Aktualitet

Kovaçevski dhe Petkov zotohen për bashkëpunim, marrëveshje për emrin Maqedonia e Veriut

Të dy kryeministrat janë pajtuar që të ngrihen edhe grupe punuese në fushën e infrastrukturës.

Published

on

Kryeministri bullgar Kiril Petkov qëndroi për një vizitë zyrtare në Shkup ku u prit nga kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Megjithëse me një gjuhë të përmbajtur, të dy kryeministrat gjatë konferencës së përbashkët për media u zotuan për komunikim të rregullt dhe punë në zgjidhjen e çështjeve që po mbajnë pezull procesin e integrimeve të vet Maqedonisë së Veriut e rrjedhimisht edhe të Shqipërisë.

Kovaçevski njoftoi se është arritur marrëveshja që Bullgaria mos të pengojë përdorimin e emrit të shkurtër të vendit të tij, respektivisht emrin Maqedonia e Veriut në institucione ndërkombëtare.

“Sot me kryeministrin Petkov u pajtuam se Bullgaria pranon që të përdorë emrin e shkurtër ‘Maqedonia e Veriut’ njëjtë si emrin më të gjatë ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’, pra Bullgaria nuk do ta frenojë përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces shumëpalësh ose dypalësh dhe njëkohësisht Maqedonia e Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme do t’i dërgojë një notë verbale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përdorimin e emrave tanë të shkurtër dhe të gjatë ku theksohet se të dy emrat njëkohësisht të vlefshëm dhe ku vërtetohet mungesa e çdolloj implikimi në integritetin territorial të Bullgarisë”, tha Kovaçevski.

Të dy kryeministrat janë pajtuar që të ngrihen edhe grupe punuese në fushën e infrastrukturës, ekonomisë, tregtisë, inovacioneve, eurointegrimeve dhe në arsim e kulturë.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, tha se do të përqendrohen më shumë në çështjet që i bashkojnë të dy vendet, ndërsa për çështje ku ka pikëpamje të ndryshme do të ketë kohë më të gjatë për trajtimin e tyre.

“Dua të them se për dallim të mënyrës së deritanishme, këto takime do të jenë çdo javë me mundësitë reale të të gjitha Komisioneve, përfshi edhe Komisionin Historik. Do të jemi të vëmendshëm në punët që na bashkojnë, ndërsa çështjet që nuk i kemi sqaruar, do t’u japim më tepër afat. Ajo që është më rëndësi është të punohet, të jemi në komunikim të rregullt. […] Ne absolutisht mbështesim përcaktimin e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve tuaja siç përshkruhet në kushtetutë”, tha Petkov.

Bullgaria ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak se Sofja kërkon të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, duke kërkuar që Shkupi të pranojë se maqedonasit ekzistojnë që nga viti 1945 dhe se para kësaj periudhe ata kanë pasur prejardhje bullgare.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një “paketë” në procesin e anëtarësimit, por vetoja bullgare ndaj Shkupit ka bërë që edhe Tirana zyrtare të mbetet pezull, përkundër plotësimi të kushteve për hapjen e negociatave. 

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Vendi

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Vendi

Ministrja Gërvalla dorëzon kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deponuar sot kallëzim penal pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ndaj ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj të fundit ku arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të nëntëdhjeta. Përmes këtij hapi ligjor, Gërvalla-Schwarz ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente për të filluar ndjekjen penale ndaj zyrtares serbe.

Në njoftimin e saj zyrtar, ministrja e Drejtësisë u bëri thirrje prokurorëve të shtetit që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj deklaratave që arsyetojnë krimet e luftës në Kosovë.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, sipas njoftimit të ministrisë.

Gërvalla-Schwarz ka sjellë në vëmendje bilancin e rëndë të luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende refuzon të kërkojë falje apo të marrë përgjegjësi për gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës civile.

“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, thuhet në komunikaten e ministrisë.

Ky hap institucional i Ministrisë së Drejtësisë vjen si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratës skandaloze të Paunoviqit, e cila ka ngjallur dënime të ashpra edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, duke u parë si një tentativë e hapur për të nxitur tensione të reja dhe për të legjitimuar krimet e regjimit të kaluar në Beograd.

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria nis përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë zyrtare

Published

on

By

Shqipëria ka hedhur hapin e parë zyrtar drejt adoptimit të monedhës euro, duke nisur përgatitjet konkrete ligjore për këtë proces.

Sipas projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili tashmë është publikuar për konsultim publik, parashihet integrimi i vendit në Eurozonë dhe rregullimi i funksionimit të bankës qendrore pas këtij hapi madhor.

Për herë të parë, ky draft përfshin një kapitull të veçantë që përcakton rregullat e reja të operimit nga dita e prezantimit të euros si monedhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë.

“Euro do të bëhet njësia monetare e vendit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.”

Krahas menaxhimit të qarkullimit të kartëmonedhave, projektligji i ri i jep autoritet Bankës së Shqipërisë që të përcaktojë edhe dizajnin e veçantë të monedhave metalike euro që do të emetohen nga shteti shqiptar, gjithnjë duke respektuar standardet dhe rregulloret strikte evropiane. /A2Cnn/

Continue Reading

Të kërkuara