nuk kanë qenë të mirë, do të gjejnë vetëm një degë.

Sigurisht, është më mirë të lini jashtë palën më të re të këpucëve që keni – mundësisht, të saponxjerra nga kutia.

(Shutterstock)

Burimi: wanderlustmagazine.com/Shutterstock

Continue Reading

Të kërkuara