Lajmet

Kosova po ndërton stacione të reja policore në veri

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi më 25 nëntor se është vendosur gurthemeli për ndërtimin e një nënstacioni policor në fshatin Izvor të Zveçanit, në veri të Kosovës.

“Në objektin e ri, që presim të ndërtohet shumë shpejt, do të shërbejë policia kufitare”, shkroi ai në Facebook.

Në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e këtij stacioni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ndërkaq, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, projekti për këtë nënstacion kap vlerën e rreth 700.000 eurove.

Kurti tha se javën e kaluar është vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Në këtë pikë ndodhen pjesëtarë të njësive speciale dhe të rregullta të Policia e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla më 23 nëntor, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit në Bistricë, tha se ky “objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vjetësh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”.

“Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit serb, që është shumicë në veri të Kosovës, kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë. Gjithashtu, sektori civil serb ka kërkuar kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar që t’i kushtojë vëmendje ankesave të qytetarëve për sjelljen e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “joprofesionale” dhe “të politizuar”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”. Ai po ashtu ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës, dhe ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit parashikon që në këtë pjesë të dislokohen policë nga radhët e komunitetit serb.

Në fillim të nëntorit 2022, mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen si pjesë e një aksioni kolektiv për t’u larguar nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia, në ato të Kosovës. Që nga ajo kohë, në veri të Kosovës janë ndodhur kriza të shumta, që kulmuan me një sulm të armatosur të një grupi të serbëve ndaj Policisë së Kosovës në shtator 2023, kur u vra një polic i Kosovës. Ndërkohë, në veri janë dërguar kryesisht policë nga komuniteti shqiptar, si dhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës në fund të majit të këtij viti mori vendimin përfundimtar për shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe, Leposaviq dhe Zubin Potok, për ndërtimin e stacioneve dhe bazave të policisë.

Shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE), atëbotë kishin shprehur shqetësimin për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se shpronësimi duhet të vlerësohet në kuadër të ligjshmërisë, të drejtave të njeriut dhe interesit publik, dhe jo në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve.

lajme

Mbahet seanca në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë zhvillon sot seancën e shqyrtimit kryesor në mungesë ndaj të akuzuarit Adnon Jashari, i cili ngarkohet me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati.

Procesi po zhvillohet pa praninë e të akuzuarit, meqë ai ndodhet në arrati që nga dita e kryerjes së krimit dhe mbetet ende i kërkuar nga Policia e Kosovës përmes urdhërarrestshmërisë publike.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti zyrtarisht aktakuzën ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë më 22 tetor të këtij viti.

Tragjedia ndodhi më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë, kur 27-vjeçarja Diana Kastrati u qëllua për mort me armë zjarri teksa po shkonte në fakultet. Ngjarja pati nxitur reagime dhe protesta të shumta publike, pasi viktima kishte kërkuar më parë urdhër mbrojtës emergjent nga institucionet e drejtësisë, mirëpo mbrojtja nuk i ishte ofruar me kohë.

Zhvillimi i këtij shqyrtimi gjyqësor shënon një hap përpara në përpjekjen e organeve të drejtësisë për të vendosur përgjegjësinë penale 15 vjet pas vrasjes që tronditi vendin./Ekonomia online/

Continue Reading

Aktualitet

Liburn Aliu jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Portit të Durrësit

Published

on

By

Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje nga detyra e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, ndërsa në vend të tij është emëruar zëvendësdrejtori i deritanishëm i përgjithshëm, Andrea Shllaku.

Arsyet zyrtare të largimit të Aliut nuk janë bërë ende të ditura nga institucioni, mirëpo ky vendim vjen menjëherë pas thirrjeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për largimin e drejtorëve rajonalë nga postet e tyre drejtuese.

Aliu e kishte marrë drejtimin e Portit të Durrësit më 28 tetor të vitit të kaluar, pasi më parë kishte shërbyer si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës deri në gusht të vitit 2025. /E.A/

Continue Reading

Live

Trump konfirmon se FBI po heton lidhjen e shefit të Nvidia-s me një spione të dyshuar kineze

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se Byroja Federale e Hetimit (FBI) po heton lidhjen mes drejtorit ekzekutiv të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dhe një femre të dyshuar si spione e Qeverisë Kineze.

Trump deklaroi se ka zhvilluar një bisedë me shefin e Nvidia-s rreth raportimeve se ai ishte cak i një fushate spiunazhi nga Pekini. Presidenti amerikan tha se e kishte pyetur drejtpërdrejt Huang se a kishte dijeni për aktivitetin e saj, ndërsa shto se i besonte deklaratës së tij se nuk dinte gjë.

Pekini zyrtar i ka hedhur poshtë pretendimet përmes Ministrisë së Jashtme, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe me qëllim njollosjen e Kinës. Ndërkaq, kompania Nvidia e cila ka nisur një hetim të pavarur njoftoi se nuk ka asnjë indeks se sekretet e saj apo siguria kombëtare janë cenuar.

Pretendimet për këtë lidhje kanë shkaktuar menjëherë tronditje në tregjet financiare, ku vlera e Nvidia-s rëzoi me rreth 250 miliardë dollarë pas një rënieje prej më shumë se 4% të aksioneve.

Sipas raportimeve të medieve amerikane, inteligjenca dyshon se bëhet fjalë për Alice Huang, e cila nuk ka lidhje familjare me ekzekutivin e Nvidia-s dhe mban post drejtues në kompaninë me bazë në Singapor, Megaspeed. Paralajmërimet për këtë rast i ishin dërguar më parë zyrtarëve të lartë në Washington përmes një memorandumi nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio./ BBC/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot: Intervalet me diell dhe temperaturat deri në 14°C

Published

on

By

Dita e sotme në Kosovë pritet të karakterizohet nga një mot kryesisht i qëndrueshëm, me vranësira të shpërndara dhe me intervale të gjata me diell, sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Temperaturat minimale lëvizin ndërmjet 1°C dhe 5°C, ndërsa ato maksimale gjatë ditës do të arrijnë nga 9°C deri në 14°C.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë e lehtë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 3 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara